Lajm10 Jun 2019

Dështon për herë të katërt gjyqi i 3 gjyqtarëve të “El Classico”

Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e gjyqtarit Petraq Dhimitri për t’i dhënë më shumë kohë avokatit të tij për t’u njohur me aktet e dosjes.   

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Tre gjyqtarët e Apelit, Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno

Fundi i peripecive për gjetjen e adresave të tre gjyqtarëve të Apelit të Durrësit, të cilët akuzohen nga Prokuroria për korrupsion pasiv, nuk u shoqërua me nisjen e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Në sallën e gjyqit të hënën ishin të pranishëm gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri, Petrit Çeno dhe biznesmeni Namik Sadiku, por seanca u shty për herë të katërt për shkak të mungesës së avokatit të Petraq Dhimitrit dhe kërkesës së këtij të fundit për t’i dhënë më shumë kohë mbrojtësit të vet ligjor për t’u njohur me aktet e dosjes.

I pyetur nga gjyqtarja Irena Gjoka për mungesën e avokatit të tij, Dhimitri u shpreh se avokati i zgjedhur prej tij ishte i angazhuar në disa gjyqe të tjera, ndërkohë i kërkoi gjykatës kohë që mbrojtësi i tij të njihej me aktet e dosjes. Ai kërkoi shtyrjen e seancës për një datë tjetër.

Të njëjtën gjë kërkoi edhe prokuroria, duke e vlerësuar të arsyeshëm shkakun e paraqitur nga i pandehuri Dhimitri. E këshilluar në vend, gjykata vendosi të panojë kërkesën e të pandehurit Dhimitri dhe të shtyjë seancën për më datë 19 qershor, ora 13:30.

Prej 9 majit, procesi gjyqësor në ngarkim të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës dhe biznesmenit Sadiku ka dështuar 4 herë; dy herë për mungesë të të pandehurve, një herë për shkak të mungesës së prokurorit dhe të premten pasi nuk u paraqit një prej avokatëve.

Gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u dërguan për gjykim nga prokuroria në fund të nëntorit 2018, me akuzën “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të drejtësisë”. Ndërkohë, biznesmeni Namik Sadiku, po përballet në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me akuzën “korrupsioni aktiv”.

Të dhënat e siguruara më parë nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët dyshohet se kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe se udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.