Lajm8 Jan 2020

Dështon seanca e dytë në Prokurorinë e Posaçme për dosjen e kokainës

I akuzuari kryesor, Arbër Çekaj dhe avokatët e tij kërkuan përjashtimin e prokurorit Edvin Kondili, por kërkesa u rrëzua nga Gjykata e Posaçme. Në seancën e radhës priten konkluzionet e mbrojtjes.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kokaina e sekuestruar nga Policia Shqiptare më 28 shkurt 2018. Foto: Ministria e Brendshme

I akuzuari kryesor për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë, Arbër Çekaj dhe avokatët e tij pritej që të paraqisnin konkluzionet përfundimtare përballë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të mërkurën. Në të kundërt, ata kërkuan përjashtimin e prokurorit të SPAK, Edvin Kondili dhe shuarjen e masës së sigurisë; kërkesa këto që ndonëse u rrëzuan nga gjykata, sollën dështimin e seancës.

Avokati i Çekajt, Maks Haxhia tha fillimisht se klienti i tij kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit në KLP dhe kërkoi pezullimin e seancës deri në marrjen e një vendimi. Avokati tjetër, Faslli Çekaj kërkoi gjithashtu largimin e Kondilit, duke pretenduar anshmëri të tij.

Vetë Çekaj I thelloi akuzat për prokurorin, duke pretenduar se i kishte vendosur familjen në rrezik.

“Jam në burg se kam një mbiemër që s’i pëlqen atij. Grupet e strukturuara kriminale vazhdojnë punën. Unë nuk mund të vazhdoj me këtë prokuror,” theksoi Çekaj. “Nuk e di ç’a keni me familjen Kuliçaj. Besoj se do vijë e drejta ime…, në mënyrë juridike,” shtoi ai.

Prokurori Kondili e konsideroi kërcënim qëndrimin e Çekajt dhe e kundërshtoi kërkesën për përjashtim si jashtë tagrit të gjykatës. “Lidhur me kërcënimet e fshehura mes rreshtave s’më bëjnë përshtypje, as personalisht dhe as profesionalisht,” tha prokurori në seancë.

Arbër Çekaj, 39 vjeç, pronar i kompanisë së importit të bananeve “Arbi Garden” akuzohet si përgjegjësi kryesor i trafikimit të sasisë më të madhe të kokainës së kapur në Shqipëri dhe rrezikon një dënim prej 14 vitesh burg. Dy të akuzuarit e tjerë në këtë çështje, Donaldo Lushaj, 26 vjeç dhe shoferi Armando Pezaku akuzohen nga Prokuroria si bashkëpunëtorë.

Kamioni me banane u bllokua më 27 shkurt 2018 në portin e Durrësit pasi një kontroll rutinë me skaner zbuloi 613 kilogramë kokainë, e ndarë në 528 pako, një pjesë e të cilave kishin mbishkrime të llojit: “KE”, “020”, “CR77”, “Toni Montana”, “Molle 3”, “777” etj; e cila sipas Prokurorisë sugjeron porositjen e saj nga disa organizata kriminale.

Analiza laboratorike tregoi se pastërtia varionte nga 77 deri në 88%, gjë që sugjeron drogë të cilësisë më të lartë të mundshme.

Çekaj u arrestua në Gjermani në maj 2018, afro dy muaj pasi ishte shpallur në kërkim. Ai u ekstradua në Shqipëri pasi humbi betejën për të shmangur ekstradimin në gjykatat gjermane.

Përveç kërkesës për përjashtimin e prokurorit, avokatët e të pandehurve kërkuan edhe shuarjen e masës së sigurisë për klientët e tyre, kërkesë e cila u rrëzua sërish nga trupa e drejtuar nga gjyqtarja Daniela Shirka.

Pas këtij vendimi të ndërmjetëm të gjykatës, avokati Maks Haxhia kërkoi më shumë kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare për shkak të gjendjes së tij shëndetësore gjatë kohëve të fundit. Seanca e radhës u vendos të zhvillohet më datë 23 janar, ora 13:00.