Lajm15 May 2019

Dështon seanca e nëntë; Apeli nuk gjen dot gjyqtarin e tretë për Shullazin

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor fajësojnë njëri-tjetrin për vonesën e delegimit të anëtarit të tretë të trupës gjyqësore, në një kohë kur avokatët e grupit të Shullazit kërkojnë edhe përjashtimin e gjyqtares Albana Boksi.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Forca te shumta policie rrethuan Gjykaten e Krimeve te Renda nderkohe qe aty mbahej seanca gjyqesore kunder Emiljano Shullazit dhe anetareve te tjere te grupit. Foto arkiv: LSA

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka dështuar sërish të formojë trupën gjykuese për Emiljano Shullazin dhe të akuzuarit e tjerë të mërkurën, duke shtyrë për herë të nëntë seancën gjyqësore kundër tyre.

Kryesuesja e trupës gjykuese, Saida Dollani deklaroi në sallën e gjyqit se shkak për mosformimin e kolegjit ishte bërë Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili nuk ka deleguar anëtarin e tretë.

“Ky kolegj nuk përbëhet nga numri i duhur se nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk është deleguar për formimin e plotë të kolegjit, për anëtarin e tretë,” tha Dollani. Ajo sqaroi më tej se gjykimi nuk mund të fillonte me dy anëtarë, por verifikoi praninë e palëve për të bërë njoftimin e tyre për seancën e radhës.

I pyetur nga BIRN mbi arsyet e mosdelegimit të një gjyqtari për ccështjen “Shullazi”, Këshilli i Lartë Gjyqësor u përgjigj se kërkesa e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda do të shqyrtohej në mbledhjen e radhës. Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor, kërkesa e Apelit për Krime të Rënda është bërë më 3 maj 2019, ndërkohë që shtoi se shkalla e urgjencës në kërkesë ishte shënuar “normale”.

“Shtyrja e seancës së sotme gjyqësore ka ardhur si pasojë e planifikimit të saj nga Gjykata, pa pritur trajtimin nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të kërkesës për caktim gjyqtari për këtë çështje gjyqësore,” tha zëdhënësi i KLGJ-së.

“Kjo kërkesë do të shqytohet krahas kërkesave të tjera të kësaj natyre, në mbledhjen plenare të Këshillit, që do të zhvillohet në ditët e para të javës në vijim,” shtoi KLGJ.

Emiljano Shullazi u dënua në 13 nëntor të vitit të kaluar nga Gjykata e Krimeve të Rënda së bashku me katër të akuzuar të tjerë për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal. Në total gjykata dha 55 vjet burg; 14 vjet për Shullazin, 12 vjet për krahun e tij të djathtë, Gilmando Dani, nga 10 vjet për Endrit Qyqjen dhe Endrit Zelën dhe 9 vjet për Blerim Shullazin.

Pas nisjes së gjykimit në Apelin e Krimeve të Rënda në 21 janar të këtij viti, ka qenë e pamundur që të procesi të vijojë rregullisht. Tetë seanca gjyqësore janë shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve apo si pasojë e shkarkimit nga detyra të ish-kryesuesit Fehmi Petku nga vetingu si dhe largimit të gjyqtarëve Sokol Binaj dhe Nure Dreni për konflikt interesi.

Aktualisht trupa gjykuese ka dy anëtarë; kryesuesen Saida Dollani dhe anëtaren Albana Boksi.

Por ndërsa trupa pritet të plotësohet me anëtarin e tretë, avokatët e të pandehurve kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Albana Boksi nga ccështja.

Në kohën kur gjyqtarja Dollani po kryente verifikimin e palëve, avokati Denion Bogdani e pyeti atë nëse ka një përgjigje për përjashtimin e Boksit nga trupi gjykues. Bogdani dhe gjyqtarja Dollani replikuan mes tyre, kur kjo e fundit i tha të mos vazhdonte pasi nuk i kishte dhënë fjalën.

“Kam bërë një kërkesë për përjashtimin e anëtares Albana Boksi dhe ajo është aty. Nuk është bërë publike vendimarja edhe pse duhet të merret brenda 48 orëve. A ka një vendim?”, pyeti avokati Bogdani. Kryesuesja Dollani i kërkoi Bogdanit që të mos e ndërpriste më dhe se për të marrë informacion duhej të drejtohej në sekretarinë e gjykatës.

Në fund të seancës, ajo vendosi të shtyjë gjyqin për më datë 23 maj, ora 13:00.