Dhjetra banorë të fshatrave të Korçës do kalojnë natën e dytë në tendat e ngritura prej ushtrisë, ndërsa në zonë vijojnë të ndjehen lëkundje tërmeti dhe një pjesë e shtëpive janë bërë të pabanueshme.
Gani Islami e kaloi natën në makinën e të birit, pasi banesa e tyre në Qafëzez të Kolonjës, u dëmtua si pasojë e tërmeteve të njëpasnjëshme të mëngjesit të një qershorit.
I moshuar dhe i pamundur, pasi i mungon një nga këmbët, Ganiu qëndron ulur në pjesën e pasme të makinës të cilës i kanë hequr sediljet.
“I hoqëm ndenjëset e makinës dhe unë po fle këtu tani. Isha në gjumë kur erdhën fëmijët e tmerruar dhe më morën në krahë e më nxorrën nga shtëpia. I ndjeva tërmetet njëri pas tjetrit”, tha ai për BIRN.
Në Qafëzez të Kolonjës, hauret e bagëtive, zetorët dhe automjetet, u kthyen në strehën për banorët. Shumë pak prej tyre kanë mundur të futen brenda çadrave që ua sollën të paketuara, por që s’patën mundësi t’i ngrenë vetë. Në këtë fshat 67 banesa u dëmtuan dhe më shumë se gjysma e tyre janë të pabanueshme.
Në total sipas Ministrisë së Mbrojtjes 184 banesa janë dëmtuar pas tërmeteve që prekën Korçën. Fshatrat më të prekur janë Floqi, Qafëzezi dhe Vidohova.
Stacioni sizmiologjik në Korçë evidentoi 65 lekundje sizmike me epiqendër në juglindje të vendit dhe në shtetin grek brenda 30 orësh. 35 prej këtyre lëkundjeve u ndjenë në gjithë rajonin e Korçës ndërsa termeti më i fortë arriti 5.3 të shkallës rihter.
Ndërkohë pas panikut të shkaktuar nga tërmetet e njëpasnjëshme, dhjetra familje kanë mbetur pa shtëpi, pa ushqim dhe pa veshmbathje. Nata e parë mes të ftohtit i ka lënë pa fjalë dhe të tmerruar banorët. Ata ende mbajnë sytë nga shtëpitë, ku kishin gjithçka me vlerë, por një pjesë e tyre është kthyer në grumbuj gurësh tashmë.
“Për fije shpëtuam, na ra një copë nga tavani dhe fati na deshi që të dalim gjallë nga shtëpia. Të gjitha muret u hapën dhe nisën të binin copa”- rrëfen Mirsie Roli, që sëbashku me 7 anëtarët e familjes së saj po qëndrojnë në çadër.
3 shtretër dhe 4 batanije janë gjithçka çfarë mundën të nxjerrin nga banesa e tyre e cila u dëmtua rëndë. “Këtu po flemë, këtu po jetojmë. Mbrëmë deri vonë u futëm në plevicën e bagëtive se s’na kishin sjellë çadrat akoma. Ftohtë është, vështirë është por çtë bëjmë. Merakun e fëmijëve kam se unë e moshuara si ta kem fatin”, thotë Roli.
Ajo tregon se ata dolën jashtë kur ndjenë lëkundjet dhe ndërsa i drejtoheshin qendrës së fshatit panë se të gjithë fqinjët po dilnin të tmerruar. Poshtë këmbëve ndjenin dridhjet e tokës ndërsa nga pas dëgjonin kërcitjet e mureve të banesave që po u shkëputeshin suvatë.
Blerina Elezi, nënë e 4 fëmijëve nga fshati Floq e përlotur tregon se fëmijët i ka çuar tek të afërmit ndërsa ajo me bashkëshortin zgjodhën të qëndrojnë në çadër pasi janë të shqetësuar për shtëpinë e tyre.
“Fëmijët i dëgjoj në telefon, qajnë kanë frikë të kthehen përsëri këtu. I çova tek familjarët e mi sepse këtu nuk mund t’i mbaja. Me bashkëshortin po mbajmë sytë nga fshati, atje ku kishim shtëpinë se tani vetëm gurët e rrëzuar na kanë mbetur”, tha Elezi.
Shumë prej banorëve të Floqit kanë tentuar që të hyjnë mes gërmadhave që të mund të nxjerrin atë çfarë ka mbetur nga orenditë e tyre, por janë larguar pasi lëkundjet e vazhdueshme edhe pse të lehta po i rrëzojnë edhe ato pak mure që kanë mbetur. Shirat e vazhdueshëm e kanë bërë më të vështirë situatën.
Sipas Zyrës së Emergjencave Civile banorëve u janë mundësuar furnizime me ushqime dhe ujë të pijshëm, ndërsa një çadër për shërbimin mjekësor është instaluar pranë minikampit me çadra.
Mbi 20 persona kërkuan ndihmë mjekësore gjatë natës së parë që qëndruan në çadër. “Kanë qenë kryesisht të moshuarit të cilët kanë pasur probleme me tensionin e lartë, fëmijët me gjendje ankthi dhe një grua shtatzanë, e cila u dërgua në Spitalin Rajonal të Korçës për tu mbajtur nën kujdes”- thanë mjekët vullnetarë të Qendrës së Emergjencave Civile.
Lëkundjet sizmike të një shkalle më të ulët vazhdojnë të përsëriten në Korçë prej mëse 24 orësh ndërsa edhe brenda banesave të tjera nuk kanë munguar dëmtimet e lehta si plasaritje muresh apo dëmtime të orendive shtëpiake.