Mbi 100 persona u raportuan të lënduar në spitalet e kryeqytetit dhe Durrësit, pas një tërmeti me magnitudë 5.8. Një mori banesash po ashtu pësuan dëme , ndërsa qytetarët dolën në rrugë të përfshirë nga paniku.
Benjamin Gumbardhi banon pranë Stacionit të Trenit në Durrës, në një pallat të ndërtuar në periudhën e diktaturës. Të shtunën ai e pa veten duke lëvizur në dhomë së bashku me divanin. “U ngrit divani në ajër, me tërmetin e parë. Jetoj në katin e pestë. Zbritëm poshtë shpejt”, tha Gumbardhi.
Burri jeton në një prej pallateve që u raportua se u nda për shkak të lëkundjeve. Gumbardhi i tha BIRN se në fakt ishte shtesa e ndërtuar pas viteve ’90 e cila pësoi një krisje që shkëputi një pjesë të pallatit të ngritur në periudhën e socializmit, nga dhomat e ndërtuara në demokraci.
Në pallatin e ndarë jetojnë rreth 18 familje, që nën ankthin e përsëritjes së lëkundjeve, kanë zgjedhur të qëndrojnë në trotuar së bashku me familjarët. Ngjarje të ngjashme u raportuan për disa pallate në Tiranë.
Tërmeti me magnitude 5.8, i pasuar nga një pasgoditje me magnitudë 5.6 me epiqendër 6 km në perëndim të Durrësit tronditi Shqipërinë qendrore mesditën e së shtunës duke shkaktuar dëme materiale si dhe shumë frikë mes popullsisë së qyteteve më të mëdha të vendit.
Qindra të lënduar
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se mbi 100 persona kërkuan ndihmë mjekësore në Tiranë dhe në Durrës. Në Urgjencën Mjekësore Durrës ku ishte edhe epiqendra e tërmetit u paraqitën për ndihmë mjekësore mbi 50 persona. Një prej tyre u paraqit me dëmtime të rënda në kokë dhe është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, në kryeqytet.
“Në përgjithësi janë paraqitur me dëmtime të karakterit ortopedik, si thyerje që kryesisht kanë prekur gjymtyrët. Duke se një pjesë e madhe po vijnë nga zonat e fshatrave. Ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe disa janë larguar për në banesa pas marrjes së mjekimit”, tha për BIRN Dr. Shani, një prej mjekëve të urgjencës.
Një pjesë e qytetarëve janë dëmtuar nga objekte të forta që kanë rënë gjatë lëkundjeve apo lëvizjeve të tyre të shpejta, si pasojë e panikut dhe përplasjes me objekte rrethanore.
Megjithatë zyrtarë lokalë dhe ministrat thanë se dëmet e shkaktuara nuk ishin të mëdha. “Po verifikojmë dëmet, por nuk ka shumë të tilla. Janë plasaritur disa banesa, 2 shkolla dhe 5 pallate. Nuk janë regjistruar shembje banesash”, tha për BIRN Artur Lekbello, shef i Emergjencave Civile në Prefekturën e Durrësit.
Lekbello tha se shumë qytetarë ishin paraqitur në spital si pasojë e ankthit. “Ditën e nesërme (të dielën) nisin punën grupet e vlerësimit të dëmeve”, tha Lekbello.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi mbrëmjen e të shtunës një takim me prefektin e qarkut të Durrësit dhe në fjalën e tij për mediat tha se është koha për një koordinim të ngushtë mes strukturave shtetërore. Qeveria ka parashikuar rreth mesnatës zhvillimin e një mbledhje të jashtëzakonshme për situatën.
Ndërkohë Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një deklaratë u përpoq të qetësonte qytetarët.
“Tërmeti që ra sot, në orën 16.05 minuta ishte i një magnitudë 5.8 sipas shkallës Rihter, me një intensitet prej 7 deri në 8 balle ne epiqender. Epiqendra ka qenë në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit. Goditja fillestare është shoqëruar nga disa lëkundje, për fat të mirë me magnitudë dhe intensitet më të ulët”, tha në një njoftim Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
Instituti i Gjeoshkencave raportoi një sërë tërmetesh më të vogla. I fundit u raportua rreth orës 19.00 të mbrëmjes në Veri të Durrësit.
Frikë si në vitet 70
Casanova Papai, ish-mësuese gjuhë-letërsie tregon se përpara se të nisnin lëkundjet pati një pështjellim, në formë parandjenje. “Fatmirësisht pallatet tona janë ndërtuar në periudhën e Italisë dhe kanë konstruksion të fortë. Ndjemë vetëm lëkundje dhe normalisht u trembëm shumë”, tregon Papai.
Ajo kujton tërmetin e viteve’ 70, ku ishte e vogël dhe së bashku me familjarët dhe të afërmit qëndruan jashtë nën ankthin e përsëritjes së tërmetit. “Kaluam një traumë sot sepse megjithatë tërmeti nuk pyet se sa e fortë është ndërtesa”, shtoi mësuesja pensioniste.
Edhe institucionet shtetërore kanë paraqitur dëmtime si pasojë e lëkundjeve të forta. Në Teatrin “Aleksandër Moisiu” një krisje u konstatua në ambientet e brendshme. Muzeu Arkeologjik Durrës pësoi krisje në njërin prej mureve të jashtme, në katin e tretë.
“Deri më tani nuk kemi konstatuar dëmtime të objekteve arkeologjike të ekspozuara në pavijonet e muzeut”, sqaroi për BIRN Alban Ramohitaj, drejtor i Drejtorisë Rajonalë të Kulturës Kombëtare Durrës, teksa shtoi se deri më tani nuk ka raportime për dëmtime tek monumentet e kulturës.
Nga një vëzhgim në qytetin e Durrësit, një pjesë e banesave të ndërtuara në periudhën e socializmit kishin pësuar krisje dhe dëmtime të fasadës. Një pjesë e madhe e bizneseve në qytet kanë ulur qepenin, ndërsa lokalet janë mbipopulluar.
Në Shkëmbin e Kavajës u raportua për rrëshqitje të një pjese të kodrës. BIRN mësoi nga dëshmitarë okular se pati dy shembje të shkëmbit, në lëkundjen e parë të tërmetit dhe në të dytën, por që shkaktuan vetëm një re të madhe pluhuri, pasi gjendej në një zonë që nuk e prekte rrugën automobilistike që lidhet me Jugun e vendit apo ndërtimet aty pranë.
Tërmetet e lëkundën Durrësin dhe Shqipërinë edhe në muajin korrik 2018. Në atë kohë në fshatrat Hamallaj, Hidrovor dhe Rrushkull, në njësinë administrative Sukth i Ri dhe në qytetin e Durrësit u konstatuan dëme materiale në shumë banesa.