Lajm2 Jun 2021

Dhoma e Madhe e gjykatës së Strasburgut refuzon apelin e Altina Xhoxhajt

Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut refuzoi apelin e ish-gjyqtares së gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, kundër vendimit të mëparshëm të GJEDNJ-së që rrëzoi ankimin ndaj procesit të vetingut.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Altina Xhoxhaj pas seancës dëgjimore të 23 prillit. Foto: Malton Dibra/LSA

Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut refuzoi në 31 maj të merrte në shqyrtim ankimin e ish-gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj ndaj procesit të rivlerësimit që pasoi me shkarkimin e saj.

Në njoftimin për shtyp nuk jepen shpjegime përveç shënimit se çështja ishte refuzuar.

Refuzimi i dha formë të prerë vendimit të 9 shkurtit 2021 kur një prej dhomave të Gjykatës së  Strasburgut rrëzoi me shumicë apelin e Xhoxhajt  ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe cilësoi se procesi i rivlerësimit nuk shkelte të drejtat e njeriut dhe masat e marra ishin propocionale.

“Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike,” u shpreh GJEDNJ nëpërmjet një njoftimi për median.

“Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë,” shtoi GJEDNJ.

Altina Xhoxhaj ishte një ndër pesë anëtarët Gjykatës Kushtetuese që u shkarkua nga procesi i vetingut. Fatos Lulo, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari po ashtu u shkarkuan nga KPK dhe për dy të parët vendimi u konfirmua edhe në KPA, ndërsa ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.  Më herët nga gjykata ishin larguar përmes dorëheqjes Vladimir Kristo, Sokol Berberi dhe para procesit të rivlerësimit Bensik Imeraj.

Xhoxhaj u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, ndërsa më herët ka punuar si juriste në Ministrinë e Drejtësisë, si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2006-2010 dhe lektore në Shkollën e Magjistraturës.