Elvi Fundo, drejtues i portalit të lajmeve ‘Citynews.al’ u sulmua mëngjesin e së hënës nga dy persona, të cilët sipas policisë, e kanë goditur gazetarin me mjete të forta duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Gazetari Fundo ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak, ku mjekët i kanë rekomanduar qëndrimin për disa ditë. Ngjarja ka ndodhur në orën 10.40 minuta në zonën e bulevardin “Zogu i Parë”, e sipas Fundos në prani të shumë qytetarëve. Policia deklaroi se po punon për identifikimin e autorëve ndërsa motivet e sulmit mbeten të paqarta.
Gazetarët dhe politikanët dënuan me shpejtësi ngjarjen.
Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, në një deklaratë për shtyp e ka konsideruar dhunimin e gazetarit Fundo si një “akt të rëndë dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj medias dhe fjalës së lirë”, si dhe i bëri thirrje autoriteteve të hetojnë dhe vënë para përgjegjësisë autorët e ngjarjes.
Edhe krerët e politikës, nga kryeministri Edi Rama te kryetari i opozitës Lulzim Basha e dënuan sulmin, pa harruar të akuzojnë njëri-tjetrin për përgjegjësinë.
“Dënoj me forcë aktin e dhunës ndaj gazetarit Elvi Fundo. Zbardhje e plotë sa më parë e këtij krimi. Neveri për politizimin e kësaj barbarie nga VajmedetPD”, shkroi kryeministri Rama në Facebook, duke iu përgjigjur deklaratave të Partisë Demokratike, e cila, përveç dënimit të sulmit, akuzoi qeverinë për “shantazhe dhe kërcënime ndaj medias”.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, një organizatë jofitimprurëse, e konsideroi sulmin si reagim ndaj shkrimeve të Fundos në “në goditjen e korrupsionit dhe aferave korruptive”.
Shumë gazetarë përdorën rrjetet sociale për të dënuar sulmin dhe për të kërkuar identifikimin dhe dënimin e përgjegjësve.
Elvi Fundo është gazetar me një eksperincë të gjatë në shtypin dhe median shqiptare. Së fundmi ai është drejtuesi i Radio Best dhe platformës online CityNews.al.
Sulmi ndaj Fundos nuk është i pari i këtij lloji. Vitin e kaluar, gazetari Eduart Ilnica u mor peng dhe u dhunua nga drejtuesi i klubit të futbollit Kastrioti të Krujës, Alban Vogli. Vogli u arrestua më pas nga policia dhe u dënua nga gjykata me tetë muaj burg.