Lehtësimi i penaliteteve për dhunën në familje në Rusi ka shkaktuar debate të forta në vend dhe kudo në botë, ndërsa aktivistët dhe konservatorët debatojnë rreth familjes.
Në verën e vitit 2016, aktivistët e të drejtave të grave në Rusi festuan kalimin e ligjit të parë që synonte të shënjestronte abuzimin në familje. Për një vend ku, sipas vlerësimeve, një grua vdes çdo 40 minuta në duart e partnerit, ishte një zhvillim i vonuar gjatë.
Më pak se një vit më vonë, duket se ai progres është zhbërë.
Më herët këtë muaj, parlamenti rus votoi me një shumicë dërrmuese – 380 me 3 – në favor të një ndryshimi që do të dekriminalizonte dhunën në familje. Këtë javë, presidenti Vladimir Putin e nënshkroi atë duke e kthyer në ligji. Çfarë fshihet pas kësaj ngjarjeje kontroverse?
Rruga drejt dekriminalizimit
Për të kuptuar se çfarë ndodhi, duhet të kthehemi në verën e vitit 2016, kur ligjvënësit rusë dekriminalizuan kontaktin fizik të pavullnetshëm – formën më pak të dhunshme të sulmit – përveçse në rastet kur viktima ishte bashkëshort/e, partner/e ose fëmijë.
Përjashtimi njihte natyrën e ndryshme të abuzimit në familje krahasuar me format e tjera të dhunës dhe pranonte se duhej një nivel më i lartë mbrojtjeje (mes krimeve të tjera si dhuna e motivuar nga raca).
Por përballë presionit në rritje nga grupet konservatore dhe Kisha Ortodokse, politikëbërësit vendosën ta hiqnin këtë përjashtim.
Tani, ata që e kryejnë shkeljen për herë të parë duke rrahur partnerët apo fëmijët nuk do të përballen më me akuza penale. Në vend të kësaj, për sa kohë rrahja nuk ka shkaktuar dëm serioz, dhe për sa kohë që nuk ndodh më shumë se një herë në vit, abuzuesit do të marrin një ndëshkrim administrativ – ose një gjobë të vogël (rreth 500$), shërbim në komunitet ose deri 15 ditë izolim. Ndryshimi gjithashtu nënkupton që viktimat vetë do të jenë përgjegjëse për mbledhje të provave dhe kallëzim të rastit.
Mbështetësit e lëvizjes argumentuan se shteti nuk ka punë të ndërhyjë në çështjet familjare. “Familja është një mjedis delikat ku njerëzit duhet t’i zgjidhin gjërat vetë,” tha për gazetarët Maria Mamikonyan nga lëvizja Prindërit Rusë Rezistojnë.
Ideja e saj pasqyrohet edhe te shumë liderë politikë dhe fetarë rusë, përfshirë një nga personat më pranë Putin, Vyacheslav Volodin: “është e rëndësishme për ne që askush të mos ndërhyjë te familjet, që shoqëria t’i vlerësojë këto çështje dhe që shteti të krijojë kushte për ndërtim të familjeve të forta,” shpjegoi ai.
“Nëse ai të rreh, të do”
Kritikët nuk e shohin kështu. Për ta, vendimi dërgon mesazhin e gabuar, veçanërisht për shkak të historisë së gjatë të kulturës së pranimit të dhunës në familje në Rusi. Siç thotë një shprehje e vjetër ruse “nëse ai të rreh, të do”.
“Mesazhi është: të mos e ndëshkojmë dikë që e rreh familjen e tij në shtëpi, sepse ka të drejtën ta bëjë këtë,” tha për Reuters Maria Makhova, drejtoreshë e një qendre me bazë në Moskë për viktimat e abuzimit seksual. “Ky ligj bën thirrje për çlirim të tiranisë në shtëpi”.
Të tjerët janë të shqetësuar se kjo lëvizje e fundit mund të përkeqësojë një situatë tashmë kritike.
“Gratë shpesh nuk shkojnë në polici apo në gjykata për të denoncuar burrat abuzivë. Tani do të ketë më pak raste të tilla dhe numri i vrasjeve do të rritet,” paralajmëroi Yury Sinelshchikov i partisë komuniste të Rusisë.
Në një vend ku 40% e familjeve janë të prekura nga dhuna në familje dhe pothuajse 20% e njerëzve besojnë se ndonjëherë është e justifikueshme, kjo do të kishte pasoja të rënda.