Opinion13 Nov 2017

Dialogu Kosovë-Serbi është thjesht “i humbur”

Të dy vendet dhe të dy popujt janë të humbur para një “dialogu” që s’ka përparuar kurrë përtej shtrëngimeve të duarve të liderëve dhe fotografive në Bruksel.

Autor: Haki Abazi BIRN
Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Federica Mogherini. Foto: Twitter/Federica Mogherini.

Në shkollën ndërkombëtare të diplomacisë, dialogu dhe negociatat drejtohen nga një teori “e favorshme”.

Megjithatë, pavarësisht luftërave dhe konflikteve të tmerrshme që ka përjetuar Ballkani, BE-ja nuk ka marrë ndonjë mësim rreth apo nga rajoni.

Kur dikush thotë negociata dhe dialog, në Ballkan zakonisht kjo nënkupton bisedim dhe udhëtime – jo punë e vërtetë. Në rastin më të mirë, është diçka që elitat e Ballkanit e përdorin si një justifikim për të blerë kohë, me justifikimin se ata po punojnë për një çështje ndërkohë që banditët e tyre në shtëpi bëhen gjithnjë e më të pasur dhe qytetarët vuajnë gjithnjë e më shumë.

Dhe kur dikush thotë “e favorshme”, në Ballkan kjo shprehje nënkupton – siç kanë treguar shpesh edhe presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, gjatë bisedimeve të drejtuara nga BE-ja mbi normalizimin e marrëdhënieve – t’i rrish njëri-tjetrit në fyt në sy të publikut ndërkohë që në Bruksel bën fotografi duke buzëqeshur.

Në realitet, askush “nuk po fiton” këtu dhe nuk po zbatohet asnjë marrëveshje. Gjithçka është bërë e huaj, më e vështirë dhe më larg qytetarëve.

Megjithatë, nga ata të dy, Vuçiç duket se po fiton më shumë në afat të shkurtër. Kosova është ende pjesë e Serbisë, sipas kushtetutës, për shembull, edhe pse kjo supozohej të ishte hequr disa vite më parë.

Vuçiç ka krijuar përshtypjen se ai po bën më shumë për Kosovën, në krahasim me paraardhësit e tij.

Megjithatë, ai nuk ka bërë asgjë me thelb. Ai ka avancuar përsa i takon forcimit të marrëdhënieve me pjesën veriore të Kosovës të drejtuar nga serbët, deri në atë pikë që Kosova Veriore po bëhet de-facto një territor pa shtetësi. BE-ja thjesht shikon. Ajo s’është as në gjendje të kërkojë drejtësi për një personeli i saj i vrarë atje.

Dhe, duke përdorur naivitetin e delegacionit kosovar, Serbia e ka bërë gjithashtu një çështje të madhe shoqatën e planifikuar të komunave serbe në Kosovë. Ai ka pasur mbështetje shumë të madhe edhe nga partia Lista Serbe. Një lojtare kyçe në krijimin e qeverisë së fundit të Kosovës, ajo tani mund të parandalojë çdo ndryshim kushtetues që merret.

Ndërtimi i shtetit në Kosovë praktikisht ka ndaluar.

Megjithatë, e vetmja gjë q ë Vuçiç nuk llogariti, është se çdo lider serb që vuri Kosovën para reformave të brendshme, zhvillimit dhe prosperitetit të popullit, ka përfunduar në anën e gabuar të historisë.

Koha për lidershipin përmes miteve ka marrë fund, në fakt ka mbaruar dekada më parë, edhe pse politikanët duket se janë të fundit që e kuptojnë këtë.

Trajtimi i çështjes së Kosovës mund t’i ketë dhënë Vuçiçit pak hapësirë për manovrim dhe ka blerë kohë që Serbia të mos i bashkohet sanksioneve perëndimore të vendosura kundër Rusisë mbi Ukrainën.

Por Vuçiç gjithashtu e ka llogaritur keq. Ose këtë ose këshilltarët e tij harruan t’i kujtojnë atij se, si anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia janë fqinjë që kontrollojnë kalimin e hyrjes në BE.

Nga ana tjetër, Thaçi i Kosovës, për të gjitha idetë e tij “të mrekullueshme” në lidhje me si të dalësh nga telashet me Gjykatën Speciale, e ngritur për të gjykuar krimet e luftës në Kosovë, ka përfunduar duke pranuar një gjykatë të krijuar vetëm për të gjykuar anëtarët e një grupi etnik. Edhe vetë Thaçi mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve.

Ai ka rënë dakord gjithashtu të vendosë një yll mbi emrin e Kosovës, duke vënë përsëri në pikëpyetje statusin e saj të pavarur, kohë pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, dhe pasi Kosova mori një mendim pozitiv këshillues në lidhje me këtë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010.

Në Ballkan ka një shprehje që thotë: “Kungulli nuk ecën gjithmonë mbi ujë”. Ai që u konsiderua si një varr i hapur për të tjerët, po shndërrohet në një varr ku do të përfundojnë Thaçi dhe disa nga njerëzit e tij më të afërt.

Pra, rajoni është gati për kohë argëtuese. Një klasë politike të dështuar në Serbi dhe një fiasko të një klase politike në Kosovë.

Ndërkohë që të dy kanë versione 180 gradë ndryshe në lidhje me atë që ka ndodhur në Bruksel, BE-ja i ka toleruar ata t’u thonë gënjeshtra popullit të tyre dhe i ka keq udhëzuar ata drejt një hapësire të mbushur vetëm me ajër të nxehtë.

Vetëm një fakt është i vërtetë. Jetët e njerëzve në të dyja anët e kufirit nuk po përmirësohen. Të rinjtë po largohen ose po përpiqen të largohen dhe beteja me “tharjen e trurit” po humbet.

Ekonomikisht, të dy vendet janë në një gjendje afër një kolapsi dhe investitorët e huaj shmangen, duke e parë sundimin e ligjit atje pothuajse si mesjetar.

Ndoshta marrëveshja e pandryshuar dhe e pashkruar midis tyre është bashkëpunimi midis rrjeteve të tyre kriminale dhe ekonomive të paligjshme.

Për ta përmbledhur, pesë vjet dialog dhe negociata, miliona para të shpenzuara: Vuçiç mendon se një ditë BE do t’i kërkojë Serbisë ta njohë Kosovën, pasi BE-ja nuk mund të durojë të ketë një Qipro tjetër brenda saj. Ndërkohë, Thaçi beson se ai është tradhtuar, pasi ai pranoi çdo gjë që iu kërkua.

Lista e lëshimeve të tij është e gjatë. Gjykata Speciale e Kosovës, marrëveshja për shoqatën e komunave serbe, marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, dhënia Serbisë e kontrollit të rezervuarit më të madh të ujit në veri – marrëveshja për një “gjysmë” prefiksi telefoni për Kosovën, lejimi i Serbisë të vazhdojë të kontrollojë kodin bankar dhe të mos lejojë avionët që përdorin hapësirën ajrore serbe të ulen në Kosovë, pranimi i Listës Serbe si një mjet i ri politik që Beogradi të diktojë Kosovës (duke hequr qafe kështu partinë e serbëve të Kosovës, Srpska Liberalna Stranka), pranimin e yllit, miratimin e një ligji amnistie për të lejuar të gjithë ish-anëtarët e policisë të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës – dhe, në fund, të mos pyesin për fatin e më shumë se 1.500 personave që rezultojnë ende t zhdukur që nga lufta për pavarësi.

Çfarë mori ai në këmbim? Gjykatën Speciale dhe një burg kolektiv. Shtetasit e Kosovës janë tani populli i vetëm në Europën kontinentale që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në BE.

Ëndrra e shkurtër e një çmimi Nobel për paqen për Vuçiçin dhe Thaçin duket se ka marrë fund. Gjithsesi, do të kishte qenë një paradoks i madh, nga liderë lufte në liderë paqeje dhe një çmim paqeje. Kjo do të kishte qenë kundër të gjitha rregullave, që ata që krijuan problemin të ishin pjesë e zgjidhjes.  Të menduarit do të duhej të ishte mbrapsht.

Më e rëndësishme se kjo, BE-ja s’duhet të tregohet më kaq naive. Asnjë lider serb që ka dalë nga djepi i nacionalizmit mesjetar nuk do të jetë kurrë në gjendje të vrasë mitin që është ndërtuar dhe të bëhet spektri që përndjek Serbinë për dekada dhe shekuj.

Pavarësisht se sa fuqishëm Vuçiç mund ta paraqesë veten, ai është i pafuqishëm për të luftuar të keqen që edhe ai vetë e ka ndihmuar të ndërtohet. Ai tani nuk mund të shkatërrojë mure që janë çimentuar në mendjet e nacionalistëve serbë, të cilët jo vetëm që janë shumë gjallë, por rrinë ulur në parlamentin serb.

Lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli është një kujtim i gjallë i luftërave dhe spastrimit etnik që ndodhi në ish-Jugosllavi. Asnjë projekt nga BE-ja apo SHBA-ja për pajtim dhe falje nuk ka të njëjtën fuqi që ka Shesheli, për t’i kujtuar njerëzve në Ballkan se urrejtja dhe etno-nacionalizmi janë ende shumë të gjalla.

Ata që votuan për Sheshelin dhe njerëzit e tij janë mjaftueshëm për ta mbajtur gjallë telashin. Sigurisht që jo të gjithë serbët ishin pjesë e luftërave në vitet ’90. Problemi është se nevojitet vetëm 5 për qind e popullit që një konflikt të vazhdojë.

Nga ana tjetër, Thaçi s’ka qenë kurrë i sinqertë në lidhje me negociatat apo pajtimin. Ai mendonte thjesht se ai ishte mjeshtri pas çdo gjëje dhe se një ditë ai do të festohej si hero.

Por thellë-thellë,  ai përpiqej të krijonte hapësirë ​​për arratisjen e tij dhe të blinte sa më shumë kohë, të qëndronte relevant dhe i rëndësishëm – duke shpresuar se gjërat që ai kishte bërë do të harroheshin dhe se në një farë mënyre ai s’do të duhej të përgjigjej për to.

Kështu ka ndodhur deri më tani. E gjithë mbështetjen dhe keqardhjen që komuniteti ndërkombëtar  ndjeu për liderin e ndjerë të pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, deri më tani e ka korrur Thaçi. Përfundimi ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Edhe pse drejtori politik i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, ai kurrë nuk është akuzuar për krimet që dyshohet se kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Në vend të tij, krejt për habi, Ramush Haradinaj, tani kryeministër, dhe Fatmir Limaj, i cili ishte i dyti pas Thaçit në partinë e tij PDK, u dërguan na Gjykatën e Hagës.

Përshtypja është se s’është rastësi që pseudonimi i Thaçit është “gjarpri”. Por tani duket se ka ardhur koha që edhe kungulli i tij të fundoset.

Ballkani ka humbur mundësi të mëdha. Të gjitha palët e përfshira në procesin e dialogut ishin atje për përfitimin e tyre.

Të gjitha proceset e mira dhe liderët e rinj që dalin janë injoruar ose janë lënë mënjanë. Hapësira për shoqërinë civile është ngushtuar. Mediat dikur të krijuara me financimin e SHBA-së dhe BE-së për të luftuar kontrollin shtetëror dhe çmendurinë tani janë bërë pjesë të regjimeve ose kontrollohen plotësisht nga ata.

BE-ja nisi dialogun Beograd-Prishtinë kundër një sfondi dështimesh të shumta, në Izrael-Palestinë,  për shembull, ato që dukeshin si negociata të dështuara me Iranin, krimet e tmerrshme të kryera në Siri dhe me refugjatët që po i shndërronin oqeanet në varre.

Por fotografitë e liderëve serbë dhe kosovarë që shtrëngonin duart në Bruksel ishin masa e vetme e suksesit. Nuk u tregua aspak kujdes për zbatimin aktual të marrëveshjeve të nënshkruara, duke vazhduar kështu konfliktin.

Pa asnjë vizion zgjidhjesh afatgjata dhe të qëndrueshme, konflikti në të vërtetë thjesht është ngulitur në mendjet e brezave të rinj që do të vijnë.

Pyetja është – a mundet BE-ja ta përshpejtojë procesin e integrimit në mënyrë që vizioni dhe praktika e ekzistencës së BE-së të ketë sukses dhe t’i rezistojë tërmeteve të mundshme që mund të krijojë gjeopolitika në rajon?

Ka njerëz në të dyja palët që shpresojnë për këtë skenar, pasi gjithçka tjetër duket e zymtë dhe shumë e shtrenjtë.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish reflektojnë pikëpamjet e BIRN.