Refugjatët nga Afganistani të vendosur së fundmi në Shëngjin thotë se po mësohen me mjedisin e ri, ndërsa ende nuk janë shkëputur prej kujtimeve dhe asaj që lanë pas.
Mes pushuesve të shumtë në Shëngjin prej ditësh dallohen edhe shtetas Afganë, që u strehuan në këtë zonë turistike pas disa ditëve qëndrimi në Tiranë. Mjaft prej tyre lëvizin lirisht dhe kanë nisur të ambientohen me vendin. Disa dalin në shëtitoren e plazhit e rrugë të qytetit e të tjerë marrin rreze në breg të detit dhe qetësohen pas ditësh në ankth e në frikë për jetën.
“Unë kam dy ditë që kam ardhur këtu. Për fat të mirë nuk na kanë penguar të dalim nga ambientet e resortit. Dalim në plazh, shëtitje e në darkë argëtohemi këtu se bëjnë muzikë”, thotë Tore Korin, një prej refugjatëve të vendosur në Shëngjin.
Korin të cilin e takuam me fëmijën e mitur në krah në shëtitoren “Ëilson” në Shëngjin, thotë se ka nisur shumë shpejt të ambientohet në këtë zonë. “Njerëzit na kanë pritur shumë mirë dhe pavarësisht vështirësive në komunikim, po na mbajnë shumë afër. Të them të drejtën këtu po ndihemi si në shtëpinë tonë. Nuk e kisha menduar një mikpritje kaq të mirë”, shton Korin.
Sipas të dhënave zyrtare në Shëngjin deri tani janë strehuar 400, nga rreth 647 refugjatë Afgan të cilët janë vendosur në Shqipëri që prej fundjavës së kaluar. Në Shëngjin refugjatët janë strehuar në ambientet e Rafaelo Resort i cili ndodhet në vijën e parë të plazhit në qendër të Shëngjinit.
Shumica dërrmuese e refugjatëve janë gazetarë, ish-zyrtarë të qeverisë afgane dhe aktivistë e punonjës të organizatave jo qeveritare apo bashkëpunëtorë të NATO-s. Ata u larguan nga Afganistani pasi vendi ra nën kontrollin e talebanëve në mes të muajit gusht dhe do të qëndrojnë në Shqipëri deri në përfundim të dokumentacionit për tu strehuar në SHBA. Shqipëria në marrëveshje me qeverinë Amerikane është zotuar të presë deri në 4 mijë refugjatë, por numri i atyre që do të mbërrijnë është i paqartë pasi evakuimi nga Kabuli ndaloi në 30 gusht kur ushtria amerikane u tërhoq nga aeroporti.
Ndër të strehuarit në Shëngjin është edhe Baha, i cili thotë se ka punuar si profesor dhe së fundmi gazetar. “Çdo gjë është ndryshe. Duhet ta dini se vij nga një vend i cili ka pasur 4 dekada luftë dhe nga një vend i shkatërruar dhe erdha në një vend evropian”, thotë ai.
Ai thotë se tani që vendi është nën kontrollin taleban gratë nuk kanë të drejta të shkojnë në shkollë dhe as të punojnë apo të shkojnë për pazar pa qenë të shoqëruara nga një mashkull i rritur i familjes. “Gazetarët nuk mund ta bëjnë punën e tyre si duhet dhe e ndiej që ne jemi kthyer pas në shekullin e 11. Në dy dekadat e fundit në kemi pasur goxha zhvillim sepse atje kishte demokraci dhe të huajt ishin aty duke na ndihmuar ne. Por tani duhet të them se ne jemi kthyer pas”, thotë Baha.
Refugjatët thonë se në Shqipëri ndjehen të sigurt dhe se janë befasuar nga mikpritja në Shëngjin.
“Gjëra e cila më pëlqeu më shumë këtu është mirësia e njerëzve dhe sjellja e tyre tejet pozitive ndaj nesh, mund ta ndiej këtë në fjalë e tyre. Unë ndihem i sigurt dhe shumë mirë këtu. Jemi ambientuar dhe po argëtohemi sepse dalim çdo ditë. Shëngjini është një vend shumë i bukur, pasi është dhe zonë turistike dhe ka dhe plazh”, thotë Baha.
Ndërkohë shumica e refugjatëve thonë se nuk e dinë sa do jetë qëndrimi i tyre në Shqipëri, por janë të vendosur të zbatojnë të gjitha procedurat ligjore.
Pushuesit në Shëngjin po ashtu nuk janë të bezdisur prej refugjatëve dhe vlerësojnë vendimin e qeverisë shqiptare për strehimin e shtetasve Afgan. “Duhet t’iu gjendemi pranë në këto ditë të vështira që ata po kalojmë. Unë jam këtu në Shëngjin prej disa ditësh dhe kanë ardhur duke u argëtuar me ne çdo natë këtu sepse bëjmë muzikë. Kanë nisur të mësohen tani me vendin dhe ne duhet t’iu qëndrojmë afër”, thotë një pushues në Shëngjin.
Ndërkohë resorti ku janë vendosur shtetasit Afgan në Shëngjin po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga policia për të garantuar sigurinë e tyre, ndërsa aty qëndron në gatishmëri përgjatë 24 orëve dhe një personel mjekësor për t’ju ardhur në ndihmë për çdo problem që mund të kenë.