Policia ka arrestuar 2 të dyshuar dhe ka proceduar penalisht 3 të tjerë, të cilët akuzohen për zjarrëvënie të qëllimshme.
Hapja e një shtegu duke djegur shkure, me qëllim për të kaluar dhe mbledhur bimë medicinale, dyshohet se është bërë shkak për rënien e një zjarri në malin e Tomorit.
Zjarrëfikësit ndërhyn nga ajëri në përpjekje për të shuar zjarrin që ra në pyllin me pisha në Parkun Kombëtar të Tomorit.
Rreth 10 hektarë pishë, dyshohet të jetë djegur nga zjarri që u shfaq paraditen e të hënës në këtë zonë, ndërkohë që paraditen e së martës policia tha zyrtarisht se arrestoi dy persona dhe nisi hetimet për tre të tjerë, si përgjegjës për ngjarjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Poliçan, kanë qënë të parët që pas njoftimit të marrë për rënien e zjarrit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Më pas Policia Vendore e Qarkut të Beratit shtoi forcat me mjete dhe punonjës, por për shkak të terrenit të thyer, mungesës së rrugës, as mjetet e policisë dhe ato të zjarrfikëses nuk janë futur dot në zonë. Vetëm gjatë orëve të vona të pasdites së të hënës është bërë e mundur që zjarri të lokalizohet nga ajëri dhe të punohet për të zbuluar shkaqet.
“Nga hetimet në zonë janë identifikuar dhe janë vënë në pranga shtetasit B. M., 50 vjeç dhe E. T., 32 vjeç, si dhe janë proçeduar penalisht shtetasit B. C., 41 vjeç, F. M., 44 vjeç dhe P. Sh., 30 vjeç, të gjithë banues në fshatin Lybeshë të bashkisë Poliçan. Këta shtetas kanë ndezur zjarr gjatë kohës që kanë qenë duke mbledhur bimë medicinale dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur sipërfaqja e pyllit”, tha policia e Beratit në një njoftim për shtyp.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.