Lajm25 Nov 2019

Digjet makina e gjyqtarit të Shkodrës Andri Ymeri

Makina e një gjyqtari të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër u dogj nga persona të panjohur. Gjyqtari Andri Ymeri tha se nuk i nënshtrohet presionit.

Autor: Anila Dushi BIRN Tiranë
Printo

Policia dhe zjarrëfikësit pranë makinës së djegur në Shkodër. Foto:Anila Dushi.

Makina e një gjyqtari të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër u dogj nga persona të panjohur. Policia njoftoi se makina e gjyqtarit Andri Ymeri dhe një makinë tjetër pranë saj ishin djegur rreth mesnatës të së djelës.

I pyetur nga mediat Ymeri nuk e mohoi që ai mund të kishte qenë shenjestër. . “Gjyqtari duhet të jetë i përgatitur për çdo gjë. Nëse kam qenë unë objektivi, të harrojnë se më bëjnë presion”, tha ai për mediat paraditen e të hënës.

Në videot e siguruara nga policia e Shkodrës tregojnë se objekti i zjarrvënies është makina e gjyqtarit. Burime të policisë i thanë BIRN se në video ishin dy atorë të cilët spërkasin makinën me benzinë dhe largohen vetëm pasi sigurohen që ajo ka marrë flakë.

Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të ndodhur për të identifikuar autorët, por thonë se është e vështirë për t’i identifikuar për shkak të skafandrës që kanë në kokë dhe veshjes me rroba të zeza.

Mjeti tip Benz kishte disa ditë i parkuar afër kishës françeskane në Shkodër dhe dyshohet se autorët mund të kenë vëzhguar gjatë këtyre ditëve derisa kanë arritur ta djegin. Gjyqtari Andri Ymeri është denoncuar disa herë, por hetimet ndaj tij janë mbyllur pa marrë masa.

Ky nuk është sulmi i vetëm ndaj magjistratëve në vend. Disa javë më parë makina në të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit Arjan Ndoj, u godit me armë. Ndoji dhe një person me precedent penal i identifikuar si Landi Muharremi u plagosën, ndërsa shoferi i prokurorit Andi Maloku u plagos rëndë e vdiq në spital.