Lajm7 Jan 2021

Digjet makineria e firmës që po ndërton HEC-et në Zall Gjoçaj

Një kamion i kompanisë që po ndërton një hidrocentral në Zall Gjoccaj në Mat u dogj nga persona të paidentifikuar. Banorët kanë kundërshtuar me protesta ndërtimi e HEC.

Autor: Sami Curri BIRN Mat
Printo

Makina e djegur në Zall Gjoçaj. Foto:Sami Curri

Mbrëmjen e së mërkurës është djegur një kamion i firmës që po punon për ndërtimin e HEC-eve në Zall Gjoçaj të Matit. Kjo është hera e katërt, që digjen makineritë e kompanisë që po ndërton HEC-in, i cili është kundërshtuar ashpër prej banorëve të zonës.

Ngjarja u njoftua nga Policia e Shtetit. “Më datë 06.01.2021, në fshatin Melth, Njësia Administrative Derjan, është djegur pjesërisht automjeti kamion në pronësi të një firme që po kryen punime për ndërtimin e një HEC-i”, thuhej në njoftimin e policisë.

Leja për HEC u miratua në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por prej muajsh banorët e kundërshtojnë ngritjen e tij dhe kanë deklaruar se nëse nuk u dëgjohen ankimet do të përdorin forcë për të ndaluar punimet.

Dhimitër Koleci, banorë i fshatit Melth i tha BIRN se nuk kanë dijeni se kush e ka djegur kamionin, por tha se në terren ka një sërë dëmesh që i janë shkaktuar zonës nga ndërtuesit e HEC. “Por banorët e zonës janë nën pushtimin e mafies së HEC-eve. Aty janë dëmtuar varrezat e fshatit, është prishur mulliri disa vjeçar i fshatit. Është prishur kanali vaditës i tokave dhe dëmtuar rrjeti i ujit të pijshëm. Nga punimet që po bëhen është ndotur edhe uji nga makineritë e rënda që punojnë dhe kimikatet e vajrave që hidhen në ujë. Kur një zonë është e ‘pushtuar’ aty pritet çdo gjë”, u shpreh Koleci. Ai tha se kompania kishte shfrytëzuar pandeminë për të bërë punime e pa mbikqyrur.

Përfaqësues të kompanisë që po kryen punimet nuk qe e mundur të kontaktoheshin deri në publikimin e këtij shkrimi.

Zona Lurë – Dea ku shtrihet një pjesë e tubacionit, bën pjesë në listën e zonave të mbrojtura si monument natyre, së bashku me kanionet e Flimit dhe të Urakës si monumente gjeonatyrore. Por Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet një shkrese të datës 29 dhjetor 2020 drejtuar avokates së banorëve të Zall-Gjoçaj thotë se kishte vendosur pas një inspektimi me një grup ekspertësh që zona e Melthit në Zall-Gjoçaj parashikohej të lihej jashtë rrjetit të zonave të mbrojtura. “Nga ana e studimit është propozuar që kjo zonë të jetë jashtë rrjetit të zonave të mbrojtura”, thuhet në shkresën e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Për Kolecin, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është kthyer në shërbim të kompanisë që po ndërton HEC-in, pasi janë përballë një krimi, duke ndërtuar në një park kombëtar.

Banorët e Zall Gjoçaj kanë depozituar tre padi në gjykatë kundër ndërtimit të HEC-eve në këtë zonë, ndërsa paralajmërojnë që shumë shpejt do ngrenë padi edhe në SPAK. Në nëntor të vitit 2019-të, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, rrëzoi kërkesën e banorëve të Zall Gjoçaj për të pezulluar punimet deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes në themel.