Kuvendi i Shqipërisë i dha sot drejtim zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës duke shpallur raundin e dytë të kryer, pa votim dhe pa kandidat.
Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë e datës 20 prill nisi me pikë të parë në rend të ditës “votimi i dytë për president të republikës”, por mjaftuan pak sekonda për të konstatuar se nuk kishte kandidat dhe rrjedhimisht, nuk mund të kishte votim, pavarësisht se sipas kushtetutës, kjo do të thotë se “votimi është kryer”.
Deputetja Vasilika Hysi mbajti një fjalë të shkurtër duke deklaruar se për procedurë, komisioni i saj qe mbledhur në orën 13 të datës 20 prill për të konstatuar se “nuk qe paraqitur asnjë kandidat për president”. Sipas kushtetutës, kandidati për president duhet të paraqesë një listë me 20 firma deputetësh. Ndryshe nga zgjedhjet presidenciale të periudhës pas viteve ’90, kur palët politike herë pas here gjenin një kandidat formal jo fitues, kësaj here, dukshëm, palët politike nuk patën mundësi ose nuk u lodhën të gjejnë as edhe një kandidat fals.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e mbylli seancën menjëherë pas fjalës së shkurtër të deputetes Hysi duke bërë thirrje që “krerët e grupeve parlamentare” të mblidheshin për të përcaktuar raundin e tretë të zgjedhjes për president.
Shërbimit të shtypit të Kuvendit nuk iu desh që të priste zhvillimin formal të seancës formale të votimit pa votim, pasi e kishte publikuar njoftimin për shtyp të dështimit të seancës para se seanca të zhvillohej formalisht në orën 15.00. Raundi i parë i zgjedhjes së presidentit u dogj ditën e mërkurë.
Raundi i tretë pritet të zhvillohet të enjten e ardhshme. Ky është edhe raundi i fundit ku presidenti mund të zgjidhet me tre të pestat e votave të deputetëve. Në raundin e katërt dhe të pestë presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.