Një zjarr që vijon prej më shumë se 24 orësh në Malin e Shëngjinit rrezikon banesat dhe ka trembur pushuesit, ndërsa zjarrfikësit dhe ushtria përpiqen të përmbajnë flakët.
Për më shumë se 24 orësh plazhi i Shëngjinit dhe qyteti janë mbuluar nga re tymi prej një zjarri, i cili ka përfshirë Malin e Shëngjinit dhe i është afruar lagjeve të qytetit dhe varrezave të tij. Zjarri besohet se është shfaqur në Malin e Shëngjinit në afërsi të portit, ndërsa banorët pikasën flakët rreth orës 22:00 të mbrëmjes të së enjtes.
Ndërhyrja e autoriteteve lokale, ushtrisë dhe zjarrëfikësve nga rrethe të tjera ka penguar disi përparimin e tij, por flakët kanë vijuar gjatë gjithë ditës së premte dhe u janë afruar banesave, duke ngjallur panik te pushuesit një pjesë e të cilëve janë larguar. BIRN mësoi se zjarri vijoi të ishte aktiv edhe gjatë të premtes në mbrëmje, ndërsa zjarrëfikësit nuk arrinin të ndërhynin në zonën malore.
Autoritet lokale i thanë BIRN se deri tani flakët ishin mbajtur larg biznesve dhe shtëpive. “Jemi këtu prej gati 24 orësh është bërë maksimumi i mundshëm për ta mbajtur nën kontroll zjarrin. Gjatë ditës së sotme kemi patur forca të shtuara dhe shpresoj ta mbajmë nën kontroll situatën që zjarri të mos shkaktojë dëme në pronen e qytetarëve”, tha prefekti i Lezhes Gjokë Jaku.
Ndëkohë banorët thonë se janë të frikësuar. Një grua i tha BIRN se situata po përsëritej vit pas viti. “Kjo situata po përsëritet çdo vit dhe në ndjehemi mjaft të friksuar, pasi zjarri u është afruar banesave”, thotë një banore e Shëngjinit.
Banorët thonë se ky është viti katërt që bie zjarr në të njëjtën zonë dhe megjithëse ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, autoritete nuk kanë arritur të gjejnë autorët.
Për shuarjen e flakëve në Shëngjin fillimisht u angazhuan fillimisht zjarrfikësit lokalë të Lezhës dhe shërbimi pyjor, por ndërhyrja nuk pati shumë efekt dhe zjarri u përhap me shpejtësi përshkak të erës së fortë që kishte në zonë.
Duke parë situatën që po përkeqësohej paraditen e së premtes autoritet lokale kërkuan mbështetjen e forcave të ushtrisë dhe zjarrfikësve të të rretheve të tjera.
Ushtria dhe punonjësit e shërbimit pyjor po punojnë prej disa orësh me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve që në disa raste ju afruan bizneseve dhe banesave, ndërsa në rrezik janë dhe varrezat publike të Shëngjinit.
Ndërkohë në terren ndodhen 10 makina zjarrfikëse të ardhura nga Tirana, Kurbini, Mati dhe Mirdita. Ata janë vendosur pranë banesave dhe bizneseve, duke qëndruar në gadishmëri për t’i mbrojtur nga flakët që po i afrohen gjithnjë e më shumë zonës së banuar.
Ndërkohë zjarri i rënë në malin e Shëngjinit ka larguar shumë pushues nga kjo zonë turistike. Nga frika ata kanë ndëprerë pushimet dhe janë larguar për në banesat e tyre.
“Unë jam nga Kosova kam ardhur këtu në Shëngjin prej 5 ditesh dhe kisha llogaritur të qëndroj këtu 10 ditë. Por duke parë që zjarri po përparon drejt zonës së banuar nga frika vendosëm që të largohemi sëbashku me familjen”, thotë një pushuese nga Kosova.
Zjarri në Malin e Shëngjinit vijon me intensitet të lartë, ndërsa deri më tani janë djegur dhjetra hektarë pyllë me pisha dhe shkurre.