Opinion24 Jan 2019

Dilema amerikane: Po sikur Thaçi të paditet?

Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë kapital në presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me shpresën për të siguruar një marrëveshje paqeje Prishtinë-Beograd, por një aktakuzë e mundshme për krime lufte mund të dëmtojë strategjinë e Uashingtonit.

Autor: Dean B. Pineles Uashington
Printo

Foto: Ivan Angelovski.

Shtetet e Bashkuara e gjejnë veten në një pozitë të vështirë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi nga njëra anë dhe Gjykatën Speciale në Hagë nga ana tjetër.

SHBA-ja, një nga mbështetësit dhe mirëbërësit kryesorë të Kosovës, është një mbështetëse e zjarrtë e të dyjave, por mund ta ketë të vështirë të harmonizojë të dyja nismat. Ngjarjet e fundit theksojnë konfliktin e mundshëm.

Në nëntor 2018, presidenti Hashim Thaçi bëri një vizitë zyrtare në Uashington ku u takua me zyrtarë të lartë të administratës Trump, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton, si dhe anëtarë të Kongresit Amerikan. Ai madje udhëtoi për në Teksas për t’u takuar me ish-presidentin George W. Bush.

Më 30 nëntor, presidenti Thaçi mbajti një fjalim në të cilin unë mora pjesë në Këshillin Atlantik, një organizatë e respektuar në Uashington.

Si ish-gjyqtar ndërkombëtar me EULEX-in në Kosovë, i kam ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë dhe kam ligjëruar dhe shkruar gjerësisht për vendin dhe përvojat e mia atje, por kjo ishte mundësia ime e parë për ta parë personalisht presidentin e Kosovës dhe për ta dëgjuar atë të flasë.

Të gjithë sytë ishin tek ai ndërsa ai hyri në dhomë, i gjatë dhe me pamje presidenciale. Ai u ngjit në skenë përpara një audience të mbushur me zyrtarë qeveritarë amerikanë, ambasadorë të huaj, analistë politikë, personalitete, anëtarë të publikut dhe mediave dhe i prezantoi vërejtjet e tij me një anglishte të rrjedhshme.

Pika kryesore e tij, të cilën ai e prezantoi me vendosmëri, ishte se pavarësisht tmerreve të luftës me Serbinë, të cilat Kosova kurrë nuk do t’i harrojë, Kosova ishte e përgatitur të negocionte një marrëveshje përfundimtare dhe të përhershme zgjidhjeje me Serbinë dhe se koha për ta bërë këtë është tani. Ai u duartrokit për këtë.

Thaçi jo vetëm që bëri përshtypje te audienca, por qe bindës edhe për Pompeon, Boltonin dhe zyrtarët e tjerë me të cilët u takua në Uashington.

Në fakt, në mesin e dhjetorit, vetëm dy javë më vonë, presidenti Trump mori një pozicion jashtëzakonisht proaktiv duke i shkruar drejtpërdrejt Thaçit dhe homologut të tij serb Aleksandër Vuçiç, duke iu lutur atyre që të përfitonin nga kjo mundësi unike dhe duke sugjeruar se ata do të ftoheshin në Shtëpinë e Bardhë për të përgëzuar marrëveshjen e tyre, një nder i vërtetë.

Kështu duket se Thaçi është qartë njeriu i SHBA-së në Kosovë dhe ai që pritet të çojë përpara nismën e paqes.

Por SHBA-ja është gjithashtu një mbështetëse e fortë e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë e sapokrijuar në Hagë e cila i hapi dyert e saj në korrik 2017. Mandati i saj i vetëm është të kërkojë drejtësi duke ndjekur penalisht anëtarë të rangut të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të kryera gjatë luftës me Serbinë në vitet 1998-1999 dhe pak pas kësaj, siç pretendohet në raportin e raportuesit të Këshillit të Europës Dick Marty në vitin 2011.

Nuk mund të ketë absolutisht asnjë dyshim për rëndësinë e raportit të Martit. Në fakt, faqja e internetit e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar e bën këtë shumë të qartë: të dy institucionet “u themeluan për të zhvilluar gjyqe për akuzat që rrjedhin nga raporti i Këshillit të Europës i vitit 2011, që pohon shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare”. Me fjalë të tjera, arsyeja e vetme për ekzistencën e gjykatës është raporti i Dick Marty.

Le të kujtojmë se çfarë thoshte raporti i Dick Marty. Raporti theksoi sidomos Hashim Thaçin. Ai u pretendua se ishte “shefi” i grupit të Drenicës të UÇK-së, i cili përshkruhet si një sipërmarrje kriminale. Raportet konfidenciale të shqyrtuara nga Marty pohojnë se Thaçi dhe anëtarët e tjerë të Grupit të Drenicës ushtronin kontroll të dhunshëm mbi tregtinë e heroinës dhe lëndëve të tjera narkotike dhe ai ishte identifikuar si “bosi kriminal më i rrezikshëm i UÇK-së”.

Marty përmendi gjithashtu me emër anëtarë të tjerë të Grupit të Drenicës, të cilët tani janë të gjithë figura të rëndësishme në politikën dhe shoqërinë e Kosovës. Sipas Marty, Thaçi dhe këta individë të tjerë përmendeshin vazhdimisht si “lojtarë kyç“ në raportet e inteligjencës në strukturat mafioze të krimit të organizuar” të Kosovës.

Gjithashtu sipas Dick Marty, Thaçi dhe të tjerët ishin përgjegjës për urdhërimin, dhe në disa raste, mbikëqyrjen personale, vrasjet, arrestimet, rrahjet dhe marrjet në pyetje në lidhje me operacionet e UÇK-së nga viti 1998 deri në vitin 2000. Dhe për të mos u anashkaluar janë akuzat për marrje të organeve nga të burgosurit serbë dhe të tjerë për qëllime trafikimi, gjë që u dënua në mbarë botën.

Thaçi dhe të tjerët që u  akuzuan i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe në Kosovë ata shihen si heronj dhe çlirues, jo si kriminelë.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për gjykatën e re të Kosovës

Foto: Ivan Angelovski.

Pas miratimit të raportit të Dick Marty nga Këshilli Europian, një prokuror amerikan, Clint Williamson, u caktua në vitin 2011 nga BE-ja për të udhëhequr Task Forcën Speciale Investiguese si edhe për të kryer një hetim penal në shkallë të gjerë për akuzat e ngritura nga Marty.

Pasi Williamson prezantoi raportin e tij në mes të vitit 2014, në të cilin pretendonte se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur padi, një prokuror tjetër amerikan, David Schëendiman, u caktua në vitin 2015 për të vazhduar punën e Task Forcës.

Gjithashtu në vitin 2015, SHBA-ja së bashku me BE-në ushtruan një presion të ashpër ndaj Kuvendit të Kosovës për të miratuar legjislacionin që krijon Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar. Schwendiman u emërua më pas si kryeprokuror.

Në fund të vitit 2017, kur kishte një diskutim të gjallë mes politikanëve të Kosovës lidhur me mundësinë e shfuqizimit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja u treguan të papërkulshme në kritikat e tyre ndaj këtij propozimi, i cili shumë shpejt u tha dhe mbaroi.

Schwendiman u largua nga posti i tij në mars 2018, edhe pse pa ngritur ndonjë padi, dhe një tjetër prokuror amerikan, Jack Smith, u emërua për të vazhduar punën e Prokurorisë së Specializuar.

Është e drejtë të supozohet se secili nga këta prokurorë amerikanë u vlerësua me kujdes dhe u promovua fuqishëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Nuk është rastësi që të tre prokurorët e caktuar nga BE-ja kanë qenë amerikanë.

Pra, siç është qartë e dukshme, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lidhje me gjykatën.

Pavarësisht vonesave të paarsyeshme dhe të pashpjegueshme, më në fund duket se Prokuroria po i afrohet fazës së vendimmarrjes. Një sërë ish-anëtarësh të UÇK-së sapo janë ftuar në Hagë për t’u marrë në pyetje  dhe kjo mund të sugjerojë se kryeprokurori është në fazat përfundimtare të vendosjes nëse duhet të ngrejë padi apo jo dhe nëse po, kundër kujt.

Presidenti Thaçi ka qenë një kritik i ashpër i Gjykatës Speciale. Edhe pse e mbështeti krijimin e saj si një domosdoshmëri politike, ai është shprehur se gjykata është e njëanshme ndaj Kosovës, sepse ajo fokusohet sidomos mbi UÇK-në, ndërsa kriminelët serbë të luftës mbeten të sigurt në Serbi. Për këtë pikë ai ka të drejtë. Por së fundmi ai deklaroi se do të paraqitej vullnetarisht për t’u marrë në pyetje, nëse ftohej nga prokurorët e Hagës.

Këtu qëndron dilema për Shtetet e Bashkuara dhe po ashtu edhe për BE-në.

Po nëse Thaçi paditet? A mund ta mbajë ai presidencën e tij? A ka ndonjë tjetër me kredibilitetin e tij, jo vetëm në vend, por edhe ndërkombëtar, i cili mund ta çojë drejt një përfundimi dialogun me Serbinë?

A do të thirreshin zgjedhje të reja? A do ta tolerojë shoqëria civile në Kosovë ndjekjen penale të presidentit të saj, një hero lufte dhe lider, apo ajo do të dilte të protestonte në rrugë? A mund të humbet kjo mundësi historike?

Sidoqoftë, një aktakuzë do të ishte një turp për SHBA-në, e cila ka vendosur besimin e saj te presidenti Thaçi dhe e konsideroi atë personin më të mirë për të lehtësuar një marrëveshje paqeje me Serbinë.

Po sikur Thaçi të mos paditet? Derisa kjo është qartë alternativa më e mirë për dialogun, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, me siguri do të vinte në pikëpyetje serioze preambulën themelore të raportit të Marty-t, i cili vuri theksin më të madh në përfshirjen e dyshuar të Thaçit në sipërmarrje kriminale.

Pa një aktakuzë për Thaçin, do të dukej se një arsyet kryesore për themelimin e gjykatës tashmë nuk do të ekzistonte më, pavarësisht viteve të shumta për krijimin e saj, buxhetit të saj të ekzagjeruar dhe stafit të tepruar prej mbi 15 vetash që kanë pritur një vit e gjysmë që të ngriheshin aktakuza.

Sigurisht që mund të paditen personazhe me më pak rëndësi, por shumë prej tyre tashmë janë gjykuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ose nga EULEX-i në Kosovë. Disa u dënuan dhe u burgosën dhe të tjerë u shfajësuan, dhe në listë përfshiheshin disa ish-komandantë të UÇK-së të cilët janë ftuar që të merren në pyetje tani nga Prokuroria e Specializuar.

Një vendim për të mos paditur Thçain, edhe nëse kjo garantohet nga një mungesë provash, gjithashtu mund të konsiderohet si një zgjedhje politike e projektuar për të mbrojtur dialogun Kosovë-Serbi dhe stabilitetin rajonal dhe jo një vendim ligjor i bazuar në ligj dhe në fakte.

Kryeprokurori Jack Smith është në një pozitë të palakmueshme.

Pas fjalimeve të përgatitura nga presidenti Thaçi në Këshillin Atlantik në Uashington, ai priti pyetje nga publiku. Unë e ngrita dorën gjatë gjithë kohës, por moderatori nuk më zgjodhi për të bërë pyetje.

Ja çfarë do ta kisha pyetur: “Z. President, ju meritoni shumë merita për lidershipin tuaj dhe ju uroj sukses në arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Serbinë. Por ju mund të paditeni nga gjykata e re në Hagë. Si do të ndikonte një aktakuzë në dialogun dhe stabilitetin e qeverisë në Kosovë? Dhe nëse nuk paditeni, çfarë do të thotë kjo për vlefshmërinë e raportit të Dick Marty dhe për Gjykatën Speciale?”

Do të kishte qenë interesante të dëgjoja përgjigjen e tij. Do të jetë gjithashtu interesante të shohim se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara para kësaj dileme që sa vjen e rritet akoma më shpejt.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.