Plani i paqes i propozuar nga Shtetet e Bashkuara është lavdëruar dhe kritikuar në përputhje me bindjet politike. Por pavarësisht se çfarë plani ofrohet, palestinezët duhet të ndryshojnë strategjinë e tyre. Në të kundër, modeli i dekadave të fundit, në të cilat çdo ofertë e re është më e keqe sesa ajo e mëparshmja, do të përsëritet.
Kam qenë i përfshirë, në një mënyrë apo tjetrën, në procesin paqësor të Lindjes së Mesme për 12 vjet. Rrallëherë shkruaj për këtë, sepse ndonjë gjë e thënë në publik zakonisht ofendon dikë. Por publikimi i planit të shumëpritur amerikan për paqen është një rast për t’u shfrytëzuar.
Unë jam nga ata pak njerëz që ende besojnë se krijimi i një shteti palestinez është sa i dëshirueshëm, po aq edhe i mundshëm. Shumica e komentuesve tani e presin këtë ide me nënqeshje. Shumica e izraelitëve dhe palestinezëve kanë hequr dorë prej kësaj.
Unë nuk kam hequr dorë, sepse besoj se arsyeja në fund të fundit është ajo që mbizotëron gjithmonë. Izraelitët nuk duhet të dëshirojnë t’i qeverisin palestinezët deri në përjetësi. Palestinezët kanë nevojë të çlirohen nga okupimi dhe të kenë dinjitetin e një shtetësie. Dhe një shtet me dy kombe është një zgjidhje që në fakt nuk zgjidh gjë. Që një gjë e tillë të arrihet, do të nevojitej pajtimi i Izraelit, i cili kurrë nuk do të jetë i gatshëm për këtë. Prandaj, një shtet i pavarur dhe sovran palestinez mbetet mënyra e vetme e arsyeshme për zgjidhjen e konfliktit.
Më vijnë në mendje më shumë se njëqind gjëra që Izraeli do të duhet t’i bënte për ta bërë shtetin palestinez më të mundshëm. Por e vërteta është se një shtet i tillë do të bëhet vetëm në rast se bëhet një ndryshim themelor në strategjinë palestineze.
Për shumë njerëz në komunitetin ndërkombëtar, edhe shpalosja e çështjes nën terma të tillë është ofendim dhe padrejtësi për palestinezët. Ata kanë një keqardhje të madhe për kauzën palestineze, duke aluduar në pabarazinë e skajshme të pasurisë midis izraelitëve dhe palestinezëve, kushtet e tmerrshme të jetesës në Gazë, kufizimet në jetën e përditshme të palestinezëve të Bregut Perëndimor dhe qeverisjen e Jerusalemit.
Por palestinezëve nuk u duhet një strategji për keqardhje. U duhet një strategji për shtetësi dhe shtegu i tyre aktual nuk do t’i çojë drejt kësaj. Mbështetësit e tyre më të mëdhenj ndërkombëtarë e kanë penguar gjithashtu krijimin e një strategjie, sepse ata e inkurajojnë lidershipin palestinez të përqendrohet vetëm në drejtësinë historike të kauzës sesa në realitetin e ambientit politik, në të cilin drejtësia duhet të vihet në vend. Rezolutat, gjestet e mbështetjes dhe shprehjet retorike të solidaritetit që kanë vërshuar mbi palestinezët janë monedha më e lirë e diplomacisë ndërkombëtare. Në botën reale, me to nuk mund të blihet pothuajse asgjë.
Arritja e një objektivi politik kërkon fillimin e një analize me gjakftohtësi të realitetit të situatës suaj. Që të arrihet bashkëjetesa në paqe krahë përkrahë e dy shteteve, në rrethana kur një shtet tashmë ekziston dhe është shumë më i fuqishëm sesa shteti i propozuar, kjo nënkupton se i pari duhet të ndihet i sigurt për krijimin e të dytit, ashtu siç i dyti duhet të ketë të gjithë mbështetjen diplomatike dhe politike. Nevoja për siguri është akoma më e rëndësishme kur të dy shtetet do të bashkëjetojnë në një hapësirë të vogël territoriale, ku popujt nuk mund të ndahen aq lehtë.
Tani analizoni zgjidhjen palestineze. Lëreni mënjanë faktin se kush është kryeministër i Izraelit dhe supozoni se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë presidentin më pro-palestinez që kanë pasur ndonjëherë. Supozoni madje se komuniteti ndërkombëtar është ende i gozhduar në procesin paqësor dhe se Lindja e Mesme është e qetë. Edhe në një mjedis të tillë ideal, si mund të kenë sukses negociatat, duke pasur parasysh rrëmujën aktuale në skenën politike palestineze?
Një shtet palestinez do të përbëhej prej Gazës dhe Bregut Perëndimor. E para është nën kontrollin e Hamasit, një organizatë kjo që formalisht është ende e angazhua ta shkatërrojë Izraelin. Dhe i dyti kontrollohet prej Fatahut, që edhe vetë është thellësisht i ndarë. Hamasi dhe Fatahu e kundërshtojnë ashpër njëri-tjetrin; bisedimet e tyre të pajtimit janë si një monument josinqeriteti i dyanshëm. Dhe për më tepër, nuk ka pasur zgjedhje demokratike prej 14 vjetësh, gjë kjo që nuk lë ndonjë hapësirë për një matje të besueshme të autoritetit popullor të qeverisë në Ramallah.
Është pak e besueshme që një skenë politike kaq e fragmentuar mund të prodhojë një marrëveshje të besueshme për një shtet. Madje, do të jetë e vështirë që ndonjë kryeministër izraelit ta pranonte një të tillë dhe që një president amerikan të të nxiste vënien në zbatim të saj. Uniteti politik palestinez i ndërtuar mbi bazën e bashkëjetesës paqësore me Izraelin nuk është një çështje interesante anësore. Është një parakusht për suksesin.
Lidershipi palestinez e kundërshton fuqishëm planin e fundit amerikan, i cili faktikisht ia transferon Izraelin sovranitetin mbi Luginën Jordan dhe përjashton pjesë të rëndësishme të Jerusalemit Lindor nga shteti i ardhshëm palestinez. Gjatë ditëve të fundit, Jared Kushner, këshilltari i lartë i presidentit amerikan, Donald Trump, ka thënë se plani, autor i të cilit është ai vetë, është i hapur për negociata. Por, deri më tani, palestinezët kanë refuzuar ta diskutojnë planin apo të pranojnë ndonjë telefonatë nga Trump.
Kjo nuk mund të funskionojë. Angazhohuni! Thoni pse plani është i pa pranueshm. Nxirrni në pah gjërat që duhet të ndryshojnë. Kërkoni takime! Argumentoni! Hyni në detaje!
Ka tri grupe njerëzish që praktikisht mund të ndihmojnë në jetësimin e shtetësisë: izraelitët, amerikanët dhe arabët. Si mundet denoncimi i të parëve, armiqësimi i të dytëve dhe zemërimi i të tretëve të jetë strategji e suksesshme?
Palestinezët natyrisht përgjigjen se dy të parët janë të njëanshëm, ndërsa të tretët indiferentë. Por palestinezët nuk e kanë luksin t’i lejojnë vetes një karrige bosh.
Gjithsesi, arabët nuk janë indiferentë. Ata interesohen për palestinezët dhe shqetësohen përzemërsisht për Jerusalemin. Ama, ata janë të lodhur duke u gjendur në mes të sfidave të stabilizimit rajonal dhe modernizimit, të cilat e bëjnë të nevojshme një aleancë të afërt me Amerikën dhe një marrëdhënie lulëzuese me Izraelin, si dhe kauzën të cilën ata pritet që të mbështesin, por që janë të përjashtuar nga menaxhimi i saj.
Në vend që të këmbëngulin se arabët nuk kanë të bëjnë me Izraelin derisa palestinezët të kenë negociuar paqen, qasja e zgjuar do të ishte inkurajimi i marrëdhënieve të mira izraelito-arabe, përfshirja e arabëve në negociata dhe pastaj përdorimi i tyre për të ndihmuar në nxitjen e izraelitëve drejt pozitave më të mira. Synimi duhet të jetë një kornizë e përbashkët arabo-izraelite për rajonin, në të cilën do të përfshihej edhe zgjidhja e çështjes palestineze. Kjo gjë do ta bindte Izraelin se paqja me palestinezët është pjesë e pranimit rajonal – jo shpërblim për lëshimet e bëra, por pasojë e natyrshme e një fryme të re për miqësi.
Plani amerikan është lavdëruar dhe dënuar në varësi të prirjeve politike. Por është hera e vetme që një administratë amerikane ka krijuar një hartë, e cila i vë në tryezë çështje që janë lustruar për një kohë shumë të gjatë. Tani, plani paraqet atë që skena politike izraelite mund të përballojë, edhe pse politikat palestineze nuk mund ta përballojnë.
Po pavarësisht se cili plan është hedhur në letër, palestinezët duhet të ndryshojnë strategjinë e tyre. Në të kundërt, modeli i dekadave të fundit, gjatë të cilave çdo ofertë e re është më e keqe sesa ajo e mëparshmja, do të përsëritet. Palestinezët do ta bëjnë të ardhmen ndryshe veyëm me duart e tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Palestinian Dilemma