Analize22 Mar 2016

Dizinflacion, shpjegimi i ri për situatën aktuale ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko përdori termin ‘dizinflacion’ për të përshkruar situatën ekonomike aktuale, ku inflacioni është pranë zeros ndërsa rritja ekonomike raportohet e lartë. Situata është komplekse dhe e vështirë për t’u lexuar, por vetë termi i ri nuk është shumë shpresëdhënës.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Është thënë gjithmonë se kur një ekonomi i ka normat e interesit të ulëta, ajo i ngjan si një avioni që fluturon pranë nivelit të tokës. Hapësira për të manovruar është shumë e vogël dhe rreziku i katastrofës është i madh.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sekjo përdori një term jo shumë të njohur në bankingun qendror shqiptar për të përshkruar situatën aktuale: “Inflacioni vazhdon të mbetet në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit tonë. Kjo ecuri ka pasqyruar kapacitetet ende të pashfrytëzuara të prodhimit në ekonominë shqiptare, por edhe tendencat dizinflacioniste të ardhura nga shkëmbimet tregtare me jashtë”, tha ai.

Dizinflacioni rezulton se është përmendur shumë pak raste në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë. Një kërkim tregon se as në fjalorin e BSH, ky term nuk është shpjeguar. Në raste të tjera është përmendur vetëm kalimthi.

Dizinflacioni është për nga përkufizimi, një paradhomë e deflacionit dhe recesionit. Si përkufizim, një vend gjendet në dizinflacion kur rritja e çmimeve është sërish pozitive, por më e ulët se sa në periudhën paraardhëse. Dhe thelbi këtu është që dizinflacioni nënkupton një problem ekonomik dhe jo thjeshtë ngadalësimin e inflacionit. Shumica e ekonomistëve argumentojnë se dizinflacioni e redukton prodhimin, rrit papunësinë dhe, nëse vijon gjatë, mund të kthehet në deflacion dhe recesion. Dizinflacioni konsiderohet gjithashtu si një politikë e kundërt me reflacionin. D.mth, dizinflacioni nënkupton veprimin e autoritetit monetar dhe të qeverisë për të ulur kostot në ekonomi përmes “ngrirjes” së pagave me synimin e rritjes së produktivitetit të punës dhe përmirësimit tëkonkurrueshmërisë së saj. Reflacioniështë e kundërta, kur qeveria apo banka qendrore ndërhyn qëllimisht për të rritur çmimet, mjet që shërben për të ulur barrën e borxheve në ekonomi.

Vetëm se, për shkak se ekonomia shqiptare është e vogël dhe e hapur, me shumë faktorë ndërkombëtarë shumë të luhatshëm, situata aktuale është e vështirë për t’u lexuar. Ato terma që në literaturën ndërkombëtare janë lehtësisht të kuptueshëm, në kushtet e një ekonomie të vogël dhe të varfër humbasin forcën shpjeguese.

Kontradikta e parë qëndron në faktin se ekonomia shqiptare, vlerësohet se është rritur me 2.7 për qind vitin e kaluar dhe pritet të rritet me 3.4 për qind këtë vit. Dhe kur ekonomia rritet me këtë ritëm, kjo rritje është e vështirë të ndodhë pa inflacion. Është katërcipërisht e vërtetuar që kur një ekonomi rritet, inflacioni rritet gjithashtu. Shifrat aktualisht flasin për një përshpejtim të rritjes ekonomike që nga viti 2013, (megjithëse ky përshpejtim është më i  ngadaltë nga sa shpresohej), por në anën tjetër kemi një ngadalësim të ritmit të rritjes së inflacionit total dhe inflacionit bazë.

Kjo kontradiktë shpjegohet me faktin se Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe e hapur, me faktorë të jashtëm me ndikim të lartë, si sa i përket inflacionit, ashtu edhe sa i përket rritjes ekonomike.

Te inflacioni shumë i ulët dhe me tendencë rënëse, Banka e Shqipërisë argumenton se faktorët lidhen me inflacionin e importuar, konkretisht me rënien e shpejtë të çmimeve të lëndëve të para në bursë, më së shumti naftë, të cilat, përkthehen në një inflacion më të ulët në Shqipëri.

Por problemi duhet të shihet edhe në krahun tjetër. Te fakti se ajo rritje e paktë ekonomike e viteve të fundit nuk është rritje ekonomike e të gjithë Shqipërisë. Ajo është shkaktuar në një masë të gjerë nga disa projekte të mëdha investuese, konkretisht hidrocentralet e Ashtës dhe të Devollit si dhe shpimi i puseve të naftës në Malin e Shpiragut. Që të gjitha janë projekte me vlerë nominale prej disa qindramiliona eurosh, por ato nuk shprehin realitetin ekonomik të përgjithshëm të vendit pavarësisht se në dukje prodhojnë një shifër të caktuar të rritjes së PBB-së.

Shkurt, rritja ekonomike është po aq e gënjeshtërt sa edhe niveli i inflacionit. Kjo rritje e tillë ekonomike nuk mund të sjellë presion për rritjen e çmimeve për shkak se prek një pjesë shumë të vockël të ekonomisë shqiptare me një numër shumë të vogël përfituesish. Rrjedhimisht, ajo që duket si kontradiktë mes përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe ngadalësimit të rritjes sëccmimeve, nuk është e tillë.

Për momentin, problemi është në dy drejtime: ne nuk mund të dallojmë nga inflacioni i ulët atë pjesë të inflacionit që është shkaktuar nga mungesa e dëshirës së kompanive për të prodhuar dhe për shkak të besimit se aktualisht nuk ka blerës të gatshëm për atë që prodhohet. Nga ana tjetër, nuk jemi në gjendje të dallojmë se sa pjesë e asaj rritjeje ekonomike është shkaktuar nga faktorë të njëkohshëm si ndërtimi i Devollit apo nga një pus nafte që nuk prodhoi naftë, nga ajo pjesë e rritjes ekonomike që duhet të shprehë gjendjen e përgjithshme të vendit.

Për shkak se flasim për shifra të ulëta, d.m.th, avioni i ekonomisë shqiptare është pranë nivelit të tokës, ka pak rëndësi të thuhet nëse jemi nëdizinflacion nga ai që do të kthehet në inflacion apo do të kthehet në deflacion dhe recesion.

Pyetja është me rëndësi vendimtare pasi aludohet se qeveria shqiptare i ka bërë detyrat e shtëpisë të përcaktuara nga FMN-ja, (gjithsesi me probleme të rënda rrugës), nën premtimin e rigjallërimit të rritjes ekonomike. Por në rast se dizinflacioni kthehet në deflacion dhe recesion, qeveria dhe FMN-ja në rolin e konsulentit do të rezultojnë të dështuar.

Frika më e madhe aktualisht në mjediset e biznesit lidhet me vetëm një faktor të jashtëm. Numrin e madh të shqiptarëve që janë zhgënjyer nga vendi dhe po kërkojnë të arratisen gjetkë. Ndërsa për median, ky është një eksod nga zhgënjimi, për biznesin, largimet janë njëkohësisht, krahë pune të munguar dhe konsumatorë aktivë të munguar. Gjatë vitit të kaluar, mbi 65 mijë shqiptarë kërkuan azil politik në vendet e Bashkimit Europian. Një pjesë e tyre aludohet se janë kthyer. Gjithsesi, kjo është një shifër e barabartë me 2 për qind të popullsisë totale. Kur dy për qind e popullsisë ikën, është e logjishme të mendohet se këto janë 2 për qind e forcës më të aftë për punë dhe 2 për qind e konsumatorëve. Kjo mund të ndihmojë të shpjegojë edhe kontradiktën tjetër. Në gjysmën e parë të vitit 2015, rritja ekonomike raportohej në përshpejtim ndërsa konsumi, raportohej në rënie. Ndërsa betoni në hidrocentralin e Devollit vijonte të hidhej, konsumatorët gjendeshin në Gjermani.

Në rast se ky emigrim vijon, përmes kanalit të azilit apo përmes kanaleve të tjera, është e kuptueshme që prodhimi dhe konsumi do të jenë në nivele të ulëta dhe inflacioni, dizinflacioni apo deflacioni nuk do të kenë kurrfarë kuptimi si terma, për shkak se emigrimi nuk është thjeshtë një fenomen ekonomik. Ai është një fenomen social.