Lajm22 Nov 2021

“Djalli fshihet në detaje’; marrëveshja e ripranimit të emigrantëve krijon debate në Kuvend

Deputetët e opozitës ngritën pikëpyetje për pranimin e shtetasve të palëve të treta, që sipas tyre krijon mundësinë që Shqipëria mund të përdoret si vend depozitimi i emigrantëve nga vendet e tjera.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Mbledhja e Komisionit të Sigurisë

Komisioni për Sigurinë Kombëtare diskutoi të hënën projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”.

Kjo marrëveshje parashikon ripranimin e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në këto shtete dhe ripranimin e shtetasve që vijnë nga vende të tjera, por që kanë kaluar nëpër Shqipëri si dhe përdorimin e vendit tonë si vend tranzit për rikthimin e shtetasve të huaj në vendet e tyre të origjinës.

Pjesa e marrëveshjes që ka të bëjë me pranimin e shtetasve nga palët e treta ka krijuar debat në komision.

Sipas deputetëve të opozitës po krijohet mundësia për të kthyer Shqipërinë në një vend depozitë për emigrantët e paligjshëm. Ata iu referuan mediave britanike që këto kohë kanë shkruar për mundësinë e ngritjes së një kampi pranimi të emigrantëve që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin britanik.

Zv. ministri i Brendshëm, Andi Mahila, e mohoi një gjë të tillë duke i cilësuar të pavërteta këto lajme.  Ndërkohë ai pranoi se marrëveshja parashikon rikthimin në vendin tonë të shtetasve të vendeve të treta për të cilët vërtetohet se kanë kaluar nëpër Shqipëri para se të mbërrinin në territorin britanik. Gjithashtu ai tha se vendi ynë mund të përdoret si tranzit për kthimin në vendet e origjinës të emigrantëve të paligjshëm nga vendet e treta.

“Kjo marrëveshje ka si objekt shtetasit shqiptarë dhe shtetasit e vende të treta dhe pastaj ka elementet e tranzitit. Që të rikthehet një shtetas i vendeve të treta bëhet verifikimi, mbi bazën e kësaj marrëveshje ose është nisur nga Shqipëria, ose ka pasur leje qëndrimi në Shqipëri, ose ka pasur elemente të tjerë që vërtetojnë që ka pasur lidhje që ka vajtur atje nga Shqipëria.  Këto janë raste që merren në shqyrtim dhe vetëm kur janë kushtet mundet të kthehet në Shqipëri”- tha ai.

Ai citoi disa herë nenet përkatëse të marrëveshjes ku flitet për prezumimin e hyrjes dhe qëndrimit duke shtuar se do të verifikohet çdo e dhënë për verifikimin e lidhjes së një shtetasi të një vendi të tretë me Shqipërinë. “Edhe një paketë cigare e blerë në Shqipëri”- tha ai mund të merret si provë.

Ndërsa për rolin e vendit tranzit, Mahila sqaroi se “mund të ndodhë kur një shtetas i vendeve të treta që kapet në Britani dhe kërkon të kthehet në vendin e origjinës, Shqipëria merr përsipër të krijojë facilitetin vetëm për pjesën e tranzitit, pa marrë përsipër që t’i mbajë këtu dhe vajtjen deri në destinacion ose garancinë që këto shtetas do të shkojnë në vendin e origjinës e merr përsipër pala që e ka inicuar operacionin”. “Operacioni nuk mund të nisë nëse vendi i origjinës nuk e ka pranuar me shkrim rikthimin e tyre”- theksoi ai.

Për deputetin Enkelejd Alibeaj pikërisht këto nene lënë mundësinë që të përdoret marrëveshja për të sjellë në Shqipëri në mënyrë masive emigrantë të vendeve të treta.  Ai shtroi disa pyetje për përfaqësuesin e qeverisë lidhur me rolin e vendit tranzit në këtë proces nga Shqipëria.

“Pse do të duhej të tranzitoheshin këtu? Koha e qëndrimit është e pacaktuar dhe pse duhet të ofrohemi ne si vend pritës?”- tha Alibeaj.  “Nuk besoj se arsyet janë humanitare”,  -shtoi ai, duke hedhur dyshime se pas kësaj marrëveshje “fshihet ndonjë biznes fitimprurës”, pasi për çdo emigrant të kthyer paguan kostot qeveria britanike.

Alibeaj kërkoi nga qeveria që të vihen në dizpozicion të Kuvendit i gjithë dokumentacioni i negociatave mes dy qeverive për marrëveshjen për të kuptuar se çfarë ka kërkuar pala britanike si inicuese e saj.

Ndërsa deputeti Ferdinand Xhjaferraj tha se “djalli fshihet në detaje”. “Këto nene e vendosin marrëveshjen në një bazament të lëkundshëm ligjor” tha ai.

Zv/ministri këmbënguli se marrëveshja është e njëjtë me atë ekzistuesen të firmosur në vitin 2003 dhe ka vetëm përditësime që “lindën si nevojë e fenomeneve emigratore të viteve të fundit”. Po ashtu ai tha se ajo është e njëjtë me marrëveshjen kuadër që Shqipëria ka me vendet e BE-së.

Marrëveshja ishte parashikuar të diskutohej të hënën edhe në komisionin e Ligjeve, por kryetarja Klotilda Bushka e nxori nga rendi i ditës duke kërkuar dokumente shtesë nga Këshilli i Ministrave.

Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla,  i tha BIRN-it se i ka kërkuar deputetëve të mazhorancës që të mos nxitohen me miratimin e saj pa u sqaruar opinioni publik se çfarë parashikon kjo marrëveshje.

“Do të diskutohet gjatë dhe me detaje në komisione që të sqarohen edhe akuzat në drejtim të marrëveshjes,” theksoi Balla.

Vitet e fundit Shqipëria është kthyer në një vend tranzit të emigrantëve që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme për në vendet e Bashkimit Europian. Zv/ministri Mahila pranoi se shumica e tyre hyjnë nga kufiri i gjelbër me Greqinë në mënyrë të paligjshme dhe në rastin e rikthimit Shqipëria do të përdorë marrëveshjet kuadër me BE-në për t’i rikthyer pas.

Ai solli statistika të viteve të fundit për ripranimin e shtetasve shqiptarë, ndërsa shtoi se për shtetasit e vendeve të treta numri është zero deri tani. Nga vitit 2017 deri në vitin 2021, janë riatdhesuar më shumë se 2300 shqiptarë të dëbuar nga vendet e BE-së janë rikthyer në vend nëpërmjet marrëveshjes së ripranimit me Brukselin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *