Dhjetëra punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe Qytetit Studenti janë vënë në lëvizje për të pritur refugjatët e parë që do të mbërrijnë në Shqipëri nga Afganistani, ndërsa banorët dhe studentët janë të dyzuar mes mikpritjes dhe pasigurive.
Një kamionçinë me kabinë portokalli dhe me 4-5 gra rreth të 50-ave në karroceri ndaloi në rrugën kryesore të Qytetit Studenti nën diellin përvëlues mesditën e së martës.
Shoferi nxorri kokën me përtesë në dritare dhe pyeti me zë të lartë kalimtarët se ku ndodheshin godinat 7-8. Si iu bë e qartë se duhej të zbriste edhe një 100 metra, burri u dha sërish në makinës dhe ndaloi përballë godinave të kërkuara.
Gratë zunë të zbresin prej karrocerisë, ndërsa veshën jelekët fosforeshentë me logo të bashkisë së Tiranës dhe u urdhëruan që t’i përvisheshin pastrimit të godinave dhe rrethinave të tyre.
Ky ishte i disati përforcim i punonjësve të Bashkisë të martën, që bashkë me punonjësit e “Rezidencës Studentore Universitare Nr.1”, makinat e shtuara të policisë dhe lëvizjet e pazakonta të studentëve paralajmëronin një kthim të mundshëm të Qytetit Studenti në strehë për refugjatët politikë nga Afganistani.
Që godinat do të shërbejnë për një periudhë disa javore për refugjatët afganë është zyrtarisht ende një sekret, por i ruajtur keq.
Disa studentë që po shpërnguleshin nga disa godina në disa të tjera i thanë BIRN se kishin marrë telefonata në mesnatë nga administratorët për të lëvizuar sendet personale pasi “do vinin afganët”.
Një drejtues i një prej degëve të punimeve në Qytetin Studenti, që kërkoi të mos përmendej me emër tha se të paktën 6 godina po bëheshin gati dhe se punëtorët që ai kishte në varësi, kishin filluar punë gjatë natës së të hënës.
Në Qytetin Studenti u shfaq të martën edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet në dy prej godinave të saporikonstruktuara.
I pyetur nga BIRN nëse bëhej fjalë për strehimin e refugjatëve afganë, Veliaj tha se ndodhej aty për diçka tjetër. Pak minuta më vonë në një dalje live në “Neës 24”, Veliaj pohoi se ishin “liruar 5-6 godina të tjera për çfarëdo lloj eventualiteti, për çfarëdo lloj gatishmërie dhe nevoje”.
Ndërsa mbërritja në Shqipëri e grupit të parë të afganëve është çështje orësh, një zyrtare e Ministrisë së Jashtme konfirmoi planin për vendosjen e tyre në Qytetin Studenti.
“Strukturat konviktore në Tiranë dhe Durrës janë bërë gati për të pritur qytetarët afganë, të cilët pas dy-tre javësh do të akomodohen në një hapësirë të posaçme në pritje të përfundimit të procedurave për trasferimin e tyre në destinacionin final,” tha zyrtarja në kushtet e anonimatit.
Ajo shtoi se të ardhurit e parë priteshin brenda 48 orëve, por se detajet e operacionit ishin në dorë të aleatëve (SHBA) dhe se zyrtarisht ata nuk mund të thonin më shumë.
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, pas një takimi me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka për koordinimin e veprimeve la të kuptohej se ishte ende e paqartë se sa qytetarë afganë do të mbërrinin në Shqipëri.
“Situata ndryshon me shumë shpejtësi, detajet nuk janë vendosur ende, por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkërendojnë nga afër me qeverinë shqiptare. Më lejoni ta mbyll duke shprehur edhe njëherë mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për atë ç’ka vendosët të bëni,” tha ambasadorja.
Edhe pse i mbushur plot me punonjës dhe studentë që nxitojnë të pastrojnë apo të transferohen, pak duan të flasin rreth strehimit të afganëve në Qytetin Studenti.
Shumica e administruesve apo punonjësve në Qytetin Studenti i thanë BIRN se nuk kanë autorizim dhe nuk e dinë çfarë po ndodh.
Një prej administratoreve pohoi se godina ku ajo punonte po përgatitej për refugjatë, por kërkoi të ruhej anonimati. “Na heq bukën e fëmijëve”, tha ajo. Një pastruese tha se kishte ardhur natën dhe se nuk e dinte kur do të largohej. Të tjerë refuzuan të flisnin ose i thanë BIRN se lajmi nuk ishte i vërtetë.
Ndërkohë, banorët e përhershëm të Qytetit Studenti kanë ndjeja të dyzuara mbi atë që po ndodh dhe njëfarë paqartësie mbi kohën dhe mënyrën se si do të menaxhohet situata.
Një student i frëngjishtes që e takuam ndërsa nxitonte mes rrugicave me valixhe në duar, tha se kishte lënë në mes pushimet në Sarandë për të marrë sendet personale në një prej dhomave në godinën 4. Ai u transferua pak metra më tutje në godinën nr. 6.
Ai tha se e kishin telefonuar natën dhe se kishte udhëtuar brenda ditës. “Është e bezdisshme,” tha ai duke iu referuar kërkesës së menjëhershme për të lëvizur, por shtoi se nuk shihte arsye për të mos i ndihmuar refugjatët.
“Është e dhimbshme (situata e tyre). Kanë ikur për shkak të luftës. Ne (Shqipëria) do i ndihmojmë modestisht,” tha ai. Studenti shtoi se situata ishte megjithatë e paqartë. “Është një kulturë e ndryshme, nuk e dimë si do sillemi apo sillen”, shtoi ai.
Alma Zekaj punon në një fast-food ngjitur me godinën 2, njëra prej 5-6 godinave të planifikuara për refugjatët afganë. Ajo i krahasoi ata me refugjatët shqiptarë të viteve ’90, ndërsa shtoi se kishte jetuar për vite si emigrante në Greqi.
“Kështu dukeshim edhe ne për grekun dhe italianin,” tha ajo, duke pasur në mendje pamjet e mijëra afganëve që tentuan të hipin në një aeroplan ushtarak që u ngrit nga aeroporti i Kabulit.
Ajo thotë se i shoqi kishte emigruar malit për në Greqi në fillim të viteve ‘90, ajo vetë u detyrua të linte fëmijët për dy vjet tek të afërm, deri sa familja u bashkua në Greqi.
Zekaj megjithatë ka shqetësime. “Jam pro për t’i ndihmuar. T’i ndihmojmë siç na ka ndihmuar edhe ne bota, por të jenë të rregullt, të respektojnë vendin ku kanë ardhur,” tha ajo.
Banorë të tjerë në Qytetin Studenti nuk e fshehën se kishin paragjykime.
Një grua që punon në një sallon të vogël estetike i tha BIRN se ishte e shqetësuar për biznesin. “Ne presim studentët dhe na vijnë këta,” tha ajo, duke u trembur se pas një viti zbrazëtie të Qytetit Studenti për shkak të pandemisë, puna sërish nuk do i ecte.
Klodiani, një djalë rreth të 30-ave që kishte përfunduar me kohë studimet, por që vazhdonte të banonte me qira në Qytetin Studenti bëri paralelizma me refugjatët nga Kosova dhe shtoi se ishte mirë që vendi të tregohej mikpritës.
“Ata janë hallexhinj,” tha ai, ndërsa ironizoi kryeministrin se po kërkonte të merrte merita prej kësaj lëvizje. Ai shtoi megjithatë se shpresonte që Shqipëria të ndihmohej për të mbajtur refugjatët, pasi dyshonte se vendi i kishte mundësitë.