Analize7 Apr 2020

Doktorë, infermierë kritikojnë përgjigjen e qeverisë greke për COVID-19

Qeveria konservatore e Greqisë po përballet me kritika të rregullta nga mjekët dhe infermierët për personelin, kapacitetin, testimin dhe pajisjet mbrojtëse në luftën kundër COVID-19.

Autor: Apostolis Fotiadis BIRN Athinë
Printo

Spitali publik Sotiria në Athinë.

Në fillim të muajit prill, stafi i Spitalit Publik Sotiria në kryeqytetin Grek, Athinë, publikoi ​​një letër të hapur duke u ankuar se ata ishin pajisur me maska ​​“me defekt” për t’u mbrojtur kundër infeksionit nga pacientët me COVID-19.

Sotiria ka trajtuar shumicën e atyre që janë shtruar në spital me virusin në Greqi, e cila ka afërsisht 1,735 raste të konfirmuara, nga të cilat 76 persona kanë ndërruar jetë.

Megjithatë, qeverisë konservatore nuk i bëri aspak përshtypje kjo gjë.

“Ne blejmë pajisje të certifikuara dhe të përshtatshme për përdorim mjekësor”, tha zv/ministri i shëndetësisë Vassilis Kontozamanis në një konferencë të përditshme në lidhje me koronavirusin më vonë në të njëjtën ditë, duke e hedhur poshtë letrën si “lajmin e rremë të ditës”.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura, kryeministri Grek vizitoi spitalin më 6 prill gjatë shpërndarjes së sasive të mëdha të pajisjeve mbrojtëse përfshirë 5,000 maska ​​të standardeve të larta.

Por ankesa nga stafi i spitalit Sotiria ishte thjesht salvoja më e fundit në një mosmarrëveshje midis qeverisë dhe profesionistëve të shëndetit në lidhje me mbrojtjen që u sigurohet atyre në luftën kundër COVID-19 dhe porsa i përket përgjigjes së përgjithshme të autoriteteve ndaj pandemisë.

Ankesa të ngjashme janë bërë nga mjekë dhe infermierë në spitalet në të gjithë vendin, përfshirë qytetet veriore të Selanikut, Serres dhe Kastoria, i fundit ndër më të prekurit nga pandemia.

Deri më tani, më shumë se 90 persona nga personeli infermier dhe administrator besohet se janë infektuar gjatë kohës që ishin në detyrë. Qindra janë vënë në karantinë.

Mjekët kanë kërkuar që të punësohen infermierë dhe staf mjekësor shtesë. Qeveria ka filluar shtimin e tyre, por në kontratat afatshkurtra, një masë e karakterizuar si e papërshtatshme nga Afroditi Retzoy, presidente e Federatës së Mjekëve Spitalorë Grekë, OENGE, e cila përfaqëson më shumë se 10,000 mjekë në sistemin e shëndetit publik.

“Nëse nuk merren masat e duhura, do të humbasim jetë, jetë që mund të ishin shpëtuar”, tha Retsoy në një konferencë për shtyp më 1 prill.

Pajisjet: “Ata na thonë të kursejmë sa të mundemi”

Veshje dhe maskë mbrojtëse ndaj koronavirusit. Foto: Pixabay.

Një izolim gradual nëpër shtëpi i vendosur nga qeveria e kryeministrit konservator Kyriakos Mitsotakis që nga fillimi i marsit besohet të ketë pasur disi sukses në kufizimin e përhapjes së COVID-19, duke i kursyer Greqisë deri tani llojin e shkallës së infeksionit që po shohim te Italia dhe Spanja, anëtarë të tjerë të Bashkimit Europian.

Masat e shpejta u panë si vendimtare në kursimin e një sistemi kujdesi shëndetësor publik të zhvlerësuar nga një dekadë masash shtrënguese në këmbim të një sërë ndihmash ndërkombëtare për të mbajtur gjallë ekonominë greke.

Vetëm pak kohë pasi e kaloi këtë krizë, ekonomia përballet me një rikthim në recesion pas goditjes që ka marrë sektori jetik grek i turizmit, por zyrtarët po paralajmërojnë kundër zbutjes së masave tani afër.

Por stafi i spitalit thotë se pajisjet mbrojtëse mbeten një çështje e rëndësishme.

Më 1 prill, një avion nga Kina dorëzoi 250,000 maska ​​mbrojtëse, 125,000 uniforma mbrojtëse dhe dhjetëra mijëra pjesë të tjera mjetesh mbrojtëse. Të tjera kanë mbërritur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Greqia ka importuar gjithashtu pesë ton chloroquine, ilaç kundër malarie, nga India.

Kompanitë private dhe publike, si dhe shoqatat e biznesit kanë grumbulluar më shumë se 10 milionë euro për blerjen e ventilatorëve, shtretërve të kujdesit intensiv dhe pajisjeve të tjera. Parlamenti grek gjithashtu ka ofruar të mbulojë koston e 50 shtretërve të rinj për në terapi intensive që do të vendosen në spitalin Sotiria.

Por Despoina Tosonidou, drejtuese e sindikatës së mjekëve në spitalin Asklipio Voulas në jug të Athinës, tha se dërgesat e kishin ndryshuar shumë pak situatën në terren.

“Këto shifra pajisjesh mbrojtëse nuk janë shfaqur në spitale”, tha Tosonidou për BIRN.

“Në disa spitale të caktuara për rastet me COVID njerëzit që punojnë në vijën e parë nuk kanë pajisje të përshtatshme. Në spitalin ku punoj unë na kanë thënë të kursejmë sa të mundemi .”

Tosonidou tha gjithashtu se personeli mjekësor që flet publikisht është qortuar nga drejtuesit e spitaleve.

“Ka raporte nga kolegët se janë qortuar personalisht ose në telefon në lidhje me deklaratat që ata kanë bërë”, tha Tosonidou.

“Drejtori i spitalit më të madh në Athinë ka qarkulluar një letër që paralajmëron personelin se ata mund të flasin me mediat vetëm duke marrë më parë leje.”

Zyrtarët publik mund të përballen me masa disiplinore për deklaratat, vetëm në rast se janë përfaqësues të sindikatës, të cilët mbrohen me ligj.

Testimi ende një problem.

Kit testues për COVID-19.

Ekzistojnë gjithashtu pikëpyetje mbi strategjinë e testimit të qeverisë, një problem për të gjitha vendet në mbarë botën.

Mjekët kanë kërkuar që publikut t’i jepet qasje e plotë dhe falas, si edhe kanë vënë në dyshim vendimin e qeverisë për të caktuar 30 milionë euro për testime në klinika private.

Strategjia e testimit vazhdon të ndryshojë, edhe pse Qendra Kombëtare e për Marrjen e Kampionëve të Gjakut po përgatitet për të marrë përsipër pjesën më të madhe të barrës.

“Ministria na ka pyetur se sa kampione mund të marrim dhe sa shpejt mund t’i dorëzojmë ato dhe ne tani jemi në fazën e realizimit të përshtatjeve të nevojshme që të arrijmë të japim diagnoza”, tha për BIRN Kostantinos Stamoulis, drejtori shkencor i qendrës.

Qendra ka potencialin të japë 1,000 diagnoza për një turn shtatë orësh dhe ka një rrjet në funksion për mbledhjen e kampioneve në të gjithë vendin.

“Kapaciteti do të përcaktohet brenda disa ditësh”, tha Stamoulis, “por gjithashtu varet nga efikasiteti i autoriteteve për të marrë materialet e nevojshëm si reagentët nga tregu.”

Mosmarrëveshjet për kapacitetin e njësive të terapisë intensive

Kryeministri Mitsotakis tha në parlament se ka 3,400 shtretër spitalor dhe 870 shtretër terapie intensive në dispozicion për t’u përdorur kundër epidemisë COVID-19 dhe se numri i infermierëve do të rritet.

Por kirurgu i Athinës Panos Papanikolaou, një anëtar i OENGE, tha se shifra e 870 shtretërve në terapi intensive nuk jepte “një pamje të saktë”.

“Njëzet ditë më parë, vendi kishte 560 shtretër në terapi intensive”, tha ai për BIRN. “Të gjendur nën presion, ata kanë vënë në funksion edhe 100 të tjerë, duke e çuar numrin në rreth 660. Nga këta, rreth 250 janë të përshtatshëm për trajtimin e Covid-19 për momentin, me 93 prej tyre që tashmë janë në përdorim.” Ekziston mundësia që të gjithë shtetarit e terapisë intensive të mund të përshtaten për të trajtuar rastet me Covid-19.

Pjesa tjetër janë shtretër që qeveria thotë se do t’i përdorë në klinika private. Këto do të marrin raste të tjera urgjente, jo koronavirusi, në mënyrë që të lirojnë shtretërit e terapisë intensive në spitalet publike për pacientët me COVID-19. Por vendimi i saj për të dyfishuar pagesën për secilin shtrat të sektorit privat nga 800 euro në 1,600 euro në ditë është kritikuar.

“Në vend që qeveria të shfrytëzojë shtretërit e sektorit privat, është sektori privat ai që po shfrytëzon qeverinë”, tha Papanikolaou.