Pak para eventit më të madh kulturor në Kosovë, drejtori artistik i Dokufest Veton Nurkollari tha për BIRN se festivali i filmit në Prizren po përmirëson kinematografinë në Kosovë.
Festivali i 16-të Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe atij me Metrazh të Shkurtër në Prizren, Dokufest, do të shfaqë një total prej 253 filmash në qytetin jugor të Kosovës nga data 4 deri më 12 gusht nën sloganet “E ardhmja është dashuria ime” dhe “E ardhmja s’ka vdekur”.
Rreth 102 nga këta fikma do të jenë në gjashtë kategori konkurruese, duke përfaqësuar 50 vende, përfshirë dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare dhe një sërë premierash europiane dhe rajonale.
Tetë filma nga konkursi kombëtar i Kosovës gjithashtu do të kenë gjithashtu premierat e tyre botërore në festival.
“Tema e këtij viti është e ardhmja dhe jemi optimistë se e ardhmja është e bukur. Kështu që synojmë ta përcjellim këtë nëpërmjet programit tonë të filmave, programit muzikor, bisedimeve dhe fushatave,” tha për BIRN drejtori i Dokufest, Veton Nurkollari.
Ai theksoi se eventi më i rëndësishëm kulturor në Kosovë është rritur çdo vit dhe ndërsa kjo ndodh, gjithnjë e më shumë regjisorë të rëndësishëm po aplikojnë të shfaqin filmat e tyre këtu, disa si premiera botërore.
Sipas Nurkollarit, shumë nga filmat që do shfaqen në Prizren janë të rinj dhe vijnë direkt nga festivale të mëdhenj ndërkombëtarë.
“Ne kemi filmin që fitoi çmimin e kritikës në festivalin e Kanës dhe fituesit e festivaleve të filmit Berlinale, Sundancë dhe Tribeca dhe shumë festivale të tjera të rëndësishme. Një pjesë e madhe e filmave më të mirë të vitit do të jenë në Dokufest.”
Ai shtoi se tashmë është bërë traditë që të paktën katër ose pesë filma të shfaqur në Dokufest më vonë hyjnë në konkurse për çmime ndërkombëtare, siç janë edhe çmimet Oskar.
Sipas Nurkollarit, ata që përfitojnë më shumë nga programi i festivalit janë vetë qytetarët e Kosovës dhe sidomos prodhuesit e filmave.
“Do të presim një retrospektivë të dy prodhuesve filmash, regjisorit britanik John Smith dhe regjisorit amerikan Travis Ëilkerson, të cilët do të japin leksione dhe kjo është një mundësi e jashtëzakonshme sidomos që prodhuesit e rinj të filmave të mësojnë nga mjeshtrat e kinemasë,” tha Nurkollari.
Nëpërmjet leksioneve të tilla dhe programeve në të tjera në festivalet e filmit në Kosovë, sipas Nurkollarit, cilësia e filmave në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm.
“Cilësia e filmave tanë është e pakrahasueshme me atë që ishte 16 vjet më parë. Numri i filmave që prodhohen tani është gjithashtu i pakrahasueshëm me numrin e filmave që prodhoheshin atëherë, kështu që ka arsye të mirë për të qenë të kënaqur,” shtoi Nurkollari.
Ndërkohë që tema kryesore e filmave të pasluftës në Kosovë ka qenë lufta për pavarësi, pasojat e luftës apo tema sociale, Nurkollari tashëm vë re një zhvendosje drejt “një porte të vogël drejt filmit eksperimental”.
“Është shumë interesante dhe inkurajuese për mua që prodhuesit e filmave në Kosovë po përpiqen të eksperimentojnë me të dyja, formën dhe zhanrin. Shoh kapacitetin e prodhuesve të rinj të filmave që me sy të hapur janë në gjendje të ndjekin trendet dhe t’i shndërrojnë ato në filma,” tha ai.
Nurkollari thotë se kinematografia në Kosovë po përmirësohet çdo vit dhe festivale janë një nga faktorët që kanë ndihmuar.
“Ne e nisëm kinematografinë nga hiçi, pasi Kosova nuk ka shkollë filmi. Nuk mund të pretendojmë të shkojmë në finalen e Ligës së Kampionëve kur nuk kemi terren për futboll. E njëjta gjë është edhe me filmin,” tha ai.
Megjithatë, “të mos harrojmë që filmat e Kosovës kanë qenë kandidatë për çmime Oskar, kanë fituar në BAFTA dhe në Sundance,” shtoi ai.