Lajm21 Mar 2019

Dolën në pension, KPK ndërpret vettingun për një gjyqtar dhe një prokuror

Komisioni njoftoi ndërprerjen e procesit të vettingut për një gjyqtar të Gjykatës së Durrësit dhe një prokuror pranë Prokurorisë së Tiranës të cilët mbushën moshën e pensionit.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Një seancë dëgjimore e KPK-së për vlerësimin e gjykatësve. Foto Ilustruese: BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten se ishte vensour mbyllja e procesit të vettingut për gjyqtarin eë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Fejzo Hysi dhe prokurorin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Përparim Hasa.

Në dy vendime të ndryshme të publikuara në faqen zyrtare KPK bën me dije se procesi për dy magjistratët ndërpritej pasi të dy kishin mbushur moshën e pensionit, duke lënë kështu detyrën. Sipas KPK vendimi për të nxjerrë në pension gjyqtarin Hysi ishte marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor më 15 shkurt, ndërsa për prokurorin Hasa vendimi u mor nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 6 mars.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit, për shkak të mbushjes së moshës për pension, më datë 15.02.2019, të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, z. Fejzo Hysi”, citohet në vendimin e zbardhur të KPK-së.

I njëjti arsyetim është dhënë edhe për prokuorin Hasa. “Me vendimin nr. 38, datë 06.03.2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit, për shkak të mbushjes së moshës për pension, të prokurorit në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, z. Përparim Hasa”, thuhet në vendim.

KPK arsyetoi se me daljen në pesnion procesi i rivlerësimit nuk mund të vazhdonte dhe çështjet mbyllesh pa një vendim përfundimtar “për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë i pamundur”.