Një konferencë ndërkombëtare donatorësh e thirrur nga Bashkimi Europian të Hënën në Bruksel mori premtime për grante në masën rreth 330 milionë euro, ndërsa projekte dhe kredi u premtuan në rreth 850 milionë euro në atë që kryeministri Edi Rama e quajti një magji përtej imagjinatës së tij më të çmendur.
Disa dhjetëra shtete dhe institucione ndërkombëtare premtuan të ndihmojnë Shqipërinë me qindra milionë euro ndihma financiare, ndihma në natyrë, projekte zhvillimore dhe kredi për të ndihmuar në procesin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Bashkimi Europian ofroi 115 milionë euro grante ndërsa Banka Europiane e Investimeve, krahu financiar i BE-së, tha se paketa e saj e kredive për sektorin publik dhe privat mund të arrijnë në 100 milionë euro në varësi të procedurave të brendshme të miratimit të projekteve që ka kjo bankë.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha në fjalën e saj se është e qartë se Shqipëria nuk mund të përballojë koston e rindërtimit e vetme para se të njoftonte premtimin për 100 milionë euro grant nga buxheti i përbashkët. “Ne premtojmë një valë të vazhdueshme investimesh për rindërtim,” tha ajo.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishin bashkë me Italinë dy vendet kryesore që premtuan ndihma dhuratë, e para në shumën 70 milionë dollarë për ndërtimin e 2 mijë shtëpive dhe e dyta, në shumën 65 milionë euro.
Ambasadori i Gjermanisë theksoi kontributin që Gjermania jep në mënyrë indirekte si kontribuuesja kryesore e buxhetit të përbashkët të BE-së ndërsa shtoi si donacion dypalësh edhe 11 milionë euro të tjera.
Turqia premtoi ndërtimin e 500 shtëpive, që sipas përfaqësuesit të Turqisë në konferencë, kanë një vlerë monetare prej 45 milionë eurosh.
Ndër donatorët e tjerë të rëndësishëm, Zvicra premtoi 9 milionë euro, Suedia angazhoi 5.6 milionë euro, Shtetet e Bashkuara 5 milionë dollarë, Holanda 3 milionë euro, Polonia 2.7 milionë, Greqia, 2.5, Danimarka e Serbia nga 2 milionë euro secila.
Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 shkaktoi, sipas vlerësimeve të qeverisë shqiptare, afro 1 miliardë euro dëme, nga të cilat, shumica dërrmuese, rreth 800 milionë u shkaktuan në dëmtime të plota apo të pjesshme të banesave në Durrës, Tiranë e Lezhë.
Duke e konsideruar konferencën e donatorëve një sukses, kryeministri Edi Rama falënderoi kontribuuesit duke thënë se premtimet e tyre reflektonin një tejkalim të pritshmërive të tij më të mëdha.