Lajm16 Feb 2018

Dorëheqja kursen edhe ish-kryeprokurorin Llalla nga procesi i vetingut

Ndonëse akuzohet për përfshirje “domethënëse” në korrupsion nga Departamenti amerikan i Shtetit, ish-kryeprokurori Llalla nuk do të kalojë nëpër filtrat e vetingut për shkak të dorëheqjes së tij nga vazhdimi i karrierës në gjyqësor.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla gjatë një aktiviteti. Foto:LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbylli procesin e rivlerësimit për ish-kryeprokurorin Llalla për shkak të dorëheqjes së tij nga vazhdimi i karrierës në sistemin e drejtësisë.

Dorëheqja nga vazhdimi i karrierës në gjyqësor e kurseu ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla nga kalimi nëpër filtrat e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të premten ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish-kreun e Prokurorisë, një vendim ky që diktohet nga neni G i aneksit të Kushtetutës.

Përmes një njoftimi për shtyp, KPK deklaroi se kishte marrë dijeni për dorëheqjen e Llallës më 12 shkurt pas së cilës vendosi ndërprerjen e procesit. KPK paralajmëron se vendimi i plotë për Llallën do të publikohet në faqen e institucionit brenda afatit të përcaktuar në nenin 55/7 të ligjit për “rivlerësimin kalimtar”.

Mbyllja e procedurës së vetingut për Llallën vjen një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson publikoi vendimin që i ndalon ish-kryeprokurorit Llalla dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Në njoftimin e bërë publik nga sekretari i shtetit Rex Tillerson, nënvizohet se ky vendim merret për shkak të përfshirjes së Z. Llalla në mënyrë ‘domethënëse’ në korrupsion ose shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut.

Përveç Llallës, vendimi sanksionon hyrjen në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Adriatik Llalla shërbeu si prokuror i përgjithshëm nga viti 2012 deri në dhjetor 2017, kur ai u zëvendësua nga Arta Marku.

Gjatë periudhës që drejtoi organin e akuzës, Llala është akuzuar se nuk ka vepruar kundër korrupsionit dhe është përplasur publikisht me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë për shkak të pozicioneve mbi reformën në drejtësi.

Ai nuk është zyrtari i vetëm i lartë që iu shmang vetingut përmes dorëheqjes nga sistemi. Më 12 shkurt, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procedurën e rivlerësimit edhe për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Besnik Imeraj pasi ky i fundit dha dorëheqjen nga pozicionet me motiv “arsyet personale dhe shëndetësore”.

Shmangia nga procesi i vetingut i detyron zyrtarët që të qëndrojnë jashtë sistemit të drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Në nenin G të aneksit të Kushtetutës përcaktohet se: “Subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.