Lajm4 Nov 2021

Dorëheqja si ndihmëse ligjore e shmangu nga vetingu Avokaten të Shtetit, Donika Pahumi

Megjithëse ish-ndihmësja ligjore e Prokurorisë së Përgjithshme, Donika Pahumi e ka njoftuar Komisionin në janar të vitit 2019 për largimin e saj nga detyra, dy vite e gjysmë më vonë ajo është shortuar për t’u vetuar, por procesi u ndërpre për shkak të dorëheqjes. 

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 26 tetor të ndërpresë procesin e rivlerësimit për ish-ndihmësen ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Donika Pahumi për shkak të dorëheqjes së saj nga kjo detyrë. Ndaj Pahumit është vendosur sanksioni që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit, gjatë 15-viteve të ardhshme.

Megjithatë, pak ditë para lirimit nga detyra e ndihmëses ligjore ku kishte punuar për gjashtë vite, Pahumi është emëruar si Avokate e Shtetit pranë Zyrës së Inspektimit, që është struktura përgjegjëse për kryerjen e inspektimit të veprimtarisë së avokatëve të shtetit.

“[…]me urdhrin nr. ***, datë 3.12.2018, të Prokurorit të Përgjithshëm është liruar nga detyra, pasi ka dhënë dorëheqjen, për arsye se me urdhrin nr. ***, datë 26.11.2018, të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit është emëruar në pozicionin e Avokatit të Shtetit pranë Zyrës së Inspektimit”, citohet në vendim ku sqarohet se Pahumi e ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra para Prokurorit të Përgjithshëm po më datë 3 dhjetor 2018, rreth një javë pasi ishte emëruar në pozicionin e Avokatit të Shtetit në Zyrën e Inspektimit.

Vetingu për Pahumin ka filluar në qershor të vitit 2021, por pasi është njoftuar për nisjen e procedurës ajo i ka bërë me dije Komisionit se nuk e gëzon statusin e magjistratit prej dhjetorit të vitit 2018. Ndërkohë, ka rezultuar se Pahumi e ka njoftuar Komisionin për ndryshimin e pozicionit të saj të punës me shkresën e datës 28 dhjetor 2018, e protokolluar më 3 janar 2019.

Në vijim të komunikimit me KPK, Pahumi është shprehur se nuk dëshiron të ushtrojë të drejtën për t’u dëgjuar nga Komisioni në seancë dëgjimore. Në përfundim, bazuar edhe në jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Lulzim Hamitajn vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Donika Pahumi.

Gjithashtu, është vendosur ndalimi i emërimit të saj si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *