Analize9 Feb 2015

Drejtësia tranzicionale, lustracioni dhe hapja e dosjeve

Përgjatë 25 viteve të fundit, Shqipëria ka bërë disa përpjekje për t’u përballur me të shkuarën, shpesh duke i ngatërruar konceptet nën togfjalëshin “hapja e dosjeve”. Dy nismat e fundit duket se kanë pak gjasa të zbardhin të shkuarën dhe aq më pak, të bëjnë drejtësi.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një korridor i gjatë brenda bunkerit tregon kompleksitetin e tij dhe dyert e rënda që duhej t’i mbijetonin një sulmi atomik. (AP Photo/Hektor Pustina)

Një korridor i gjatë brenda bunkerit tregon kompleksitetin e tij dhe dyert e rënda që duhej t’i mbijetonin një sulmi atomik. (AP Photo/Hektor Pustina)

Ka disa koncepte bazë të cilat janë përdorur nga vende të ndryshme për t’u përballur me një të shkuar të dhunshme. Drejtësia Tranzicionale, është koncepti i parë. Sipas Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë, kjo nënkupton procesin e njohjes, hetimit, ndëshkimit dhe dëmshpërblimit për krimet e kryera në një periudhë dhunimesh masive të të drejtave të njeriut. Elementët përbërës të Drejtësisë Tranzicionale janë përndjekja penale e personave që kanë kryer dhunime të rënda të të drejtave të njeriut, dëmshpërblimet për viktimat si funksion i pranimit nga ana e shoqërisë të përgjegjësive për padrejtësitë e kryera, reforma institucionale e institucioneve abuzive për të ndaluar abuzimet e tjera në të ardhmen, si dhe një Komision i të Vërtetës, që synon të zbardhë historinë dhe të themelojë faktet mbi abuzimet e kryera.

Koncepti i dytë është Ligji i Lustracionit, i zbatuar në disa vende të Europës Lindore në periudhën postkomuniste dhe qëështë i ngjashëm me konceptim e denazistikimin në Europë apo debaathistikimin në Irak. Lustracioni është kritikuar gjithmonë si një proces që shpesh është ndërmarrë nga qeveritë postkomuniste për të hequr konkurrencën qafe, për të ndaluar konkurrentët e vet politikë nga garat politike dhe jo për të rivendosur drejtësi.

Shqipëria ka patur një ligj të tillë më 1995, i cili u shfuqizua pas ardhjes së socialistëve në pushtet më 1997 dhe një tentativë tjetër për ligj lustracioni në vitin 2008. Në të dyja rastet, duket se synimi i ligjeve qe ruajtja e pushtetit të Berishës dhe jo vendosja e drejtësisë. Një kabllogramë e ish ambasadorit John L. Withers psh. shpjegon se si Berisha përdori projektligjin e lustracionit, të cilit ai vetë i referohej në mënyrë të gënjeshtërt si “ligji i dosjeve”, për të shantazhuar prokurorët dhe gjykatësit që po hetonin mbi disa skandale të mëdha të qeverisë së tij. Problemi më i rëndë i konceptit të Lustracionit është që për zbatimin e tij krijohen komisione të cilat fillojnë të bëjnë gjueti shtrigash, kryejnë procese të cilat mund të jenë selektive, si dhe kryejnë gjykime pa procedura të qarta ligjore. Me një fjalë, komisione të tilla politike funksionojnë efektivisht si gjykata të përkohëshme, gjë që bie ndesh me parimet kushtetuese të gjykimit të drejtë. Ligji i Lustracionit i vitit 2008 gjithashtu krijonte një autoritet verifikues, por vijonte të mbante dosjet e sigurimit si sekret.

Koncepti i tretëështë hapja e dosjeve, për efekt të ekspozimit të krimeve tëtë shkuarës në sytë e publikut dhe për të lënë publikun të gjykojë dhe vendosë. Ky koncept i tretë nuk parashikon aq shumë ndëshkim të krimeve përmes sistemit të drejtësisë por përmes njohjes. Hapja e dosjeve kufizohet nga ligjet e privatësisë dhe zakonisht konsiston në një përpjekje për transparencë për të shkuarën e zyrtarëve të lartë të shtetit, politikanëve apo kandidatëve për politikanë. Veçse, që të zbatosh parimin e tretë, kjo do të thotë të kesh historianë të aftë dhe të ndershëm.

Rreziqet edhe këtu janë të shumta. Sistemi i ngarkuar për publikimin e të dhënave në lidhje me një kandidat të caktuar për një post mundet psh të fshehë dokumentet apo t’i paraqesë ato në mënyrë të njëanshme, gjë që në thelb, kthehet në drejtësi selektive.

Shqipëria ka një histori për këtë, histori që vështirë se ka vendosur paqe. Kathleen Imholz, një juriste Irlandezo-Amerikane që ka punuar në Shqipëri shumë shpesh përgjatë njëzet e pesë vjetët e fundit, ka bërë një përmbledhje të asaj që ndodhi në dekadën e parë të Shqipërisë post-komuniste dhe që duket se kanë qenë ngjarje shumë të rrëmujshme.

Ligji i parë në ndihmë tëtë përndjekurve politikë, është firmosur nga RamizAlia në shtator 1991. Ligji i kërkon ndjesë të burgosurve politikë, i shpallte dënimet e tyre ligjërisht inekzistente. Në termat e kompensimit materjal, ligji u njihte si vjetërsi në punë e vlefshme për pension vitet e burgut apo të internimit dhe i ngarkonte komiteteve ekzekutive detyrimin për të siguruar banesë në vendin ku gjendeshin para dënimit apo internimit. Problemi i këtij ligji qe që zbatimi qe erratik.

Por pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet në vitin 1992, pati një tendencë për veprimtari hakmarrëse. Me anë të një paragrafi të vagullt të Kodit të Punës u mundësua një fushatë spastrimesh në administratën shtetërore tëtë gjithë personave që për një arsye apo një tjetër konsideroheshin si “komunistë”. Shkurt, shteti i ’92-’96 qe një vijimësi e shtetit komunist në krah të kundërt. Pati ndryshuar armiku i popullit, por nuk qenë vënë në funksion procedurat, rregullat e institucionet se si mund të bëhej drejtësi tranzicionale. Në vitin 1993 psh, u vendos që disa ish-funksionarë komunistë të mos kishin të drejtë të ushtronin profesionin e avokatit. Objektivi i ligjit duket se qe shumë i ngushtë: shënjestrimi i avokatit të RamizAlisë.

Gjatë periudhës 1992-1995, pati një seri gjyqesh kundër ish-udhëheqësve komunistë. Gjyqet ndaj tyre nuk qenë shumë të ndryshme nga gjyqet popullore që dënonin shqiptarët në kohën e Komunizmit. Në fund, ish-udhëheqësit u dënuan për më pak se 10 vjet burg, ndërkohë që ish-kryeministri Fatos Nano mori një dënim më të gjatë për akuzat e keqmenaxhimit financiar.

Në vitin 1995, parlamenti miratoi njëligj lustracioni. Ligji shënjestroi një numër të madh shqiptarësh me kriteret e tija të gjera, duke i hequr të drejtat një numri të madh ish-zyrtarësh. Edhe këtu, zbatimi i ligjit, një proces tërësisht politik, qe më së shumti selektiv. Pas ardhjes së socialistëve të pushtet më 1997, ligjit në fjalë i ranë shumica e neneve deri sa skadoi në vitin 2001.

Ajo çfarë na mëson eksperienca e 25 viteve të fundit është që nisma të tilla për ligje lustracioni apo ligje “dosjesh” është që këto nisma kanë qenë gjithmonë politike, pa ndonjë interes të dukshëm për të vendosur drejtësi. Më shumë se sa hapja apo moshapja e dosjeve, Shqipëria ka një problem madhor me mënyrën se si e koncepton drejtësinë, me mënyrën se si ngarkon institucione politike për të themeluar fakte, por më së shumti përdoret për të shënjestruar kundërshtarë, qoftë përmes eliminimit, qoftë përmes shantazhimit.

Tani, në Kuvendin e Shqipërisë ka aktualisht dy ligje në diskutim, të cilëve media u referohet në mënyrë të thatë si “ligjet e dosjeve”.

Njëri prej ligjeve është propozuar nga dy deputetë, Mersila Doda dhe Shpëtim Idrizi. Ligji me titull “Për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe Procesin e Lustracionit”, synon të lejojë shqiptarët të kërkojnë një kopje të dosjes së vet të arkivuar në arkivin e Sigurimit të Shtetit. Duhet të kemi parasysh se Sigurimi deri në vitin 1991 ka qenë degë e Ministrisë së Brendshme. Kur u vendos të ndaheshin, arkiva e sigurimit iu kalua Shërbimit Informativ Kombëtar, agjencia pasardhëse e Sigurimit. Arkiva u blindua me ligj si informacion sekret. Zyrtarisht nuk ka ndonjë mundësi reale për të përftuar akses në këto dosje. Instituti për studimin e krimeve të komunizmit, një tentativë që rezultoi thellësisht qesharake për krijimin e një instituti të së vërtetës, ka të drejtë t’i lexojë dosjet por jo t’i publikojë apo të shkruajë për to.

Ky ligj i propozuar krijon një institucion, i quajtur Autoriteti për Kontrollin e Figurave, me pesë anëtarë të zgjedhur nga parlamenti, i cili do të ketë për detyrë të kontrollojë pastërtinë e figurës të një numri të pafundmë zyrtarësh, nga postet politike te drejtuesit lokalë të partive parlamentare. Nga postet zyrtare ky ligj kërkon që të përjashtohet një numër i madh ish-zyrtarësh. Ky projektligj i propozuar nuk dallon shumë nga ligji i vitit 1995. Ai synon njëkohësisht lustracionin dhe hapjen e dosjeve. Por argumenton që zyrtarët aktualë të zgjedhur dhe që kanë lidhje me regjimin komunist, vijojnë mandatin e tyre me kushtin që dosja e lidhjeve të tyre me regjimin të bëhen publike.

Projektligji tjetër, i propozuar nga qeveria dhe që njihet si “projektligji Veliaj” ka objektiva më të përmbajtura. Titulli i tij “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, kërkon mbledhjen dhe mirëmbajtjen e dokumenteve arkivorë si dhe aksesin e qytetarëve te dosjet personale, njësoj si propozimi Doda-Idrizi. Projektligji i propozuar nuk mbart klauzola lustracioni.

Të dyja projektligjet mund të konsiderohen si spekulative në rastin më të mirë. Të dyja krijojnë një institucion që duhet të merret me dosjet. Të dyja duket se duan të dënojnë zyrtarët e së shkuarës mbi atë që kanë qenë dhe jo atë që kanë bërë.

Veçanërisht projektligji i qeverisë, duket sikur synon krijimin e një institucioni të dobët, me të drejtë për të kërkuar informacion nëpër arkiva të ndryshme, si dhe detyrimin e këtyre institucioneve për të dhënë informacion, por pa ndonjë mekanizëm efikas për monitorimin e mirëfunksionimit.

Nga pikëpamja e drejtësisë tranzicionale, pra zbardhjes dhe dënimit të krimeve të së shkuarës, të dyja projektligjet nuk bëjnë gjë. Maksimumi i synuar është ndalimi i ish-zyrtarëve nga mbajtja e posteve sot, por edhe në këtë rast, ndalime të tilla vështirë se përmbushin kriteret kushtetuese të një gjykimi të drejtë. Në fund të fundit, njerëzit duhet të dënohen për çfarë kanë bërë dhe jo çfarë kanë qenë.

Shqipëria ka pjesën më të madhe të arkivave të hapura ligjërisht dhe vetëm një arkivë ligjërisht të mbyllur. Arkiva e vetme e mbyllur është ajo e Sigurimit, e trashëguar nga Shërbimi Informativ i sotëm.

Në pikëpamjen e Themelimit të Fakteve mbi të shkuarën, pra një Komisioni të së Vërtetës, të dyja propozimet vështirë se kanë ndonjë përqasje metodologjike për mënyrën e grumbullimit të informacionit, selektimit të informacionit privat që nuk duhet të publikohet dhe ndarjes së tij nga informacioni publik që duhet të publikohet.

Në fund të fundit, problemi i Shqipërisë me të shkuarën dhe të tashmen është zbatimi i ligjit dhe jo hartimi i tyre. Pas shumë tentativash të njëpasnjëshme për të “lustruar” vendin apo për të “hapur dosjet”, Shqipëria mbetet një vend që as nuk është pastruar dhe as nuk di ndonjë gjë të bazuar në fakte nga historia e vet.

Do të qe më mirë që “hapja e dosjeve” të kryhej thjeshtë përmes deklasifikimit të arkivës së Sigurimit si sekret dhe kalimit të saj pranë arkivës së shtetit për t’u trajtuar si të gjitha arkivat e tjera.