Lajm31 Aug 2016

Drejtoresha e BIRN kandidohet për çmimin humanitar Vaclav Havel

Drejtoresha rajonale e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, Gordana Igriç është kandiduar si një nga tre kandidatët e çmimit prestigjioz të të drejtave të njeriut Vaclav Havel për vitin 2016.

Autor: BIRN
Printo

Drejtoresha rajonale e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, Gordana Igriç. Foto: BIRN

Drejtoresha rajonale e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, Gordana Igriç. Foto: BIRN

Paneli përzgjedhës i çmimit të të Drejtave të Njeriut Vaclav Havel, i përbërë nga figura të pavarura të të drejtave të njeriut në botë dhe kryesuar nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Pedro Agramunt, tha të martën se drejtoresha rajonale e BIRN, Gordana Igriç është një nga tre kandidatet për të fituar çmimin këtë vit.

Dy kandidatët e tjerë janë Instituti Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut – Fondacioni René Cassin, që ka punuar prej vitit 1969 për të promovuar të drejtat e njeriut dhe paqen dhe Nadia Murad, një aktiviste e të drejtave yazidi, që u rrëmbye dhe u burgos nga Shteti Islamik në Irak në vitin 2014.

Paneli tha se Igriç ishte një mbrojtëse aktive e të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias, që ka raportuar gjerësisht mbi krimet e luftës gjatë konflikteve të Ballkanit dhe ka ngritur Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.

“Me punën e saj, ajo mban ndezur flakën e lirisë së medias dhe ekspozon abuzimet e të drejtave të njeriut,” tha paneli.

Fituesi i çmimit të përvitshëm, që nderon veprime të rëndësishme të shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Europë dhe më tej, do të lajmërohet në seancën plenare të hapjes së Asamblesë Paarlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg më 10 tetor.

“Trashëgimia e Vaclav Havel është sot më e rëndësishme se kurrë,” tha Agramunt, ndërsa lajmëroi kandidatët.

“Ish-presidenti dhe dramaturgu çek, që do të ishte 80 vjeç këtë vit, ka qenë një simbol i rezistencës së opozitës ndaj totalitarizmit dhe e dinte se kurajo dhe vendosmëria nevojiteshin për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Ai ishte gjithnjë një mbështetës i madh i individëve dhe OJQ-ve që iu bashkuan atij përgjatë kësaj rruge të vështirë,” shtoi ai.

Çmimi Vaclav Havel i të Drejtave të Njeriut akordohet çdo vit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në partneritet me Bibliotekën Vaclav Havel dhe Fondacionin Kapituli 77.

Igriç e filloi karrierën e saj si gazetare në Beograd në 1981 dhe raportoi nga Bosnja dhe Kosova gjatë luftërave që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Nga viti 1998 deri në 1999, ajoi punoi në fushën e të drejtave të njeriut si Drejtoreshë e Kërkimeve për Qendrën Ligjore Humanitare në Beograd dhe si Kërkuese e Kosovës për Mbikëqyrjen e të Drejtave të Njeriut.

Ajo ishte menaxhere projekti e Ballkanit për Institutin e Raportimit mbi Luftën dhe Paqen nga 1999 deri në 2005 dhe pastaj themeloi BIRN dhe e zhvilloi atë si një rrjet rajonal.