Lajm13 May 2019

Drejtuesi i Prokurorisë së Pogradecit kalon me sukses vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokurorin Sotir Kllapi, pas hetimit administrativ të kryer për të tre kriteret e rivlerësimit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Drejtuesi i Prokurorise se Pogradecit, Sotir Kllapi pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë drejtuesin e Prokurorisë së Pogradecit, Sotir Kllapi. Vendimi për Kllapin u shpall të hënën nga trupa gjykuese e drejtuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtarë Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe ka nisur punën si prokuror fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Ai e ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës, përpara se të emërohej drejtues në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2014.

Prokurori Sotir Kllapi ka marrë raport pozitiv nga ILDKPKI mbi interesat e tij private si dhe raport “përshtatshmërie” nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasidikuar, DSIK. Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni arriti në përfundimin se prokurori kishte burime të ligjshme për pasurinë e tij; e cila përbëhet vetëm nga likujditete bankare dhe kursime në cash.

Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni u ndal te dy ccështje penale të hetuara nga prokurori Sotir Kllapi, si pjesë e vlerësimit të aftësive profesionale, duke ngritur dyshime për favorizimin e të pandehurve. Por në shpjegimet e tij, drejtuesi i Prokurorisë së Pogradecit tha se ishte bazuar në prova dhe gjykatat kishin lënë në fuqi vendimarrjen e tij.