Ministria e Drejtësisë shkarkoi nga detyra tre zyrtarë të lartë të Burgjeve për shoqërimin e Dritan Dajtit në një klinikë private okulistike në zonën e ish-Bllokut, në shkelje flagrante të ligjit dhe mungesë të masave të përshtatshme të sigurisë.
Drejtues të burgut të Peqinit dhe ata të Policisë së Burgjeve akuzohen se kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe një mori rregulloresh të brendshme më 10 janar, kur shoqëruan të dënuarin Dritan Dajti në zonën e ish-Bllokut për vizitë mjekësore në një klinikë private okulistike, sipas një njoftimi të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria deklaroi gjithashtu se Policia e Burgjeve nuk ka kryer vlerësimin e situatës dhe të riskut si dhe nuk ka marrë masa të përshtatshme për shoqërimin e të dënuarit jashtë institucionit, duke sjellë sipas saj rrezik potencial për rendin dhe sigurinë publike.
Dritan Dajti, i dënuar tashmë me 25 vjet burg për vrasjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit në vitin 2009, u filmua teksa shoqërohej nga forcat e policisë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë nga një redaktor i gazetës Tema.
Pas publikimit të videos, Ministria e Drejtësisë thotë se ka ngritur dy grupe pune të pavarura për verifikimin dhe hetimin e ngjarjes, të cilat kanë gjetur një mori shkeljesh.
Të martën, Ministria njoftoi se ka liruar nga detyra për shkelje të rënda drejtorin e Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçorri, drejtorin e Burgut të Peqinit, Emin Shpata si dhe shefin e Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici. Nga puna u largua edhe mjeku i burgut të Peqinit, Andi Andoni, ndërsa u paralajmëruan me shkarkim një mjeke në Drejtorinë e Përgjithshme si dhe një inspektor në burgun e Peqinit.
Ministria e Drejtësisë përjashtoi drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismailaj nga përgjegjësia për shoqërimin e Dritan Dajtit jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.
Ajo sqaroi se drejtuesit e Policisë së Burgjeve kanë shmangur marrjen e një autorizimi nga drejtori i përgjithshëm, në shkelje të rëndë të një urdhri mbi rastet e nxjerrjes së të dënuarve jashtë institucioneve.
“Në rastin e planifikimit për vizitë të të dënuarit D.Dajti, nga hetimi rezultoi gjithashtu se në planin e masave nuk janë parashikuar masa lidhur me sigurinë e klinikës private dhe nuk është bërë një vlerësim paraprak i lëvizjeve të trupave shoqëruese. Lëvizja e të dënuarit të sigurisë së lartë nga burgu i Peqinit në qendër të Tiranës (zonën e ish-bllokut), në shkelje të parashikimeve ligjore dhe të gjitha rregullave të mësipërme, përbën cenim të rendit dhe sigurisë publike,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Shumica qeverisëse miratoi në fund të vitit 2018 atë që e pagëzoi si ligji “41/bis”, i “kopjuar” nga Italia. Ligji supozohet se do të shtrëngonte masat e sigurisë për të dënuarit me rrezikshmëri të lartë. Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe ndodhej në qeli prej masakrës së vitit 2009. Megjithatë, më 8 shkurt 2019 një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin, duke e dënuar atë me 25 vjet burg.