Lajm11 Jan 2019

Dy ish-komandantë të UÇK-së gati të merren në pyetje në Hagë

Ish-komandantët e UÇK-së Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku do të shkojnë në Hagë gjatë fundjavës për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila po heton krime të kryera gjatë dhe pas kohës së luftës.

Autor: Die Morina, Blerta Iberdemaj BIRN Prishtinë
Printo

Sami Lushtaku. Foto: Atdhe Mulla/BIRN

Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa, të dy ish-figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, do të meren në pyetje nga Prokuroria e Specializuar.

Avokati për Lushtakun dhe Mustafën, Arianit Koci, tha për BIRN se të dy ish-guerilasit do të udhëtojnë në Holandë këtë fundjavë “edhe pse data e marrjes në pyetje nuk dihet ende”.

Rrustem Mustafa, i njohur edhe si Remi, ishte i pari që deklaroi publikisht në dhjetor, se ishte ftuar të merrej në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Avokati i tij në atë kohë tha se ai do të merrej në pyetje më 14 janar.

Mustafa, i cili është gjithashtu një ish-deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, u dënua me katër vjet burg nga një gjykatë e Prishtinës në vitin 2013 për torturimin e të burgosurve të kohës së luftës në një qendër burgimi të UÇK-së në Llapashticë gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 me forcat serbe.

Të bashkë akuzuarit më të, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, gjithashtu ish-komandantë guerilas të UÇK-së, u dënuan përkatësisht me gjashtë dhe tre vjet burg.

Një gjykatë apeli i la në fuqi vendimet kundër tre burrave, të cilët njiheshin kolektivisht si Grupi i Llapit.

14 janari ishte gjithashtu data e përmendur nga avokati i Lushtakut për marrjen e tij në pyetje në Hagë.

Të dy thanë se do të paraqiten vullentarisht dhe se janë gati të sqarojnë çdo gjë që po heton zyra e Prokurorit të Specializuar, sipas avokatit të tyre.

Lushtaku, ish-kryetari i komunës Skënderaj në Kosovë, u lirua nga akuzat për krime lufte nga Gjykata e Lartë në mars 2017.

Të tjerë që janë thirrur të merren në pyetje në Hagë përfshijnë ish-kreun e gjykatës ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ish-figura e UÇK-së Nazif Mehmeti, ish-anëtarët Safet Syla dhe Sabahajdin Cena, ish-komandanti i njësisë së UÇK-së, Remzi Shala, dhe ish-anëtarja Raimonda Rreci.

Të gjithë, përveç Shalës, shprehën gatishmërinë për t’u marrë në pyetje nga prokurorët, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte mbrojtëse dhe jo kriminale.

Aktualisht, vendndodhja e Shalës nuk dihet.

Ai duhej të merrej në pyetje në Hagë më 17 janar, por të mërkurën kur ai duhej të paraqitej në një gjykatë të Kosovës ku është në gjyq që nga viti 2017, ai nuk u paraqit.

Pasi u thirr nga prokurorët në dhjetor, Shala shkroi në Facebook “nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese”.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar e Kosovës janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë për detyrë të hetojnë dhe të gjykojnë të dyshuarit për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, në vitet 1998-2000.

E ashtuquajtura Gjykatë Speciale pritet të padisë figura të larta të UÇK-së për krime të dyshuara ku përfshihen vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale. Ajo nuk ka bërë ende publike asnjë akuzë.