Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Qendra për të Drejtat në Punë denoncuan të hënën kushtet e këqija të punës së punonjëseve të fasonerive në Shqipëri, ndërsa i bënë thirrje autoriteteve të hetojnë rastin e helmimit në Shkozet dhe të zbulohen personat përgjegjës.
Duke e konsideruar rastin e helmimit të 20 punonjëseve të një fabrike tekstile në Shkozet të Durrësit në fundjavë, si shembullin flagrant të shkeljes së të drejtave të punonjësve dhe Kodit të Punës, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, (GADC) dhe Qendra për të Drejtat në Punë (CLR), i bënë thirrje autoriteteve të hetojnë kushtet e punës në fabrikën në fjalën dhe të nxjerrin para ligjit përgjegjësit.
“Ne kërkojmë të hetohet dhe të bëhet transparencë lidhur me faktorët që helmuan mbi 20 gra e vajza në shoqërinë “Lovers Albania” në punë e sipër; [të kryhet] hetim i kushteve të punës dhe pagesës së grave të kësaj shoqërie, situatën e respektimit të kontratës së punës dhe zbardhjen e mbrojtjes ligjore apo sociale që gratë do të përfitojnë si rrjedhojë e aksidenteve me pasojë cenimin e shëndetit në punë, siç përcaktohet nga ligjet në fuqi,” thuhet në deklaratën për shtyp të së hënës, drejtuar kryeministrit Rama, ministrave Ahmetaj dhe Manastirliu, Av. Popullit Ballanca, si dhe autoriteteve përgjegjëse për hetim.
Qendrat gjithashtu kërkuan të zbardhen inspektimet e punës dhe ato shëndetësore të kryera në këtë shoqëri dhe ekzaminimin e dokumentit të vlerësimit të riskut dhe personave përgjegjës për hartimin e tij, si dhe hetimin e funksionimit të aktivitetit të Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë brenda kësaj fabrike dhe hetimin e aktivitetit të sindikatës që vepron në këtë fabrikë dhe të përmbajtjes së kontratës kolektive të lidhur me punëdhënësin.
Rreth 20 punonjëse të një biznesi fasonerie në Durrës u paraqitën me shenja helmimi ditën e shtunë në urgjencën e spitalit të Durrësit. Në mëngjesin e asaj dite punonjëset nisën të shfaqnin shenja këputje, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje vetëm pak kohë pasi kishin shkuar në punë dhe shkuan në urgjencë për ndihmë mjekësore njëra pas tjetrës.
Punonjëse të ndryshme të kompanisë, që kërkuan të mos identifikoheshin, i thanë BIRN të shtunën se shqetësimet ishin të përsëritura dhe se çdo javë kishte raste “të fikëti” në vendin e punës. Ato thanë po ashtu se ndërsa vendi i punës ishte i pajisur me kondicioner dhe freskuese, një pjesë e grave ndjeheshin nën presion dhe stres për shkak të normës.
“Ne po ndjekim hap pas hapi, zbardhjen e plotë e të shpejtë, të ngjarjes duke pasur parasysh që ky nuk është rasti i parë që gratë e vajzat punëtore në fabrikat e tekstileve e këpucëve helmohen masivisht në vendin e punës,” tha GADC dhe CLR, organizatat mbështetëse të lëvizjes sindikale në vend.
Ato gjithashtu ngritën shqetësimin se gratë dhe vajzat e këtij sektori vazhdojnë të punojnë në kushte të rrezikshme, të ekspozuara ndaj lëndëve kimike, fizike e biologjike për të cilat nuk informohen dhe për rrezikshmërinë e të cilave nuk kanë dijeni.
Organizatat po ashtu denoncuan se këshillat e sigurisë e shëndetit në punë në shumë fasoneri ose nuk ekzistojnë ose janë fiktive për të përmbushur dokumentacionin.
“Sipas raportimeve të grave e vajzave punonjëse në fabrikat e tekstileve e këpucëve ato bëjnë rreth 300 – 400 orë shtesë në vit dhe mezi marrin pagën minimale. Ato deklarojnë pothuajse të gjitha që nuk e shohin kurrë pushimin vjetor me sy,” thuhej në deklaratën e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Qendrës për të Drejtat në Punë.
Qendrat denoncuan kontratat kolektive si një padrejtësi ndaj punëtoreve dhe akuzuan sindikatat që kanë legjitimitetin e rregullimit të marrëdhënieve të punës me punëtorëve dhe punëdhënësve se veprojnë në keqbesim dhe për interesa të ngushtë vetjakë.
“Gjithë sa më sipër, ka krijuar terren që punëdhënësit e këtij sektori të vazhdojnë me abuzimet dhe me padrejtësitë ndaj punëtoreve duke përfituar nga statusi i tyre i brishtë ekonomiko-social dhe edukimi i tyre i pamjaftueshëm,” thanë organizatat.
“Rasti i helmimit të grave punonjëse të shoqërisë “Lovers Albania” është një ndër shembujt flagrantë të gjithë problematikave të shprehura më sipër. Në mbrojtje të vajzave dhe grave të lënduara në këtë fabrikë, ne kërkojmë të hetohet dhe bëhet transparencë,” përfunduan ato.