Rënia e një skele, në të cilën po punohej për rikonstruksionin e një pallati në afërsi të rrugës së Elbasanit në Tiranë, ka vrarë 2 punëtorë, ndërsa dy të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Dy punëtorë ndërtimi u vranë të premten, pasi një skelë e vendosur për të rikonstruktuar një pallat në afërsi të Rrugës së Elbasanit në Tiranë, u rrëzua duke i zënë poshtë. Dy të tjerë janë plagosur rëndë.
Policia e Tiranës njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në “Rrugën e Elbasanit”. Sipas saj viktimat ishin duke punuar në rikonstruksionin e një pallati dhe u zunë poshtë nga një pjesë e skelës metalike e cila ishte shkëputur.
Policisë dhe zjarrfikësve që shkuan në vendin e ngjarjes iu deshën rreth dy orë për të nxjerrë nga rrënojat trupat e pajetë të dy punëtorëve, që u identifikuan si O.G, 36 vjeç dhe E.B 31 vjeç.
“Si pasojë e shkëputjes së skelës janë dëmtuar 4 nga punëtorët të cilët ndodheshin duke punuar pranë këtij objekti, shtetasit G. B., 44 vjeç dhe E. L.,34 vjeç janë dërguar të cilët janë dërguar në spital për ndihmë mjeksore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë policia bëri me dije se ka shoqëruar administratorin e punimeve dhe po heton për të zbuluar shkaqet e ngjarjes.