Policia e Elbasanit njoftoi arrestimin e një prej vëllezërve Çapja dhe një personi tjetër me armë pa leje si pjesë e operacionit “Forca e Ligjit”. Në një komunikatë për shtyp policia thotë se aksioni bëhej për të rritur sigurinë publike dhe se u kapën dy pistoleta e municione.
Policia e Elbasanit e mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) njoftoi arrestimin e dy personave, pas një kontrolli të befasishëm në lokalin e një prej vëllezëve Çapja në Elbasan. Policia njoftoi se gjatë kontrollit u zbulua një sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe lëndë eksplozive.
Në njoftim bëhet me dije se është arrestuar Enver Çapja, 57 vjeç dhe Naim Gjarri, 38 vjec që të dy banues në Elbasan. Të dyve u janë sekuestruar gjatë kontrrollit në një lokal dhe në banesë, dy pistoleta, një Clock dhe një TT, disa qindra fishekë, një pako e dyshuar si lëndë eksplozive me sahat. Po ashtu u sekuestruan 2110 euro dhe 372.000 lekë.
Arrestimet sipas policisë janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Akuza e ngritur aktualisht ndaj të arrestuarve është mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municioneve luftarake parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Policia njoftoi se ndërkohë kishte edhe disa dfhjetra të shoqëruar të cilët po verifikoheshin. Të arrestuarit njihen si pjesë të fisit “Çapja”, anëtarë të të cilit janë akuzuar për ngjarje të ndryshme përfshi një përplasje me armë me policinë. Ata po ashtu kanë qenë viktima të disa atentateve, për të cilat akuzohen grupet rivale.
Policia tha se aksioni ishte “një rezultat i planit të masave të hartuar nga drejtoria e policisë Elbasan për rritjen e sigurisë publike, parandalimin e ngjarjeve kriminale kapjen e personave që lëvizin me armë pa leje”.