Lajm20 Mar 2020

Dy të shëruar nga Covid-19 në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama njoftoi se dy prej të infektuarve përfshi babain e pacientit zero, rezultuan negativë në testet e dyta, duke shënuar dy të shëruarit e parë nga Covid-19 në Shqipëri.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Spitali Infektiv ne Tirane. Foto: LSA

Qeveria njoftoi mbrëmjen e të premtes se dy prej pacientëve të parë me Covid-19 në Shqipëri kishin rezultuar në negativë në testet e dyta. “Testi i dytë konfirmon negative kontaktin e parë të pacientit zero”, shkroi kryeministri Edi Rama në Facebook, ndërsa falenderoi mjekët për rezultatin.

Dy të shëruarit besohet se do të lirohen prej spitalit, por autoritetet thanë se ata do të duhet të qëndrojnë në shtëpi në karantinë edhe për 14 ditë të tjera.

Prej identifikimit të rastit të parë në Shqipëri më 8 mars këta janë dy pacientët e parë të shëruar, dy të tjerë kanë humbur jetën dhe sipas Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirlliu katër persona ndodhen në terapi intensive. Numri i të identifikuarave pozitiv është 70 në 732 testime.