Përplasja me armë mes dy grupeve në një lokal në Kurbin shkaktoi dy të vrarë, ndërsa një person mbeti i plagosur. Policia ka shoqëruar 20 persona që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen.
Një përplasje me armë mbrëmjen e të shtunës në një lokal në Kurbin, shkaktoi dy të vrarë ndërsa një përson që dyshohet prej policisë se ishte pjesë e atyre që sulmuan mbeti i plagosur. Policia bëri me dije se kishte identifikuar viktimat si Bujar Lika 37-vjeç dhe Paulin Gjergji 53-vjeç, i cili ndërroi jetë pak orë pas ngjarjes në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa i plagosur ka mbetur Kreshnik Tusha 37-vjeç.
Ngjarja ndodhi në oren 22:17 minuta të së shtunës në ambjentet e jashtme të një hoteli në autostradën Milot-Mamurras pranë fshatit Gjorm të Kurbinit.
Policia njoftoi se dy viktimat ishin bashkë ulur në lokal, në momentin kur dyshohet se janë sulmuar nga i plagosuri Kreshnik Tusha dhe një person tjetër ende i paidentifikuar. Burime nga policia thanë se dy atentatorët kanë qëlluar 5 herë me armë zjarri automatik, ndërsa Lika mendohet që është kundërpërgjigjur duke plagosur një prej tyre.
Bujar Lika, sipas policisë ka qenë shenjestra sulmit. Lika ka qenë më herët i akuzuar si i përfshirë sëbashku me një grup personash në vrasjen e një të riu në Tiranë, por ai u gjet i pafajshëm për akuzat.
Në lidhje me ngjaren janë shoqëruar në polici mbi 20 persona të cilët po merren në pyetje si dhe janë sekuestruar gëzhojat e gjetura në vendin ngjarjes.