Shqipëria regjistroi dy vdekje të tjera nga koronavirusi i ri përgjatë 24 orëve të fundit, duke e rritur totalin në dhjetë, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Pacientët e ndarë nga jeta janë një 67 vjeçar nga Tirana dhe një 72 vjeçare nga Vlora. Të dy pacientët, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vuanin nga hipertensioni. Pacientja u raportua fillimisht mbrëmjen e së Premtes me moshën 52 vjeç, por ministria publikoi një saktësim më vonë pas kryerjes së verifikimeve në regjistrin e Gjendjes Civile. Pacientja nga Vlora ishte pranuar në spital katër ditë më parë dhe ishte vendosur në terapi intensive dy ditë më parë. Pacienti nga Tirana ishte nën trajtim intensiv që prej katër ditësh.
Shqipëria numëron deri tani 186 pacientë me COVID-19, nga të cilët, 10 nuk i kanë mbijetuar sëmundjes dhe 31 janë shëruar. Numri i rasteve aktive në trajtim spitalor ose shtëpiak është 147.
Shkalla e mortalitetit nga COVID-19 aktualisht është 5.4%. Mosha mesatare e viktimave është 66 vjeç, sipas të dhënave të grumbulluara nga BIRN.