Lajm12 Apr 2019

Dy vendime në 1 ditë: Dosja “Babale” shkon në gjyq, mbyllet hetimi për Agron Xhafajn

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë për të çuar në gjyq ish-deputetin Ervin Salianji, gazetarin Jetmir Olldashi, Albert Veliun dhe Fredi Alizotin, ndërkohë që në një seancë paralele të Krimet e Rënda u vendos mbyllja e hetimeve për vëllanë e ish-ministrit Xhafaj.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ervin Salianji në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi kundërshtoi zgjatjen e hetimeve për çështjen e njohur si “Babale” Foto:LSA

Në dy seanca paralele, gjykata pranoi të premten kërkesat e prokurorisë për të çuar në gjykim ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji, gazetarin Jetmir Olldashi, Albert Veliun dhe Fredi Alizotin si dhe për të pushuar hetimin ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj.

Vendimi për t’i hapur rrugën shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve për “kallëzim të rremë” për çështjen e njohur me emrin “Babale” u mor nga Gjykata e Tiranës, ndërsa mbyllja e hetimit për akuzat e “trafikimit të narkotikëve” për Agron Xhafajn u vendos nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Për disa orë, në ambjentet e Gjykatës së Tiranës u zhvillua seanca paraprake ndaj të pandehurve Ervin Salianji, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi. I pandehuri Fredi Alizoti kërkoi gjykim të shkurtuar, ndërsa tre të pandehurit e tjerë kanë kërkuar pushimin e çështjes.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në një deklaratë për mediat pas vendimit të Gjykatës se Prokuroria është e kapur politikisht dhe se nuk vepron ndaj zyrtarëve të shtetit.

“Kupola e shtetit është përfshirë në një skandal dhe dëshmitari i rremë, Alfred Alizoti ka pranuar të bëjë 1 vit burg, për të mbrojtur kupolën e shtetit në aferat e tyre korruptive,” akuzoi Basha.

Audio-përgjimi i publikuar në maj të vitit 2018 nga Partia Demokratike, në të cilin aludohej se vëllai i Ministrit të Brendshëm bisedonte me një trafikant u cilësua nga prokuroria si e sajuar. Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi atëherë masa sigurie “arresti me burg” për Albert Veliun dhe Fredi Alizotin, ndërsa u vendos detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashi. Më pas dosja u nda dhe pjesa që i përkiste veprës penale “kallëzim i rremë” u kalua për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Ndërkohë, listës së të hetuarve si bashkëpunëtorë në sajimin e audio-përgjimit ju shtua edhe ish-deputeti demokrat Ervin Salianji.

Prokuroria për Krime të Rënda vazhdoi hetimin edhe për veprën penale “trafikim të narkotikëve”, por pa rezultate. Një burim në këtë prokurori pohoi për BIRN se rreth dy javë më parë është depozituar në gjykatë kërkesa për pushimin e kësaj çështjeje.

Pushimi i hetimit ndaj vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj u konfirmua për BIRN nga një zyrtare e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila tha se të premten “u pranua kërkesa e prokurorisë”.

Pak ditë pasi Partia Demokratike publikoi audio-përgjimin, Agron Xhafaj bëri një letër publike ku thoshte se do të dorëzohej për të kryer dënimin në Itali, gjë të cilën e kreu. Ndërkohë prokuroria nisi hetimet për “trafik narkotikësh” bazuar mbi audio-përgjimin, por që u pushua të premten me kërkesë të prokurorisë dhe miratim të gjykatës.