Analize7 Nov 2019

E ardhmja demografike e Kosovës duket e njohur

Shteti më i ri i Europës nuk mbetet imun ndaj plakjes dhe shpopullimit që ka prekur të gjitha shoqëritë në Ballkan.

Autor: Tim Judah BIRN Prishtinë
Printo

Infografika: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Kosova mund të jetë shteti më i ri i Europës, por kushdo që ka qenë përgjegjës ka mbledhur të dhëna për aq kohë sa dikush ka pasur pushtet për të mbledhur taksa.

Një statut i vitit 1330 i manastirit ortodoks serb të Deçanit në Kosovën perëndimore regjistron numrin e vendbanimeve dhe familjeve përreth tij dhe në atë që është tani në veriu i Shqipërisë. Kjo duket se tregon se shumica e njerëzve atje ishin serbë.

Nuk është kështu, argumentojnë disa historianë shqiptarë që thonë se zyrtarët serbë “po skllavëronin” emrat shqiptarë për t’i asimiluar ata.

Në Kosovë, historia gjithmonë ka qenë luftë me mjete të tjera dhe kështu është më e lehtë të gjesh analiza të hollësishme se sa serbë dhe shqiptarë kanë jetuar në Kosovë në çdo kohë në shekujt e kaluar sesa të gjesh analiza të shifrave, tendencave dhe për pasojë nevojave e popullit, sesa të serbëve, shqiptarëve dhe të tjerëve, që jetojnë sot në Kosovë.

Statistikat janë shënuar ose rregulluar për të mbështetur njërën anë ose tjetrën, ose thjesht janë hamendësuar – të gjitha këto e bëjnë analizimin e demografisë së Kosovës shumë më të vështirë se kudo tjetër në Ballkanin Perëndimor.

Infografika: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Për shembull, sipas Eurostat, agjencia statistikore e BE-së, e cila i merr të dhënat e saj nga ASK, Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2010 popullsia rezidente e Kosovës ishte 2.2 milionë banorë, por në vitin 2011 ishte 1.79 milionë banorë.

Pra, krejt papritur më shumë se 400,000 njerëz vdiqën ose emigruan? Sigurisht që jo.

Shpjegimi që fshihet pas kësaj të dhëne statistikore na ndihmon të kuptojmë pse politika e ka bërë kaq të vështirë të dimë se sa njerëz jetojnë në Kosovë.

Në vitin 1981, censusi jugosllav regjistroi një popullsi totale prej 1.58 milionë banorë, nga të cilët 77.4 për qind ishin shqiptarë dhe 14.9 për qind serbë dhe malazezë.

Në kohën e censusit të ardhshëm në vitin 1991, lideri serb Sllobodan Millosheviç kishte shfuqizuar autonominë e Kosovës dhe shqiptarët e bojkotuan censusin, domethënë që Instituti Federal Jugosllav i Statistikave u desh të vlerësonte shifrat e tyre.

Kjo çoi në përfundimin se tani në Kosovë kishte 1.97 milionë banorë, nga të cilët 82.2 për qind ishin shqiptarë.

Në fakt, numri në të vërtetë në Kosovë ishte më pak sepse shifrat e censusit të Jugosllavisë përfshinin ata që punojnë jashtë dhe familjet e tyre.

Sipas një vlerësimi që Instituti bëri në vitin 1989, në të vërtetë në Kosovë kishte vetëm rreth 1.87 milionë banorë.

Megjithatë, gjatë viteve 1990 ishte e zakonshme të lexohej se popullsia e Kosovës ishte të paktën dy milionë banorë.

Kur u bë regjistrimi i parë i popullsisë pas luftës në 2011, u zbulua se popullsia e Kosovës ishte shumë më pak sesa mendonte kushdo, që tregon një rënie të madhe në shifrat e Eurostat.

Infografika: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Një arsye kryesore për gabimin ishte rënia e shkallës së pjellorisë, e cila gjatë gjithë periudhës jugosllave kishte qenë jashtëzakonisht e lartë.

Në vitin 1950, gratë kishin një mesatare prej 7.6 fëmijë. Deri në vitin 1981, kjo kishte rënë në 4.58. Deri në vitin 1991, kjo ishte 3.58 dhe në fund në vitin 2015 kjo ra nën nivelin e zëvendësimit në 2.00, e cila mbeti njësoj edhe në vitin 2018.

Megjithatë, deri në censusin e vitit 2011, parashikimet u bënë duke përdorur nivele më të larta sesa niveli aktual i lindshmërisë.

Gjithashtu nuk kishte statistika të sakta mbi numrin e njerëzve që ishin larguar, qoftë në Serbi në rastin e serbëve ose për pjesën tjetër të botës në rastin e shqiptarëve të Kosovës.

Ndërsa censusi i vitit 2011 ishte i pari që ofroi një ide të besueshme të popullatës së Kosovës që nga viti 198, tani serbët e Kosovës bojkotuan, ose censusi nuk u mbajt në katër komunat e kontrolluara nga serbët në veri. Kështu që ASK u desh t’i vlerësonte shifrat e tyre.

Sot faqet e internetit për katër komunat veriore me popullsi kryesisht serbe e vendosin popullsinë e tyre në 70.430 banorë, por nëse përjashtojmë studentët, veçanërisht nga pjesët e tjera të Serbisë, ky numër mund të jetë i ekzagjeruar për arsye politike.

Gjatë vitit të kaluar, presidenti serb dhe ai i Kosovës kanë luajtur me idenë e një shkëmbimi territori dhe njerëzisht, bazuar në të cilat veriu i Kosovës do të shkëmbehej për shumicën etnike me banim shqiptar Luginën e Preshevës në jug të Serbisë (shqiptarët e së cilës gjithashtu bojkotuan censusin e fundit serb).

Një problem nga këndvështrimi serb është se nëse shkëmbimi ndodh, shumica e serbëve të Kosovës do të liheshin në jug – nëse shifrat e komunës nuk do të ishin të sakta. Megjithatë, provat nga burime serbe sugjerojnë se nuk është kështu.

Shifrat e regjistrimeve në shkollë dhe ato të Kishës Ortodokse Serbe tregojnë për një popullsi rezidente serbe të Kosovës prej rreth 100,000 banorësh, me rreth 40 për qind që jetojnë në veri dhe pjesa tjetër në jug.

Nëse dyshimi se shifrat e popullatës në veri të Kosovës janë vënë në shërbim të qëllimeve politike është i saktë, kjo nuk do të ishte hera e parë në historinë e kohëve të fundit.

Gjatë viteve 1980, kur shkalla e lindjeve shqiptare ishte jashtëzakonisht e lartë, kjo ishte një çështje që u përdor në shërbim të forcave politike serbe, të cilët argumentuan se shqiptarët e Kosovës qëllimisht kishin familje të mëdha për ta bërë Kosovën të tyre – sesa fakti se shoqëritë e varfra në të cilat shumica e grave nuk punojnë priren të kenë një shkallë të lartë lindjesh.

Megjithatë, argumenti ishte i fuqishëm dhe e ndihmoi Millosheviçin të vinte në pushtet – një pikë kthese që çoi në shkatërrimin e Jugosllavisë.

Në të njëjtën kohë, familjet e mëdha kishin nevojë për tokë dhe shtëpi dhe ky presion i popullatës nënkuptonte se një numër i madh serbësh ua shitën pronat e tyre shqiptarëve dhe u nisën për në Serbi, ku paratë mund t’u siguronin atyre shumë më tepër nga sa kishin pasur në Kosovë.

Pas luftës në vitin 1999, kur serbët iu larguan spastrimit etnikë, zyrtarët serbë pretenduan se në Serbi kishin ardhur rreth 220,000 serbë, që do të nënkuptonte më shumë sesa jetonin në të vërtetë atje, sipas censusit të vitit 1991 në të cilin morën pjesë serbët dhe malazezët dhe që regjistroi 215.346 prej tyre plus 42.806 romë, shumë prej të cilëve gjithashtu vuajtën në atë kohë.

Në fakt, analiza nga grupi i ekspertëve të Nisma Stabiliteti Europian zbuloi se shifra e vërtetë e atyre që kishin ikur ishte rreth 65,000.

Në atë kohë, agjencitë e Kombeve të Bashkuara përdorën shifrat serbe, duke u dhënë atyre besueshmëri.

Sot, popullsia serbe e Kosovës po plaket shpejt dhe po zvogëlohet. Nuk ka mundësi të mjaftueshme për punë për popullatën e përgjithshme dhe për pasojë ka akoma më pak mundësi të tilla për serbët e Kosovës, një pjesë e madhe e të cilëve nuk flasin shqip.

Infografika: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Në të gjithë Ballkanin, tendencat tregojnë për shoqëri që plaken dhe tkurren nga të cilat të rinjtë dhe personat e aftë po emigrojnë në shifra të mëdha.

Sot, falë bumit të popullsisë së saj, sidomos në vitet ’80, Kosova ka popullsinë më të re në Europë.

Por tani që shkalla e lindjeve së saj ka zbritur nën nivelin e zëvendësimit, dhe falë emigrimit, shqiptarët e Kosovës dhe për pasojë e gjithë popullsia ka filluar të plaket dhe tkurret gjithashtu.

Sipas analizës së ASK, popullsia e Kosovës mund të bjerë në 1.49 milionë banorë deri në vitin 2061.

Në vitin 2017, 25 për qind e popullsisë ishte 14 vjeç ose nën këtë dhe tetë për qind ishte 65 vjeç ose më lart.

Deri në vitin 2061, mund të ketë vetëm 13 për qind në grupin me moshë më të re, por 27 për qind në grupin më të moshuar.

Çështja e emigracionit është shqetësuese dhe e politizuar. Kjo është gjithashtu një çështje e vështirë për t’u përllogaritur për shkak të mungesës së të dhënave.

Në periudhën jugosllave, pati tre flukse kryesore emigracioni: Shqiptarët e Kosovës dhe serbët që shkuan për të punuar jashtë vendit si të ashtuquajturit gastarbeiters, serbët e Kosovës që shkuan në Serbi dhe shqiptarët e Kosovës që shkuan në pjesë të tjera të Jugosllavisë.

Shpërbërja e Jugosllavisë mbylli emigracionin e ligjshëm përveç atyre që kërkojnë azil.

Në periudhën 2013-20116, numri i kërkesave për azil për asye ekonomike në BE nga kosovarët plus ata të zbuluar në mënyrë të paligjshme në shtetet e BE-së ishte 229,005.

Tani po hapet një kapitull i ri, që do të thotë se ndërsa njerëzve nga Kosova u duhen ende viza për të udhëtuar në Zonën Shengen, vende si Gjermania dhe Kroacia kanë filluar të japin leje pune për ta në mënyra dhe numra që nuk e kanë bërë më parë.

Sot, ndërsa ne mund të mbështetemi në statistikat e vendeve të huaja për të numëruar qytetarët e Kosovës në to, mund të hamendësojmë vetëm përmasat e diasporës, edhe pse zakonisht thuhet se janë rreth 700,000 në Europë, me një numër të vogël në Amerikën e Veriut dhe gjetkë.

Kjo shifër i referohet vetëm shqiptarëve të Kosovës, dhe ndërsa numri i serbëve të Kosovës jashtë Kosovës dhe Serbisë do të jetë i vogël, numri i atyre që kanë lindur në Kosovë dhe i fëmijëve të tyre në Serbi nuk do të ishte i tillë.

Kushdo që ka lindur në Kosovë ose ka një prind i cili është i regjistruar si qytetar i saj mund të kërkojë shtetësinë e Kosovës dhe të votojë.

Në vitin 2018, numri i njerëzve nga Kosova në Zvicër ishte 111.826, në Gjermani 218.150 dhe në Austri 25.025.

Në periudhën 2010-2018, numri i njerëzve nga Kosova që morën nënshtetësi zvicerane ishte 25.311, por në vitet para kësaj numra të mëdha njerëzish që ishin shtetas të Jugosllavisë ose Serbisë e morën gjithashtu atë dhe kështu që është e pamundur të tregohet nga ato shifra se kush ishte nga Kosova ose kush ishte serb apo shqiptar.

Gjermania filloi regjistrimin e natyralizimeve të njerëzve nga Kosova vetëm nga viti 2008, dhe që atëherë deri në vitin 2018, numri i përgjithshëm është 33.966.

Duke pasur parasysh këto shifra, është mjaft e mundshme që diaspora totale në Europë, përfshirë fëmijët me nënshtetësi të huaj, është afërsisht dyfishi i numrave të regjistruar të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, pra në të vërtetë rreth 700,000 njerëz.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, dërgesat e diasporës përbënin 11.8 për qind të produktit të brendshëm bruto në 2018.

Mosha mesatare në Kosovë është 29.06, ndërsa në Shqipëri është 36.07 dhe në Serbi 43.

Kosova duhet të përfitojë shumë më tepër sesa përfiton aktualisht nga popullsia e saj e re, por mungesa e vendeve të punës dhe mundësive mbetet një pengesë për rritjen dhe nxitje për emigracionin.

Megjithatë, tendencat janë të qarta. Kosova është vite – madje edhe disa dekada – pas pjesës tjetër të Ballkanit kur vjen fjala për plakjen dhe tkurrjen e popullsisë, por nëse diçka nuk ndryshon, ajo po shkon drejt të njëjtës rrugë si fqinjët e saj.