Analize1 Sep 2021

Ekocidi duhet dënuar me ligj

Siç tregojnë katastrofat e përhapura, dëmet e mëdha që i janë shkaktuar mjedisit tonë janë një krim kundër të gjithëve. Në vend që ta lërë këtë në dorë të shteteve individuale, Gjykata Penale Ndërkombëtare duhet të njohë "ekocidin" si një krim ndërkombëtar.

Autor: Kate Mackintosh, Jojo Mehta, Richard Rogers Project Syndicate Los Anxheles
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Ndërsa përmbytjet, zjarret, temperaturat shumë të larta dhe sëmundjet zoonotike e bëjnë të pamundur shpërfilljen e krizës klimatike dhe ekologjike, bota mund të jetë duke iu afruar më shumë pajtimit se dëmi serioz që i është shkaktuar mjedisit tonë natyror është më shumë sesa një çështje marrëveshjesh dashamirësie. Ky dëm mund të jetë një krim ndërkombëtar.

Herën e fundit që u prezantua një vepër e re penale ndërkombëtare ishte pas Luftës së Dytë Botërore. Kartat e Nurembergut dhe Tokios shtuan krimet kundër njerëzimit nte krimet ekzistuese të luftës dhe krimet kundër paqes (“agresioni”), duke ngulitur idenë se akte të caktuara janë aq skandaloze saqë, kushdo qoftë viktima, ato na shqetësojnë të gjithëve. Menjëherë pas kësaj, në vitin 1948, një krim i veçantë kundër njerëzimit – gjenocidi – u përfshi në një traktat të ri.

Ne mund të jemi dëshmitarë të një momenti të ngjashëm në marrëdhënien tonë me mjedisin. Muajin e kaluar, një panel i larmishëm i pavarur i pëbërë nga juristë ndërkombëtarë nxorën draftin që përkufizon krimin e “ekocidit”, për t’u propozuar që të përfshihet në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN). Paralelet janë të qarta: miratimi i ekocidit si një krim ndërkombëtar pranon se dëmtimi i rëndë i shkaktuar mjedisit tonë është një krim kundër të gjithëve dhe se ne nuk mund ta lëmë më atë në dorë të rregulloreve të shteteve individuale.

Paneli, i thirrur nga Fondacioni Stop Ecocidit (për të cilin ne kemi punuar), e përkufizoi krimin si më poshtë: veprime të paligjshme ose dashakeqe të kryera me dijeninë se nëpërmjet këtyre akteve ekziston një mundësi e konsiderueshme e shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të përhapur ose afatgjatë ndaj mjedisit.

Duhet të kalohen dy pragje që veprimet të përbëjnë krim. Fillimisht, duhet të ketë një gjasë substanciale që ato do të shkaktojnë dëme të rënda ose të përhapura ose afatgjata në mjedis. Ashpërsia është e nevojshme në të gjitha rrethanat, dhe dëmi i mundshëm duhet të jetë ose i përhapur (që shtrihet përtej një zone të kufizuar, duke kaluar kufijtë e shtetit, ose duke prekur një ekosistem të tërë ose një numër të madh njerëzish), ose afatgjatë (i pakthyeshëm ose i pariparueshëm përmes rimëkëmbjes natyrore brenda një periudhë të arsyeshme kohore). Kjo do të mbulonte situata të tilla si ndotja toksike e një qendre popullsie – një numër i madh njerëzish, por një zonë gjeografike relativisht e kufizuar – ose shkatërrim të një ekosistemi detar, i cili mund të jetë i kufizuar në madhësi, por i humbur përgjithmonë.

Për të arritur pragun e dytë, dëmi duhet të jetë ose “i paligjshëm ose dashakeq”. Idealja do të ishte që mjedisi do të mbrohej në mënyrë adekuate nga ligje kombëtare dhe shkelje ekstreme të ishin krime ndërkombëtare. “I paligjshëm” merret me situata të tilla. Por legjislacioni kombëtar ndryshon dhe ligji ndërkombëtar për mjedisin përmban disa ndalime të drejtpërdrejta. Dhe disa akte të lejuara ligjërisht që dëmtojnë mjedisin janë të dëshirueshme nga shoqëria: kini parasysh strehimin, transportin ose projektet të nevojshme infrastrukturore. Në raste të tilla, ligji ndërkombëtar për mjedisin përcakton parime – mbi të gjitha parimin e zhvillimit të qëndrueshëm – sipas të cilave shtetet duhet të sillen. Termi “dashakeq” në përkufizimin e ekocidit i shërben një qëllimi ekuivalent, duke adresuar aktet e lejuara ligjërisht që janë të pamatura, për shkak të nivelit disproporcional të dëmit të mundshëm.

Në mënyrë që të njihet si një krim ndërkombëtar krahas gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe agresionit, krimi i ekocidit do të duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën dy të tretave të shteteve anëtare të GJPN-së (aktualisht janë 123 shtete në total). Pastaj do të bëhet efektiv për çdo shtet që e ratifikon atë. Individët në pozita përgjegjësie, veprimet e të cilëve bien brenda përkufizimit, do të jenë subjekt i ndjekjes penale në GJPN, ose nga çdo gjykatë kombëtare me juridiksion, dhe do të dënohen me burg nëse shpallen fajtorë. Ky është një ndryshim i madh nga status quo-ja, ku mungojnë sanksionet penale, në nivel ndërkombëtar dhe shpesh edhe në nivel kombëtar, për shumë nga rastet më të këqija të shkatërrimit masiv të mjedisit. Në shumicën e juridiksioneve, individët ose korporatat përballen vetëm me dënime financiare.

Kriminalizimi i ekocidit mund të ketë një efekt më të fortë parandalues ​​sesa perspektiva e gjenocidit ose krimeve të luftës, sepse është kryesisht një shkelje e përbashkët. Për shkak se vlera e një kompanie varet shumë nga reputacioni i saj dhe besimi i investitorëve, menaxherët do të kishin shumë për të humbur nëse e gjejnë veten në të njëjtën bankë të akuzuarish ku del edhe një kriminel lufte (GJPN-ja ndjek penalisht autorët e krimit dhe jo korporatat). Edhe rreziku i dënimit për kryerjen e një krimi ndërkombëtar mund t’i drejtojë vendimmarrësit e korporatave drejt metodave më të sigurta dhe më të qëndrueshme të operimit. Shpresa është që parandaluesi të hyjë në fuqi shumë kohë para se të hyjë në fuqi ligji, pasi perspektiva e legjislacionit bëhet e dukshme.

Sigurisht që gjatë rrugës ka edhe sfida. GJPN-ja tashmë po lundron në ujëra të vështira dhe është e qartë nga zhvillimet në Francë se legjislacioni i brendshëm i ekocidit mund të jetë problematik (Akti i miratuar së fundmi për Klimën dhe Qëndrueshmërinë 2021 përfshin një dobësim të kritikuar të termit).

Por mund dhe duhet të sigurohet mbështetje e gjerë ndërkombëtare për krimin e ekocidit. Qeveritë – përfshirë ato të Vanuatut, Maldiveve, Francës, Belgjikës, Finlandës, Spanjës, Kanadasë dhe Luksemburgut – tashmë po shprehin interes. Mocione parlamentare ose projektligje janë paraqitur në një numër vendesh, përfshirë Belgjikën, Portugalinë, Brazilin, Francën, Bolivinë, Bangladeshin, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kilin. Vendet nuk duhet të presin që katastrofën që të ndalojnë krimin ndërkombëtar të kohëve tona.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Prosecuting Ecocide