Dy ekonomistë amerikanë, William D. Nordhaus dhe Paul M. Romer u shpallën fitues të çmimit Nobel në ekonomi për kontributin e tyre në studimin e ngohjes globale, i pari nga pikëpamja e analizës makroekonomike afatgjatë dhe i dyti nga pikëpamja e inovacionit teknologjik.
Dy ekonomistë, puna e të cilëve ka pasur shumë ndikim në mënyrën se si bota e kupton makroekonominë sot, William D. Nordhaus nga Universiteti i Jellit dhe dhe Paul M. Romer nga shkolla e biznesit Stern në Universitetin e Nju Jorkut, u shpallën fitues të çmimit Nobel në ekonomi të hënën më 8 tetor.
Komiteti i Çmimit Nobel në Ekonomi deklaroi se të dy fituesit “na kanë afruar shumë me pikën kur ne të jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes se si mund të arrijmë rritje ekonomike të vazhdueshme dhe të qëndrueshme”.
Nordhaus është veçanërisht i njohur për studimin e ciklit politik të biznesit, publikuar fillimisht në vitin 1975, ku argumentoi se ndërhyrjet politike në menaxhimin e ekonomisë amerikane, veçanërisht përmes Rezervës Federale apo shpenzimeve publike krijonin një cilëk ulje-ngritjesh në biznes, një studim që është bërë referencë për mijëra studime të tjera të këtij lloji.
Por ai ka studiuar edhe efektet në ekonomi të ngrohjes globale që nga vitet ’70 duke këmbëngulur se ndotja mjedisore që shoqëron aktivitetin ekonomik dhe shoqëror ka një çmim dhe për rrjedhojë ishte një nga mbështetësit më të hershëm të idesë së një takse për emetimet ndotëse si një mekanizëm që duhet të nxisë zhvillimin teknologjik drejt një ekonomie më pak ndotëse dhe rrjedhimisht, më të qëndrueshme.
Paul M. Romer është i njohur për teorinë e rritjes ekonomike endogjene, e cila argumenton se rritja më e mirë duhet të furnizohet nga zhvillimi i kapitalit njerëzor, inovacionit dhe teknologjisë dhe jo nga burimet e jashtme, të tilla si shfrytëzimi i burimeve natyrore.