Blog17 Aug 2018

Ekonomitë më të varfra do të vuajnë më shumë nga rritja e temperaturave

Rritjet e temperaturave në një botë që sa vjen e ngrohet gjithnjë e më shumë do t'i kushtojnë shtresave të varfra dhjetëra miliardë dollarë në vit, pasi ata janë më pak të aftë për të mbajtur freskët punëtorët e tyre, thanë analistët të enjten.

Autor: Lin Taylor Weforum
Printo

Temperaturat e larta në Tiranë. Foto ilustruese.

Gjatë 30 viteve të ardhshme, punëtorët e krahut në sektorin e bujqësisë, minierave, naftës dhe gazit, si dhe sektorët prodhues – të cilët janë më të përhapurit në ekonomitë në zhvillim – do të goditen më shumë nga temperaturat më të larta, tha konsulenti i rrezikut, Verisk Maplecroft.

Duke shqyrtuar infrastrukturën energjetike me të dhënat e temperaturës dhe rritjen e parashikuar të popullsisë urbane, hulumtuesit thanë se punëtorët në Afrikë dhe Azi do të ishin më të prekurit na rritja e nxehtësisë.

“Kjo do të thotë që punëtorët po mungojnë me ditë sepse ata vuajnë nga stresi i vapës ose aftësia e tyre fizike për të ndërmarrë aktivitete fizike është zvogëluar për shkak të këtyre temperaturave të larta,” tha Richard Hewston, kreu i programit të mjedisit dhe ndryshimit klimatik në Verisk Maplecroft.

“Me kapacitet më të ulët të punës, produktiviteti zvogëlohet dhe më pas keni efekte valëzuese në të gjithë sektorët me sasinë më të lartë të punës së krahut,” tha ai për Fondacionin Thomson Reuters.

Kjo rënie në produktivitet barazohet me një humbje vjetore prej 78 miliardë dollarësh në vit në Azinë Juglindore dhe gati 10 miliardë dollarë në Afrikën Perëndimore, tha raporti i konsulencës.

Urbanizimi i shpejtë në këto ekonomi në zhvillim gjithashtu do të rrisë nevojat për energji dhe kërkesa për freski – siç është ajri i kondicionuar – do të rritet me rritjen e temperaturave duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë.

Rreth 1.1 miliardë njerëz në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine rrezikojnë të kenë mungesë ajri të kondicionuar dhe ftohje për t’i mbajtur ata freskët dhe për të ruajtur ushqimet dhe ilaçet gjatë rritjes së temperaturës, thotë grupi global Energjia e Qëndrueshme për të Gjithë.

“Madje edhe sasi modeste të ndryshimeve klimatike do të kenë shumë impakt që do të na detyrojë të bëjmë diçka në lidhje me këtë,” tha Sam Fankhauser, drejtor i Institutit Grantham për Kërkim në London School of Economics, për studimin Verisk Maplecroft.

“Ne duhet të fillojmë të mendojmë për mënyrën se si i ndërtojmë ndërtesat tona, strehët, rrymat e ajrit, ajrin e kondicionuar, çatitë e gjelbëra, si mund ta rregullojmë sjelljen tonë dhe se si ne i projektojmë qytetet tona,” tha Fankhauser, i cili nuk ishte i përfshirë në raport.

Dy të tretat e popullsisë së botës do të jetojnë në qytete deri në vitin 2050, me atë bum të përqendruar në tre vende – Indi, Kinë dhe Nigeri – sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara të publikuara në maj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se stresi nga vapa, e lidhur me ndryshimet klimatike, ka gjasa të shkaktojë 38,000 vdekje shtesë në vit në mbarë botën midis viteve 2030 dhe 2050.

Në vitin 2015, vendet nënshkruese të Marrëveshjes së Parisit vunë si qëllim limitimin e një rritjeje të temperaturave mesatare të sipërfaqes së botës në “shumë më poshtë” se 2 gradë Celsius mbi periudhën paraindustriale, ndërkohë që “përpiqeshin” të kufizonin rritjen e temperaturave në 1.5 gradë Celsius.

Marrë me autorizim nga Weforum.org.