Një projekt i Bankës Botërore që synonte të mbronte zonat bregdetare të Shqipërisë u përdor për të shkatërruar në mënyrë selektive një pjesë të një fshati në jug të Shqipërisë duke lënë shumë familje të pastreha, bëhet e ditur nga një raport i brendshëm, i cili nënvijëzon më tej akuza për korrupsion dhe përpjekje nga zyrtarë të Bankës Botërore për të mbajtur ngjarjen të fshehtë.
Një raport i brendshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit, IDA, i siguruar nga Balkan Insight, tregon se një projekt i Bankës Botërore mbi menaxhimin e zonave bregdetare në Shqipërinë e jugut ndihmoi në shembjen e vendbanimeve informale në fshatin e Jalit, duke shkelur politikat e Bankës mbi shpërnguljen me dhunë.
Hetimi i kryer nga një panel inspektimi zbuloi se menaxhmenti i Bankës Botërore nuk iu nënshtrua politikave të veta mbi dizenjimin, vlerësimin dhe zbatimin e projektit, duke dëmtuar njerëzit e zonës së prekur nga projekti. Hetimi zbuloi gjithashtu se Banka Botërore ndihmoi shembjet duke ushtruar presion mbi policinë ndërtimore të zonës pasi i kërkoi asaj të vepronte si dhe e furnizoi me pajisje dhe foto ajrore.
Përveç dështimit të projektit për të respektuar politikat e Bankës Botërore, hetuesit vërejtën se ka patur akuza për korrupsion dhe ankesa se shembjet e shtëpive në Jal qenë pjesë e një skeme më të madhe për të zhvilluar zonën si një resort turistik. Megjithëse paneli nuk jep mendim mbi këto akuza, ai del në konkluzionin se shembjet e kryera në mënyrë selektive nga policia e ndërtimit mbështesin sugjerimin se ka patyr synim për të pastruar zonën.
Paneli i hetimit akuzoi gjithashtu menaxhimin e Bankës Botërore për fshehje të fakteve gjatë hetimit dhe pengim të hetimit përmes ndalimit të aksesit te të dhënat, ndërsa vëren një mungesë të pazakontë kujtese mbi fakte dhe ngjarje të rëndësishme nga ana e stafit. Hetuesit thonë se shumë anëtarë të stafit të Bankës Botërore si në zyrat qëndrore ashtu edhe në terren qenë “stëvitur” për të ofruar informacion në mënyrë të pazakontë konsistent por jokorrekt nga faktet dhe çorientues.
Në një deklaratë për Balkan Insight, Banka Botërore pranoi se “ka pasur gabime në projekt dhe se mënyrat për të trajtuar ankesat e njerëzve të prekur janë nën shqyrtim aktiv.”
“Banka Botërore është shqetësuar mbi gabimet që u bënë nga menaxhimi dhe stafi në kontekstin e këtij projekti. Në përputhje me proceset tona të brendshme, Banka Botërore po rishikon punën e stafit dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërmarrë veprimet e duhura,” thuhet në deklaratë.
Jetë të shkatërruara
Fshati i Jalit gjendet në brigjet e Detit Jon, në rrugën që lidh portin e Vlorës me Sarandën dhe konsiderohet nga shumë vetë si një nga gjiret më të bukura të rivierës shqiptare. Dy autorë librash për fëmijë që vijnë nga kjo zonë kanë përshkruar ujërat në blu të thellë dhe plazhet ranore shpesh në librat e tyre, duke krijuar imazhin e një parajse në tokë.
Familjet që banojnë në fshat kanë histori deri në 300 vjeçare, kanë nën pronësi parcela të vogla toke që janë kaluar brez pas brezi.
Zona u neglizhua nga regjimi Stalinist i diktatorit Enver Hoxha, panorama u kursye nga industrializimi që mallkoi pjesë të tjera të vendit. Kur regjimi u rrëzua në vitin 1991, shumica e shtëpive në fshat qenë diçka më shumë se baraka dhe shumica e banorëve u larguan për të kërkuar një jetë më të mirë në Greqi apo në Europën Perëndimore.
Pas një dekade tranzicioni të rrëmujshëm drejt demokracisë, industria e turizmit filloi të ngrihej ngadalë, remitancat filluan të vijnë dhe fshati përjetoi një rilindje.
Shtëpitë e vjetra që po i shërbenin një numri gjithnjë e më të lartë turistësh papritur nuk qenë të mjaftueshme. Banorët kërkuan leje ndërtimi por u refuzuan për shkak se fshati i tyre qe jashtë zonave me plan urbanistik. Të shtyrë nga nevoja ekonomike dhe realiteti i ndërtimeve arbitrare në të gjithë vendin, ata ecën përpara, duke shtuar dhoma brenda oborreve të tyre.
Në vitin 2006, kur Shqipëria miratoi një ligj për legalizimin e ndërtimeve pa leje, shtëpitë në Jalë qenë një pjesë e vockël e mbi 220 mijë ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin.
Fshatarët aplikuan për të legalizuar ndërtesat e tyre sipas ligjit të ri por askush nuk mori një përgjigje definitive. Më 3 prill 2007, ata u njoftuan se shtëpitë e tyre qenë ilegale dhe duhej të shembeshin.
Ata apeluan te gjykata vendore por policia ndërtimore nuk priti që çështja e tyre të mbërrijë në gjyq dhe më 17 prill 2007, e rrethoi zonën dhe shkatërroi të gjitha shtëpitë e reja në fshat.
“Ata [policia] e rrethoi fshatin si në gjendje lufte”, rikujton Vasilika Koka, e cila pa shtëpinë e prindërve të vet të shkatërruar. “Të gjithë ato policë, snajperë në pozicione, për tri ditë rruga u bllokua dhe ne nuk mundëm të blinim as bukë.”
Ndërsa ata vijuan pavarësisht lutjeve dhe mallkimeve të fshatarëve, policia e ndërtimit i tha banorëve se ata nuk duhet të shqetësohen.
“Ju po qani tani, por mos u shqetësoni, ju do të hani me lugë argjendi shpejt pasi kjo është pjesë e një projekti të madh të Bankës Botërore dhe ata do të investojnë e do të kujdesen për ju,” tha një polic i policisë ndërtimore sipas banorëve.
Nxiti dhe ndihmoi shkatërrimin
Pamjet televizive të shkatërrimit shkaktuan zemërim. Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili përfaqëson zonën në parlament, kritikoi kryeministrin Sali Berisha duke argumentuar se shkatërrimet po bëheshin për interesa biznesi pranë tij.
“Në procesin [e shkatërrimit] ka interesa të paligjshme të fshehta dhe të pista të lidhura me Berishën,” tha Dule në atë kohë në parlament.
Berisha mohoi të kishte arsye të tjera dhe një zëdhënës i tij tha se ai “kishte vetëm një interes, ligjin dhe vetëm ligjin dhe se çdo interpretim përtej kuadrit ligjor është spekulim dhe i pavërtetë.”
Një javë pas shembjeve, në atë kohë, Ministri i Transportit Lulzim Basha i tha parlamentit se shembjet qenë rezultat i projektit të Bankës Botërore për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonave Bregdetare.
“Shembja qe e domosdoshme për shkak të projektit të Bankës Botërore në zonë, Banka e kërkoi atë,” tha Basha.
Paneli i hetimit gjeti një lidhje direkte mes projektit dhe shkatërrimit të Jalit dhe e përshkroi rolin e projektit si “hapje rruge” për shkatërrimet.
Sipas raportit, të dhënat e projektit sugjerojnë një lidhje aktive mes projektit dhe policisë ndërtimore për shkak të faktit se fotografi ajrore të financuara nga projekti u përdorën për identifikimin e ndërtesave që duhej të shembeshin.
Hetimi zbuloi gjithashtu se projekti dha pajisje për policinë ndërtimore për të kryer shkatërrimin, përfshirë kamera dixhitale, GPS dhe kompjuterë.
Në mars 2007, rreth dy javë para urdhërit të shkatërrimit, koordinatori i projektit, Jamarbër Malltezi, dhëndëri i Berishës, i dërgoi një letër kreut të policisë ndërtimore duke i kërkuar shkatërrimin e shtëpive pa leje ndërtimi në Jalë. Bashkangjitur me letrën qenë dy CD me fotografi ajrore të financuara nga projekti, të cilat tregonin shtëpitë që duhej të shembeshin.
Shumë artikuj të publikuar nga media vendëse më vonë lidhën procesin me koordinatorin e projektit dhe sugjeruan se shembjet po kryheshin për t’i hapur rrugë një resorti turistik.
Sipas panelit hetues, Banka Botërore në një pikë përgatiti një njoftim për shtyp për të trajtuar aludimet, por në fund nuk e publikoi atë, duke zgjedhur të mos i mohojë publikisht akuzat.
I kontaktuar nga Balkan Insight, Malltezi hodhi poshtë akuzat që u shfaqën në median vendore pas shkatërrimeve.
“Artikujt qenë të sajuar dhe të paguar [nga dikush]” tha ai, duke shtuar se ai pati mohuar se kishte bërë diçka të gabuar nga ana e tij në atë kohë, por media vendore nuk i kishte publikuar përgjigjet e tij.
Malltezi kritikoi raportin e panelit të inspektimit si të njëanshëm dhe të pabazuar në fakte dhe tha se në shkurt Banka Botërore do ta krahasojë raportin me një raport tjetër të dorëzuar nga menaxhmenti në përgjigje të akuzave para se bordi i drejtorëve të arrijë një vendim.
Banka konfirmoi për Balkan Insight dhe Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë do të takohet për të diskutuar raportin e panelit hetues si dhe përgjigjen e menaxhmentit. Ky Takim Bordi pritet të ndodhë në mes të shkurtit, kohë pas të cilës raportet e përgatitura nga Paneli i Inspektimit dhe Menaxhmenti do të bëhen publikë.
Paneli hetues arriti në konkluzionin se Banka Botërore nuk iu bind politikave të veta mbi zhvendosjet e pavullnetshme dhe se ky dështim mund të gjurmohet që në vlerësimin e projektit në vitin 2004.
Ajo doli gjithashtu në përfundimin se përgjigjja e menaxhmentit të Bankës Botërore “qe veçanërisht jondihmuese dhe joinformuese dhe me raste totalisht në kundërshti me informacionin faktual që ka qenë i njohur prej kohësh nga menaxhmenti.”
Megjithëse paneli nuk jep kompensim të përshtatshëm ai vëren se “disa nga njerëzit e prekur duken të varfër dhe të dobët dhe se ata pretendojnë se shkatërrimi i mori të gjitha kursimet e jetës si dhe kanë nevojë për ndihmë për të rindërtuar jetët e tyre.”
Fshehja e të vërtetës
Në një memo të dërguar më 24 nëntor 2008, sëbashku me raportin, paneli hetues shprehu shqetësimin para Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës për atë që e quajti “keqprezantim të fakteve” nga menaxhmenti dhe stafi i bankës.
“Ne jemi të shqetësuar të raportojmë se ggjatë hetimit të vet paneli mori disa dokumente që keqprezantonin fakte kyçe të projektit,” lexohet në memo.
Sipas memos, në një rast një deklaratë vendimtare në dokumentet vlerësuese të projektit theksohej se një marrëveshje qe arritur me qeverinë e Shqipërisë për të ndaluar shkatërrimet në zonën e projektit deri sa disa procedura dhe kritere të përcaktoheshin, por gjithsesi paneli zbuloi gjatë hetimit se deklarata nuk qe e vërtetë.
Sipas panelit, stafi dhe menaxhmenti i bankës pengoi aksesin te të dhëna kyçe dhe te dokumentet e projektit të cilat u dhanë më vonë vetëm pas këmbënguljes së panelit.
“Gjatë hetimit disa prej stafit na dhanë përshtypjen se qenë para-intervistuar,” vëren memoja. “në një intervistë pati edhe një refuzim për t’iu përgjigjur një pyetjeje të drejtpërdrejtë faktuale me argumentimin se menaxhmenti do të jepte një përgjigje zyrtare.”
Paneli hetues doli në konkluzionin se është përballur me vështirësi të pazakonta në pasjen e aksesit te informacioni i saktë dhe i plotë.
“Mund të jetë një rast i jashtëzakonshëm por fakti që ndodhi na shqetëson shumë,” vërejti memoja.
Besar Likmeta është redaktori i BIRN për Shqipërinë. Gjergj Erebara është redaktor për AlbaniannEconomy.com. Balkan Insight është publikimi në internet i BIRN.