Blog5 Mar 2021

Eksodi i ‘harruar’ i shqiptarëve drejt Europës

Dy dekada pasi mijëra bashkëkombas rrëmbyen anijet e ankoruara në portin e Durrësit për të ndërmarrë një udhëtim të panjohur drejt lirisë, shoqëria jonë bën një sy qorr ndaj kontributit të tyre gjatë tranzicionit të vështirë të vendit.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Anija Vlora duke u larguar nga porti i Durrësit e tejmbushur me shqiptarë që po arratisen drej Italisë

Rustem Sherifit iu desh gati një javë në Itali – ku kishte arritur me anijen ‘Tirana’ së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë që u larguan nëpërmjet eksodit biblik të vitit 1991, për të kutpuar se ideali për të cilin kishte punuar prej disa dekadash si anëtar i Partisë së Punës dhe marinar i flotës tregtare ishte shembur.

Mes të arratisurve – pa dijeninë dhe dëshirën e Rustemit, ishte edhe i biri, Shpendi, i cili u angazhua menjëherë si përkthyes në vendin fqinj dhe erdhi ta takojë të jatin në bordin e anijes disa ditë përpara se të kthehej në Durrës.

“Kishte me vehte një thes me plaçka të reja të dhuruara, të cilat në 35 vjet punë, nuk kisha mundur ti bëj asnjëherë të gjitha bashkë për t’ia sjellë familjes,” tregon Rustemi, ndërsa kujton ngjarjet e eksodit të vitit 1991, por edhe zhgënjimin nga jeta nën regjimin komunist.

Anija “Tirana”, ku ai punonte mbërriti në portin e Brindizit 30 vjet më parë, më 6 mars 1991, dhe në bord kishte më shumë se 3,000 shqiptarë, që e kishin lënë pas Durrësin dhe qytete të tjera të Shqipërisë për një jetë më të mirë përtej Adriatikut. Nga porti i Durrësit brenda pak ditësh u larguan me anije dhjetra mijë vetë.

Tridhjetë vjet më vonë duket se shumëkush e ka harruar këtë ngjarje historike, e cila shenjoi jo pak fundin e diktaturës dhe fillimin e periudhës së tranzicionit.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, më shumë si 1.6 milionë qytetarë shqiptarë jetojnë në diasporë, nga të cilët 1.2 milionë konsiderohen si emigrantë. Italia dhe Greqia kanë përqindjen më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, rreth 75 përqind. Ato ndiqen nga SHBA,Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Belgjika.

Java e parë e marsit 1991 kujtohet si java e eksodit masiv të mijra bashkëatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika. Jo vetëm në Durrës, nga ku u nisën dhjetra anije e motopeshkatore, të tejmbushura me qytetarë të të gjitha moshave, por edhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur dhe megjithëse kanë kaluar 30 vjet shifrat janë kontradiktore.

Mediat italiane shkruajtën në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë. Vetëm në Brindizi, pika më e afërt e Durrësit me Italinë zbarkuan 24 anije e motopeshkatore.

“Ishte një ëndërr që po realizohej,” thoshte vite më parë një nga nënat e reja që ka mbërritur bashkë me foshnjen e saj në krahun tjetër të Adriatikut thuajse e asfiksuar nga orët e gjata dhe kushtet e vështira të lundrimit.

Në Shqipëri, edhe pse fushata elektorale  për zgjedhjet parlamentare më 25 prill ka filluar para kohe, askush nga politikanët e të dy krahëve nuk i ka kujtur në këtë përvjetor ata që guxuan të kalojnë tre dekada më parë detin Adriatik, që në atë kohë konsiderohej si “muri shqiptar i Berlinit”.

Të arratisurit me eksodin janë njerëzit që e filluan çdo gjë nga zero në vendin fqinj, por dhe kudo u përhapën më tej – vende nga të cilët kanë ndihmuar për tre dekada me të holla familjet që lanë pas.

Miliona dollarë remitanca kanë mbërritur për familjet shqiptare nga puna e bijve dhe bijave të tyre në emigracion. Ata vetë e ruajtën fuqimisht marrëdhënien me atdheun, megjithëse jo gjithmonë u orientuan drejt për të krijuar shoqatat dhe organizatat e tyre përfaqësuese në emigracion.

Por sidoqoftë, e bënë gjithçka vetë, ndërshmërisht ashtu siç ditën dhe siç menduan se është më mirë.

U bënë qytetarë dinjitozë dhe të respektuar të vendeve ku jetojnë prej dekadash. Po ashtu i shkolluan fëmijët, duke punuar ditë e natë. Bijtë e lindur edhe në tokë të huaj u bënë përfaqësuesit e shquar të prindërve të tyre punëtorë, por edhe të Shqipërisë nga ku vijnë.

Muzikantë, shkrimtarë e poetë, mjekë, juristë, sportistë kampionë, shkencëtarë, pedagogë, e plot profesionistë të tjerë, të cilët thonë me krenari prejardhjen e tyre, e po ashtu shprehen e japin mendime në specialitetin e tyre përballë shikuesve bashkëatdhetarë në TV.

Jo pak prej tyre mes dhjetra vështirësisht vijnë shpesh për të organizuar shfaqje e koncerte, duke u bërë pasqyra e sukseseve që kanë patur në të gjithë botën. Por fatkeqësisht, ende nuk janë bërë pjesë e organizmave të rëndësishme shqiptare – brenda dhe jashtë vendit; dhe si pasojë kontributi i tyre anashkalohet dhe truri i nuk “shfrytëzohet” për të mirë e tokës që prindërit e tyre lanë pas, por nuk e harruan kurrë.