Njeriu
Diskutimi mbi pozicionin që duhet të marrë peshorja në gjykimin e eksperiencës dhe pasojave të sistemit diktatorial komunist ndër shqiptarë vazhdon të jetë i hapur, e rrezikon të mbetet i tillë për një kohë të gjatë. Kjo kryesisht për ngërthimin personal që secili ka me gjurmët dhe fatet që kanë lënë qëllimet e praktikat e regjimit, nevojën e secilit që duhet ta përmbushë me mendime, qëndrime e përfshirje sot, si dhe ca shije politike e orientime etike kryesisht për nevoja estetike.
Ndër ato për të cilat duket se gjerësisht bihet dakort numërohen bindjet se: (i) mizoria në ushtrim të dominimit e përhapje të frikës ishte e skajshme; (ii) fanatizmi me të cilin u nxit përbrendësimi i ideologjisë komuniste dhe interpretimi i rrethanave dhe historisë, (si dhe përdorimi jo i matur i burimeve njerëzore e natyrore që e pasoi) ishte i tepërt; (iii) koha deri në një rivlerësim kritik të qëndrimeve e veprimeve ishte tejet e gjatë.
E kaluara në diktuarë
Por, këto karakteristika të regjimit diktatorial gjejnë relativizuesit e vet, (në kontekstin e qasjes që prezantohet këtu,) në momentin kur bëhen pjesë e shqyrtimeve më të gjera gjeografike apo historike. Më së pari ky është fatkeqësisht një “fait accompli”, si po i thokën në gjuhën frënge. Mungesa e ndjeshmërisë ishte pasojë e përhapur e Luftës së Dytë Botërore; modeli stalinist që u ndoq ishte po kaq i ashpër; solidariteti qytetar dhe aftësia për reagim, që do të frenonte disi arbitraritetin, i/e vogël. Rajonalizimi ideologjik ose i influencës fizike ka qenë gjithmonë i pranishëm.
Përgjegjësitë
Kjo përsa i përket përgjegjësisë kolektive, sepse çrregullime psikologjike apo defiçenca kulturore tek individë apo grupe individësh, që arritën të inflitrohen në aparatet e ushtrimit të dhunës dhe shkarkuan aty problematika personale ose të nxitura në grup janë një ‘hise’, që e vështirësojnë akoma më shumë ballafaqimin. Aq më tepër i pashmangshëm.
E kaluara parakomuniste
Për më tepër modeli i aparatit shtetëror gjatë regjimit komunist sipas autorëve të ndryshëm në masë të madhe varet prej së kaluarës parakomuniste dhe prej rrjedhave të mëhershme të shtetformimit, të tilla, si zhvillimi ekonomik apo kapaciteti për mobilizim politik. Kitschelt (dhe të tjerë) në gamën e modeleve të ndryshme përcaktojnë si skaje modelin burokratik formalo-racional që përjashton korrupsionin dhe klientelizmin dhe administratën ‘trashëguese’ që bazohet në rrjetet personale të besnikërisë, kujdestarisë, korrupsionit dhe nepotizmit.
Atje ku ekonomitë kapitaliste të tregut kishin filluar të zhvilloheshin para ardhjes së komunizmit, ku mund të gjendeshin tradita të shtetformimit dhe mobilizim politik i shtuar, probabiliteti për të pasur një aparat shtetëror me karakteristika të një modeli burokratik është më i madh. Për më tepër, në vendet me ekonomi industriale më të zhvilluar ishte i mundur një distancim më i madh mes aparatit shtetëror dhe partive komuniste apo socialiste. (Për të mbërritur në këto gjetje, Kitcshelt dhe kolegët e tij kanë studiuar në mënyrë të krahasuar të dhëna prej të tre periudhave në Poloni, Hungari, Çeki dhe Sllovaki.)
Interesi ynë
Prandaj interesi ynë në terma të gjykimit historik të periudhës së diktaturës lidhet me atë se çfarë marrëdhëniesh diktatura krijoi me zhvillime më jetëgjata në shoqëri, të tilla si: (i) vetëdijësimi për dobitë e kolektivitetit të ndershëm e të vëmendshëm, (ii) shtim të kushteve të mira për produkt intelektual dhe orientimit prej tij si dhe (iii) rregullim të duhur të apartit të grumbullimit e shërndarjes.
Industrializimi dhe urbanizimi
Periudha diktatoriale ishte simotër e një tjetër zhvillimi madhor në shoqëri, industrializimit dhe urbanizimit. Vrulli ishte jo i pakët. Përpjekja për kapërcimin e vonesave të mëdha në krahasimet rajonale, që nisi me mobilizimin fashist, u dhjetfishua. Këtu nuk duhet harruar shfrytëzimi i të përndjekurve politikë që ishin të pranishëm deri në sfilitje fizike e mendore në shumë kantierë të mëdhenj të vendit. Dhe bashkë me ta edhe gjithë populli ushtar. Por brenda një kohe të shkurtër u arrit shfrytëzimi më i lartë i burimeve natyrore dhe tërheqja nga fshatrat drejt qyteteve i një numri të madh njerëzish. U çuan për shkollim një tufë njerëz që shfaqnin zgjuarsinë e duhur dhe kishin edhe njëfarë ngrohtësie me regjimin. Moskë, Pragë, Budapest, Beograd, gjithandej vajtën shumë djem e vajza nga anët e ngrohta. Edhe krijuan me furi universitete, spitale, miniera, stacione sharrash. Lagje e lagje të tëra. Pastaj kaluam në forcat tona direkt. Një çmenduri armiqësore për mbrojtjen e atdheut që dalldiste të madh e të vogël.
Kjo ndodhi në rrethanat e ngutit të madh, cmendurisë individuale e globale dhe shtrëngesës lokale.
Njeriu i ri
E mira është që këto gjëra të mos i vuash vetë. pavarësisht simpatisë së madhe që ndjellin.
Por ajo që diskutohet është: deri në çmasë ne duhet të dënojmë këto zhvillime që ndodhën dhe sa duhet ti largohemi gjetjeve të kërkesave të saj për njohje shoqërore e organizim. Në këtë aspekt, ne deri në ditët tona tregojmë se ne nuk llogarisim kosto në arritje të asaj që besojmë si e duhura. Dikur u dënuan njerëz me tepri e egërsi e të madhe për ëndrra të vetat a të poullit e në pastajin që vazhdoi, rrugaçëëria rrëmbeu bij e bija pa hesap, deri sa nisi integrimi i emancipuar i kapitalizmit, që i mbijetoi mbirjes së të 90-tave dhe njëfarë qetësie mund të shpresohet, (të paktën pas njëfarë moshe.)
Kapitalizmi
Kapitalizmi, si përfshirës mes të tjerave edhe të evoluimit teknologjik edhe urbanizimit, në zbatimin e vet politik, në vendet që të parat e përqafuan e që ishin kryesisht perëndimore, pati këto fille që përcaktonin rreshtimet: 1) qendrës dhe periferisë (rivalitete etnike, gjuhësore dhe fetare për të kontrolluar kulturën dhe moralitetin). 2) kishës dhe shtetit, për kontrollin mbi moralin dhe normat (duke patur në mendje nevojën e një mobilizimi masiv të qytetarëve,) kontrolli mbi sistemin e edukimit. 3) urbanes dhe rurales (mbi masën e pasurisë dhe kontrollit politik që duhej të përqendrohej në qendrat urbane, mbi shpërndarjen e barrës fiskale, shpërndarjen e investimeve dhe rivalitete të karakterit kulturor.) 4) klasore, mes punëtorëve e kapitalistëve, që në thelb është një negocim mbi çështje ekonomike por edhe injektime ideologjike dhe dallime mbi trajtime të tematikave kulturore bëhen pjesë e këtij rivaliteti.
Në një fazë të avancuar të mobilizimit për funksionimin dhe rreshtimin politik të qytetarëve ata i japin një rëndësi të madhe edhe vazhdës që vetë praktika e angazhimit ka krijuar: traditat e vendimmarrjes, kanalet për shprehjen dhe mobilizimin e qëndrimeve kundër, mundësitë e avancimit, avantazhet dhe kostot e krijimit të aleancave, si dhe mundësitë, implikimet dhe kufizimet që ka qeverisja e shumicës brenda sistemit.
Kulturë
Implikimet e qëndrimeve tona nuk janë fare pa interes. Një shembull me interes është ai i nismës që ndërmori zoti Agron Tufa në një ftesë për dekurajim ligjor për ekspozimin ndaj njëfarë produkti të caktuar kinematografik (apo si i thonë sot, video). Pamundësia e implementimit të një nisme të tillë domosdo që ushqen teoritë konspirancioniste, se gjoja kjo qenka një thirrje për këtë zhanër që pavarësisht kuriozitetit apo përmallimit që ngjall ka humbur pozicionin e fqinjësisë me realitetin tonë informativ. Natyrisht këtu një nxënës i shkencave politike dallon lehtë përpjekjen për nxjerrjen e coprave ndoshta me vlerë të kapitalit politik. Por gjetja kulturore ku çon kjo është pranimi i një distancimi prej një të kaluare të afërt. Distancim alarmant që pati peshë psikologjike të madhe dhe rikrijoi në një moshë të madhe një brez të tërë, atëbotë vendimarrësish. Por megjithë këtë distancim çuditërisht të madh, komunikimet ndërnjerëzore dhe të mediave, gjithashtu sociale, u morën me të. Një prani e madhe e inkurajuese.
Njeriu i ri tjetër
Përpjekja e shoqërisë sonë për të promovuar një njeri të një lloji të caktuar nuk ka reshtur, e shpresojmë nuk duhet të reshtë. Qoftë ai edhe vetëm një pagues i rregullt i energjisë elektrike, që nuk përfshihet në krim dhe nuk është i rrezikshëm në moskokçarjen e vet paksa nevrastenike, njëfarë kombtarie e interesi personal e i përbashkët përmendet gjithmonë, pa përmendur fare këtu proceset që lidhen me procesin elektoral e që amplifikojnë shumëçka.
Si shfrytëzohet njohja e së kaluarës sonë për formatimin e njeriut të ri tjetër?, kjo pyetje mendoj se tashmë e ka një përgjigje. Maksimalisht! Forca politike që vijon në rrugën e avancimit të përshpejtuar në gjurmim të komunitarizmës në shoqëri duhet të ëndërrojë për vetëm tre kanale televizive një me filma të komunizmit dhe dokumentarë të përndjekjes komuniste; një për lajme e parlament, e një për fëmijë e dokumentarë shkencorë e të natyrës. Dhe përforësim në gjithë ato ekuilibre patetike që socializmi deklamoi.
Por, nuk duhet harruar që njeriu i ri tjetër zor se do të jetë më ndonjëherë i ri (përjashtuar ndonjë eksod masiv prej fatkeqësisë natyrore, i organizuar prej NASA-s, në hënën e Jupiterit me emrin Europë.)
Lipset S., Rokkan, S. ed., Cleavage structures, party systems and voter alignment, 1967, New York, The Free Prees,
Kitschelt H., Zdenka Manfeldova, Radoslaw Markowski, Gabor Toka. Post-Communist Party Systems Cambridge University Press 1999
Kitschelt H. Party cleavages in post-communist democracies; Party politics, Vol. 1, No. 4; Sage publications 1995