Ndërsa kritikët vënë në pikëpyetje shpenzimin e shumave të mëdha për përmirësimin e flotave të vjetruara të avionëve luftarakë në Ballkan, ekspertët ushtarakë shprehen se shpjegimi pas kësaj është i arsyeshëm.
Ndërsa kritikët vënë në pikëpyetje një sërë blerjesh të kushtueshme për të përmirësuar flotën e vjetër të avionëve luftarakë në Ballkan, ekspertët ushtarakë thonë se arsyetimi është me vend.
Edhe pse në mënyrë të pashmangshme pengje të tekave politike, pozicionimit gjeo-politik dhe interesave të biznesit, analistët ushtarakë thonë se përpjekjet e vazhdueshme të vendeve të Ballkanit për të përmirësuar flotën e tyre të vjetër të avionëve luftarakë kanë vërtet kuptim nga pikëpamja e mbrojtjes.
Mirëmbajtja e aviacionit supersonik nuk kushton pak, pajtohen analistët, dhe akoma më shumë kur blerësit në fjalë janë vende që s’kanë shumë para si Kroacia, Serbia, Bullgaria dhe Rumania.
Por në mes të një mungese të dukshme vullneti nga lojtarët kryesorë në Ballkanin e trazuar për të lënë kontrollin e hapësirës së tyre ajrore, blerjet e vazhdueshme dhe të planifikuara të avionëve luftarakë janë relativisht të moderuara dhe minimumi i nevojshëm për të pasur një forcë ajrore efektive.
“Nuk po flasim për një formacion ushtarak të famshëm, por për një përpjekje të thjeshtë për mbijetesë,” tha analisti ushtarak serb Vojkan Kostiç, redaktor i sektorit Military Beat të agjencisë së lajmeve Beta të Serbisë.
“Pra, ekziston nevoja reale për modernizim,” tha Kostiç për BIRN, “por sigurisht që do të ishte naive ta shikonim të gjithë procesin të pavarur nga politika dhe dëshirat e këtyre vendeve për t’u pozicionuar në skenën politike globale.”
Në këtë kuptim, vëzhguesit thonë se vendet e Ballkanit po luajnë një lojë të sigurt, duke zgjedhur të blejnë nga aleatët e tyre tradicionalë avionë luftarakë të provuar dhe të testuar siç është F-16 Fighting Falcon i prodhuar në SHBA, ose në rastin e Serbisë, MiG-29 i prodhuar në Rusi, në Perëndim i quajtur Fulcrum.
JAS-39 Gripens të prodhuar në Suedi ishin gjithashtu konkurrentë të ngushtë në Kroaci dhe Bullgari, por nuk ia dolën.
“Nëse lëmë mënjanë interesin e justifikuar të taksapaguesve për vlefshmërinë e shpenzimit të kaq shumë parave, vijmë në aspektin profesional dhe aty, argumentet ‘pro’ modernizimit qëndrojnë,” tha Petar Vojinoviç, një analist ushtarak dhe redaktor i faqes serbe të internetit Tango Six.
Thjesht minimumi
Në atë që de facto është investimi i parë në shkallë të gjerë në modernizimin e flotës së tyre të vjetër të avionëve luftarakë që nga rënia e Perdes së Hekurt dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë, Serbia, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania kanë vendosur së fundmi të hapin kuletat për marrëveshje prej miliona eurosh.
Megjithatë, ekspertët ushtarakë vënë në dukje se në thelb, këto vende më në fund po zëvendësojnë flotat e tyre të avionëve luftarakë të vjetër, me më pak avionë luftarakë, por në thelb shumë më të aftë, të të ashtuquajturës gjenerata e katërt, të cilët ende përdoren gjerësisht nga vendet më të fuqishme në botë.
Në krahasim, para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe rënies së Murit të Berlinit, këto vende u mburrën me dhjetëra skuadra avionësh supersonikë, secila me nga 12 deri në 16 avionë. Blerjet aktuale parashikojnë zëvendësimin e të gjithë kësaj me vetëm një skuadron operacional për çdo vend, por të standardeve moderne.
“Për të ruajtur nivelin e nevojshëm, 12 avionë janë minimumi,” tha analisti ushtarak kroat Jan Ivanjek.
“Tre avionë luftarakë nevojiten gjithmonë për Alarmin e Reagimit të Shpejtë dhe nuk mund të përdoren për ndonjë mision tjetër kur janë në gatishmëri dhe me disponueshmëri operacionale rreth 80 për qind për avionët modernë, një forcë me një total prej katër avionësh luftarakë nuk do të kishte as edhe një avion në dispozicion për trajnim, sepse i vetmi avion që nuk do të ishte në Alarm për Reagim të Shpejtë, do të ishte statistikisht në mirëmbajtje,” tha Ivanjek për BIRN.
Kosti u pajtua me këtë: “Me fjalë të tjera, të kesh dy, tre ose katër avionë është njësoj si të mos kesh asnjë.”
Opsione të limituara
Kritikët e këtyre shpenzimeve kanë vënë në pikëpyetje nëse vendet e rajonit të Ballkanit, të vogla aq sa ato janë, kanë vërtet nevojë për avionë supersonikë të aftë të arrijnë dyfishin e shpejtësisë së zërit për të mbajtur detyrat më të zakonshme të kohës së paqes, që është patrullimi ajror.
Por vëzhguesit ushtarak thonë se kjo bazohet në një ide të gabuar, pasi avionët ushtarakë të ngarkuar me këtë mision duhet të jenë në gjendje të arrijnë shpejt aeroplanë të aviacionit civil që mund të përbëjnë një kërcënim të mundshëm dhe që fluturojnë nën ose afër shpejtësisë së zërit.
Ivanjek tha se patrullimi ajror është në fakt “misioni më i thjeshtë për një forcë ajrore, por i është dhënë shumë rëndësi për PR dhe arsye politike”.
Në fakt, “qëllimi i një skuadroni luftarak është të mbajë një spektër të plotë të aftësive luftarake, duke përfshirë vendosjen e dominimit ajror kundër një kundërshtari kolegjial, të kryejë mbështetje të afërt ajrore, luftë elektronike, misione zbulimi, të shkatërrojë predha të hedhura nga anijet luftarake, goditje ndaluese dhe strategjike, në të gjitha kushtet atmosferike, ditën dhe natën,” tha Ivanjek.
Avionët luftarakë multifunksionalë janë “një nga sistemet më të rëndësishme luftarake”, tha Ivanjek, “dhe asnjë sistem tjetër nuk mund t’i zëvendësojë ata.”
Vojinoviç tha se vende të tilla kishin shumë pak alternativa. “Serbia ka një politikë neutraliteti ushtarak që kërkon forca të armatosura të forta dhe relativisht të shumta dhe Kroacia ka një formë specifike territori dhe është anëtare e NATO-s. E njëjta gjë edhe për Rumaninë dhe Bullgarinë.”
Tregim i forcës ushtarake?
Blerja e MiG 29-ve të Serbisë dhe një ofertë paralele kroate për të blerë F-16, të dy ikona të dekadës së fundit të Luftës së Ftohtë, shkaktuan trazira në mediat në rajon mes akuzave për shfaqje epërsie të forcës ushtarake dhe gara armësh midis fqinjëve ballkanikë dhe ish-armiqve gjatë rënies së Jugosllavisë.
Megjithatë, ekspertët ushtarakë, duke vënë në dukje paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të rajonit, thanë se blerja e avionëve të rinj është nxitur në tërësi nga nevojat reale dhe në një shkallë shumë më të vogël nga tekat politike dhe një ndjenjë epërsie rajonale.
Kostiç citoi presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviç të ketë thënë se aktualisht Kroacia mund të mbështetej vetëm në dy ose tre avionë luftarakë të denjë. “Pra, nga kjo pikëpamje, Kroacia duhet të marrë në konsideratë blerjen e avionëve të rinj edhe nëse Serbia nuk do të ekzistonte.”
“Megjithatë, realiteti i Ballkanit është i tillë që politikanët shpesh i marrin vendimet e tyre në bazë të opinionit publik, kështu që vendimi i Serbisë për të blerë avionë nga Rusia e ka përshpejtuar procesin në Kroaci,” tha ai.
Ivanjek tha gjithashtu se perceptimet luajtën një rol të rëndësishëm.
“Është i pranishëm një shkallë kërcënimi force ushtarake, sidomos në Serbi, e cila ka nevojë të perceptohet si fuqi rajonale,” tha ai.
Megjithatë, Kostiç tha se nuk kishte arsye të mendohej se Serbia kishte ndonjë qëllim armiqësor apo ka kurajë për një garë armësh.
“Historitë për epërsi ushtarake apo forcë mund të mbijetojnë vetëm nëpër tabloide,” tha ai, “ ndërsa në realitet ekziston një luftë e hidhur për mbijetesën e komponentit të betejës të forcës ajrore serbe dhe rezultati është shumë pasigurt.”
Edhe kur të gjithë MiG-ët të bëhen operacionalë, Serbia ende do të ketë thjesht mjaftueshëm avionë luftarakë për të përmbushur nevojat bazë për trajnimin e pilotëve të rinj, tha ai.
Vojinoviç tha se vendet e varfra të Ballkanit thjesht nuk mund të përballonin një garë armësh.
“Tani po flasim për rivendosjen e kapaciteteve dhe pajisjeve të humbura. Ndoshta në rreth 30 vjet, kur situata stabilizohet dhe personeli ajror rinovohet, ne mund të fillojnë të matemi se avioni i kujt është ‘më i fortë’.”
Politikë dhe përfitime
Duke lënë mënjanë nevojat reale ushtarake, blerjet prej shumë miliona eurosh të avionëve ushtarakë gjithmonë ngrenë pyetje rreth faktit se kush përfiton nga kjo.
Kolapsi në janar i blerjes së planifikuar të Kroacisë të 12 F-16 nga Izraeli, me raportet e medias që fajësojnë ndërhyrjen e SHBA-së, dhe vendimi i Bullgarisë në fund të vitit të kaluar për të zgjedhur F-16 në vend të Gripens-ëve suedezë pavarësisht se po shkelte një sërë kushtesh të vendosura vetë në proces e sipër, theksoi rolin e dukshëm të politikës dhe përfitimit kur bëhet fjalë për fuqitë e mëdha ushtarake.
“Zgjedhja e një avioni të ri luftarak është një vendim strategjik afatgjatë dhe SHBA-ja është e përfshirë natyrshëm kur bëhet fjalë për marrjen e këtij vendimi nga aleatët e saj,” tha Ivanjek.
Ai tha se në rastin e Kroacisë, Uashingtoni po e nxiste Zagrebin të zgjidhte F-16 grekë në vend të variantit më modern Barak të Izraelit, sepse amerikani Lockheed Martin do të merrte më pas punën e modernizimit. Kroacia, megjithatë, zgjodhi avionët izraelitë, duke pasur parasysh aftësitë, çmimin dhe paketën e mbështetjes “dhe ka gjasa që në bllokimin e kësaj marrëveshjeje të kenë pasur një rol interesat financiare të Lockheed Martin”, tha Ivanjek.
Vojinoviç tha se nuk kishte asgjë të pazakontë në lobimet e superfuqive në mbështetje të kompanive dhe interesave të tyre.
Por do të ishte e drejtë vetëm nëse tani, me fundin e marrëveshjes së Izraelit, SHBA-ja do t’i ofronte Kroacisë një marrëveshje të mirë për avionët e vet ose për modernizimin e avionëve grekë, tha ai për BIRN.
“Në këtë mënyrë, SHBA-ja jo vetëm që do të arrinte qëllimin e saj për të mbajtur larg teknologjinë e Lindjes (ruse) dhe suedeze, por gjithashtu do të siguronte qëndrueshmëri financiare reale për krahët ushtarakë të aleatëve të tyre të varfër,” tha Vojinoviç.
Kostiç tha se Rusia do të përfitonte në të njëjtën mënyrë nga Serbia.
“Serbia mori gjashtë MiG nga Rusia totalisht falas, por me një marrëveshje shoqëruese që këta avionë do të modernizohen nën mbikëqyrjen e kompanive ruse,” tha ai.
“Kështu që Rusia dhuroi avionët që do të kishte shkatërruar dhe në këmbim të kësaj, ka siguruar që firmat e saj të punojnë për modernizimin dhe mirëmbajtjen afatgjatë të tyre. Plus ajo fitoi pikë politike mes popullit serb. Një situatë shumë fitimprurëse.”