Lajm19 Jun 2019

“El Classico”, mungesa e një avokati shtyn seancën ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Durrës

Seanca gjyqësore ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës të akuzuar për “korrupsion pasiv” dhe ndaj biznesmenit Namik Sadiku të akuzuar për “korrupsion aktiv” u shty për të pestën herë për mungesën e një avokati.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Tre gjyqtarët e Apelit, Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno

Ka qenë e pamundur për të pestën herë nisja e shqyrtimit gjyqësor e çështjes në ngarkim të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri e Petrit Çeno, të akuzuar për “korrupsion pasiv” dhe ndaj biznesmenit Namik Sadiku të akuzuar për “korrupsion aktiv”.

Në sallën e gjyqit të mërkurën ishin të pranishëm gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri, Petrit Çeno dhe biznesmeni Namik Sadiku, por seanca u shty për herë të pestë për shkak të mungesës së mbrojtësit ligjor të të pandehurit Çeno, avokatit Theodhori Sollaku dhe kërkesës nga ana e avokatit Ilir Kuqi se i nevojitej më shumë kohë për t’u njohur me aktet.

Avokati mbrojtës i të pandehurit Petraq Dhimitri, Ilir Kuqi, i kërkoi gjykatës të paktën edhe 10 ditë kohë për t’u njohur me gjithë aktet e dosjes penale në ngarkim të klientit të tij.

Prokurorët e çështjes, Arenc Çela dhe Klodian Braho, kërkuan shtyrjen e seancës derisa avokati i të pandehurit Dhimitri të njihej me gjithë aktet e dosjes e të mos nxirrte më këtë si shkak për mosnisjen e procesit gjyqësor. Treshja gjykyese e kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka caktoi avokat kryesisht për të pandehurin Petrit Çeno dhe vendosi të shtyjë seancën në datën 27 qershor, ora 14;00.

Prej 9 majit, procesi gjyqësor në ngarkim të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës dhe biznesmenit Sadiku ka dështuar pesë herë; dy herë për mungesë të të pandehurve, një herë për shkak të mungesës së prokurorit dhe dy herë pasi nuk janë paraqitur dy prej avokatëve.
Gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u dërguan për gjykim nga Prokuroria për Krime të Rënda në fund të nëntorit 2018, me akuzën “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të drejtësisë”. Ndërkohë, biznesmeni Namik Sadiku, po përballet në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me akuzën “korrupsioni aktiv”.

Të dhënat e siguruara më parë nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët dyshohet se kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe se udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.