Lajm4 Jan 2021

Emigrantët dhe refugjatët refuzojnë kthimin në kampin e djegur në Bosnjë

Ndërsa autoritetet boshnjake filluan të hënën punën për sistemimin e kampit të shkatërruar të emigrantëve Lipa në veriperëndim të Bosnjës, disa kanë organizuar protesta, duke thënë se nuk duan çadra të reja dhe ushqim më të mirë në Lipa, por lirinë për të shkuar në Europën Perëndimore.

Autor: Danijel Kovacevic BIRN Banja Luka
Printo

Emigrantë në kampin Lipa. Foto: BIRN.

Pasi vendasit në qytetin Bihac në veriperëndim të Bosnjës protestuan kundër planeve për të zhvendosur emigrantët dhe refugjatët nga kampi i djegur Lipa në qendrën Bira, brenda qytetit, Bosnja urdhëroi forcat e saj të armatosura të ngrinin çadra të reja në kampin Lipa ku emigrantët mund të qëndrojnë derisa të përfundojë adaptimi i kampit për stinën e dimrit.

Vendosja e çadrave të reja filloi më 1 janar, por ato nuk janë ende të pajisura plotësisht. Shtretërit dhe energjia elektrike mungojnë. Disa çadra janë të izoluara termikisht dhe mund të ngrohen, por çadrat e tjera të vjetra të ushtrisë janë të papërshtatshme për kushtet e dimrit.

Sidoqoftë, shumë nga emigrantët dhe refugjatët nuk duan të kthehen në kamp. Kur e kuptuan se nuk do të transferoheshin në Bira, disa protestuan. Ata gjithashtu refuzuan ushqimin që u solli Kryqi i Kuq për katër ditë.

Kur një delegacion i qeverisë boshnjake, përfshirë ministrat e sigurisë dhe të mbrojtjes, vizituan Lipën të dielën, emigrantët dhe refugjatët i pritën ata me protesta, duke bërtitur se nuk kanë nevojë për ushqim, por për liri dhe duan të shkojnë në BE.

Lipa ishte deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar një shtëpi e përkohshme për emigrantët dhe refugjatët që përpiqeshin të arrinin në Europën Perëndimore. Kampi ishte në proces mbyllje nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim, IOM, e cila kishte ofruar shumicën e shërbimeve dhe e konsideroi atë të papërshtatshme për motin e dimrit.

Autoritetet e Bosnjës kishin premtuar në prill se do t’i sistemonin çadrat që ato të mund të përballonin motin e ftohtë dhe po ashtu edhe shërbimet e furnizimit dhe aksesin rrugor, por asgjë nuk u bë dhe, pasi e shtyu vazhdimisht mbylljen, kur IOM më në fund e mbylli atë, një grup i paidentifikuar emigrantësh filluan të digjnin çadrat.

Pjesa më e madhe e kampit u shkatërrua. Vetëm një çadër mbeti në këmbë. Rreth 900 emigrantë dhe refugjatë që nuk kishin ku të shkonin mbetën në Lipa dhe rindërtuan çadra me materialet që nuk u dogjën në zjarr. Por ata janë në një situatë të vështirë për shkak të motit të keq dhe kushteve të këqija.

Autoritetet e Bosnjës tani janë zotuar se do ta përshtatin kampin Lipa për motin e dimrit, por, derisa puna të përfundojë, emigrantët duhet të vendosen përkohësisht diku.

Selmo Cikotiç, Ministri i Sigurisë i Bosnjës, të dielën premtoi veprim. “Çështja e akomodimit për këta njerëz duhet të adresohet urgjentisht”, tha ai.

Komisioni Europian ka njoftuar një shtesë prej 3.5 milion eurosh në ndihmë humanitare për të ndihmuar refugjatët dhe emigrantët në Bosnje që përballen me një katastrofë humanitare, tha të dielën Delegacioni i BE-së në Bosnjë.

“Situata në kantonin Una Sana është e papranueshme. Akomodimi i përshtatshëm për kushtet dimërore është një parakusht për kushtet e jetesës së njeriut dhe duhet të sigurohet në çdo kohë. Autoritetet lokale duhet të vënë në dispozicion objektet ekzistuese dhe të ofrojnë një zgjidhje të përkohshme derisa kampi Lipa të rindërtohet në një objekt të përhershëm.

“Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të mos i lënë njerëzit jashtë në të ftohtë, pa qasje në pajisjet sanitare në mes të një pandemie globale”, tha Josep Borell të dielën.

Sipas autoriteteve dhe OJQ-ve boshnjake, së bashku me njerëzit në Lipa, rreth 3,000 emigrantë dhe refugjatë të tjerë në vend janë pa strehë të përshtatshme. Nuk ka vend për ta në pesë qendrat ekzistuese të pritjes në Bosnjë, ku banojnë aktualisht rreth 6,000 njerëz.