Një emigrant rreth të 20-tave u gjet i vdekur në një trotuar në Durrës, ndërsa policia dyshon se ai ka rënë nga lartësia e “Hotel Vollgës”.
Një i ri, që besohet se është nga Siria, u gjet pa jetë mëngjesin e së martës në Durrës. 20 vjeçari që dyshohet të ketë hyrë ilegalisht në vendin tonë u gjet pa jetë pranë një trotuari përbri Shëtitores Taulantia.
Policia e Durrësit njoftoi se ai dyshohet të ketë rënë nga kati i tretë i ish-hotel Vollgës, në të cilin ai strehohej. Aktualisht godina është e pabanueshme dhe e sekuestruar më herët, pas dyshimeve se Emiljano Shullazi e ka përfituar pronësinë mbi të përmes shantazhit.
“Nga këqyrja e ambientit u gjendën disa sende personale dhe telefoni i tij”, njoftoi policia për herë të dytë. “Nga kryerja e veprimeve të para hetimore dhe ekspertiza e mjekësisë ligjore dyshohet se ky shtetas ka ndërruar jetë për shkak të rënies nga lartësia”, përfundoi deklarata e policisë.
Grupi hetimor nuk e ka identifikuar ende të riun që humbi jetën dhe vijon punën për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes. “Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësi për hetime të mëtejshme”, sqaroi policia.
Më 29 maj një shtetas maroken që dyshohet se ka hyrë ilegalisht në Shqipëri u mbyt në ujërat e lumit Buna në Shkodër, në rrethana ende të paqarta, teksa polumbarët mundën ta gjejnë trupin e 35 vjeçarit pas një dite kërkimesh.
Përgjatë pandemisë së COVID-19 me mbylljen e kufijve tokësorë në Shqipëri u bllokuan qindra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, që synojnë të shkojnë në Europën Perëndimore dhe përdorin vendin tonë si rrugë kalimi.