Blog26 Apr 2019

Epidemia e fruthit në botë, më shumë se 20 milionë fëmijë të pa vaksinuar

Më shumë se 20 milionë fëmijë në vit në mbarë botën nuk bënë vaksinën kundër fruthit gjatë tetë viteve të fundit, duke bërë kështu të mundur ekspozimin ndaj një virusi që tani po shkakton epidemi të kësaj sëmundjeje globalisht, tha një raport i Kombeve të Bashkuara të enjten.

Autor: Kate Kelland Weforum.org
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

“Virusi i fruthit do të gjejë gjithmonë fëmijë të pa vaksinuar,” tha Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e Fondit për fëmijë të Kombeve të Bashkuara UNICEF, duke shtuar: “Bazat për këto shpërthime të fruthit në nivel global që po dëshmojmë sot janë hedhur vite më parë”.

Raporti i UNICEF tha se rreth 169 milion fëmijë humbën në dozën e parë të vaksinës së fruthit midis vitit 2010 dhe 2017 – afërsisht e barabartë me mesatarisht 21.1 milionë fëmijë në vit.

Si rezultat i ndjeshmërisë më të madhe ndaj sëmundjes, infeksionet e fruthit në mbarë botën gati u katërfishuan në tremujorin e parë të vitit 2019, kundrejt të njëjtës periudhë në vitin 2018, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në vitin 2017, rreth 110,000 njerëz, shumica prej të cilëve fëmijë, vdiqën nga fruthi – 22 për qind më shumë se një vit më parë, tha UNICEF.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të vrasë dhe mund të shkaktojë humbje të shikimit, dëgjimit ose dëmtime në tru. Aktualisht ai po përhapet në shumë pjesë të botës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Europën, Filipinet, Tunizinë dhe Tajlandën.

Dy doza të vaksinës së fruthit janë thelbësore për mbrojtjen e fëmijëve dhe OBSH thotë se mbulimi i vaksinës prej 95 për qind është i nevojshëm për imunitet kundër fruthit.

Por për shkak të mungesës së aksesit, sistemeve të dobëta shëndetësore, vetëkënaqësisë dhe në disa raste frikës ose skepticizmit rreth vaksinave, tha UNICEF, mbulimi global i dozës së parë të vaksinës së fruthit u raportua në 85 për qind në vitin 2017 – një nivel që ka mbetur i ngjashëm gjatë dekadës së kaluar. Mbulimi global për dozën e dytë është akoma edhe më i ulët, duke arritur në vetëm 67 për qind.

Midis vendeve me të ardhura të larta, Shtetet e Bashkuara – që aktualisht po përballen me shpërthimin më të madh të fruthit në pothuajse 20 vjet – kryesonte listën e vendeve të UNICEF-it me shumicën e fëmijëve që nuk kryen dozën e parë të vaksinës midis vitit 2010 dhe 2017, në më shumë se 2.5 milionë.

Pastaj në radhë vinin Franca dhe Britania, me përkatësisht më shumë se 600,000 dhe 500,000 fëmijë të pa vaksinuar  gjatë së njëjtës periudhë.

Megjithatë, në vendet e varfra, situata është “kritike”, zbulohet raporti i UNICEF. Nigeria në vitin 2017, për shembull, kishte numrin më të madh të fëmijëve nën moshën një vjeçare, të cilët humbën në dozën e parë të vaksinës, afërsisht 4 milionë. Ajo pasohej nga India, me 2.9 milionë, Pakistani dhe Indonezia, me nga 1,2 milion secili, dhe Etiopia, me 1.1 milionë.

Fore tha se fruthi ishte një sëmundje “jashtëzakonisht tepër ngjitëse” që të shpërfillej dhe i bëri thirrje zyrtarëve të shëndetësisë të bëjnë më shumë për ta luftuar atë.

“Nëse ne tregohemi seriozë për të shmangur përhapjen e kësaj sëmundjeje të rrezikshme, por të parandalueshme, ne duhet të vaksinojmë çdo fëmijë, në vendet e pasura dhe të varfra,” tha ajo.

Marrë me autorizim nga Weforum.org.  More than 20 million children a year miss out on the measles vaccine around the world